Filipçe përkrah kryeministrin malazez: Ndërhyrja e Vuçiqit nuk është problem lokal, por rajonal
Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, në rrjetet sociale ka shpërndarë deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spaji, i cili tha se Vuçiq ka marrë rolin e “PR-it të Rusisë”.
Filipçe në një postim në X, ka shkruar se kryeministri i Malit të Zi e ka thënë zëshëm atë që ata e thonë një kohë të gjatë në Maqedoni.
“Ndërhyrja e Aleksandar Vuçiqit nuk është problem lokal. Por është problem rajonal. Përmes OBRM-PDUKM-së dhe Mickoskit, i njëjti model po zbatohet edhe këtu – përmbushja e agjendave të të tjerëve që janë drejtpërdrejt në kundërshtim me vlerat dhe interesat evropiane. Kjo është arsyeja pse Komisioni Evropian po flet për ndërhyrjen e “botës serbe””.
“Kjo është një përpjekje e koordinuar për ta mbajtur rajonin, dhe veçanërisht Maqedoninë, në një zonë gri, midis Evropës dhe Rusisë. Kemi problem me ata që një ditë flasin për Evropën, dhe të nesërmen zbatojnë agjendën e Beogradit dhe Moskës. Mali i Zi e tha me zë të lartë. Është koha që qytetarët e Maqedonisë ta kuptojnë qartë këtë”, ka shkruar Filipçe, i cili gjithashtu e ka shpërndarë postimin e kryeministrit malazez.
Ndryshe, Spajiq ka shkruar se Mali i Zi nuk dëshiron konflikt me Serbinë, por marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një politikë të qartë evropiane, të cilën, sipas tij, Vuçiq “nuk dëshiron ta kuptojë”.
Ai e kritikoi presidentin serb edhe për qëndrimin ndaj Rusisë.
“Nuk është e përshtatshme që nga pozita që mban të marrë rolin e ‘PR-it të Rusisë’ dhe t’u mbajë të tjerëve leksione për parimësi”, ka shkruar Spajiq.
Kryeministri malazez ka ngritur edhe çështjen e armëve që përfundojnë në Ukrainë./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.