Filmi i ri i Mike Flanagan në franshizën “Exorcist” merr titullin zyrtar: “The Exorcist: Martyrs” — në kinema në mars 2027
Filmi i ri i regjisorit Mike Flanagan në franshizën legjendare të tmerrit “The Exorcist” ka më në fund një titull zyrtar: “The Exorcist: Martyrs”. Lajmin e bëri të ditur Universal, siç njofton TheWrap, duke konfirmuar kështu planet për ringjalljen e një prej sagave më të famshme në historinë e kinemasë horror.
Detajet e historisë mbahen ende rreptësisht sekret, por tashmë dihet se në rolin kryesor do të jetë Scarlett Johansson, përkrah Jacobi Jupe, yllit të ri të “Hamnet”. Një element kyç i njoftimit është se filmi i ri nuk do të ketë asnjë lidhje me “The Exorcist: Believer” të vitit 2023 — përpjekjen e dështuar për të nisur një trilogji të re mbi bazën e klasikëve të viteve ’70.
Prapa kamerave qëndrojnë emra të njohur të industrisë: Blumhouse, Atomic Monster dhe Morgan Creek Entertainment prodhojnë filmin në bashkëpunim me Red Room Pictures, kompaninë e vetë Flanagan-it. Përveçse shkruan dhe drejton filmin, Flanagan do të jetë edhe producent përkrah Jason Blum-it dhe David Robinson-it, producentit historik të serisë “Exorcist”. Producentë ekzekutivë janë Alexandra Magistro dhe Ryan Turek.
Historia e këtij projekti nis në vitin 2021, kur Universal pagoi plot 400 milionë dollarë për të drejtat e franshizës që lindi në 1973 me kryeveprën e William Friedkin. “The Exorcist: Believer”, që solli rikthimin e Ellen Burstyn, duhej të ishte filmi i parë i një trilogjie, por u kthye në një zhgënjim në box office — vetëm 137 milionë dollarë në gjithë botën — dhe u prit me kritika të ashpra. Trilogjia u anulua dhe në 2024-ën u thirr Flanagan, regjisori i “The Haunting of Hill House”, për t’i dhënë sagës një drejtim krejtësisht të ri.
“The Exorcist: Martyrs” pritet të dalë në kinema në mars të vitit 2027. Ndërkohë, Flanagan ka një axhendë të ngjeshur: ai është edhe skenaristi i horror-it të DC Comics “Clayface”, që del në kinema më vonë këtë muaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.