Rajoni

“Financial Times”: Greqia shtriu këmbët përtej jorganit

Europa u zgjua këtë të martë e rrethuar nga tituj bombastikë poshtërimi të Greqisë. “Kapitullimi”, siç e quajtën disa, “Triumfi i Gjermanisë së fuqishme” dhe “Një minimum i demokracisë në kontinentin e vjetër”, siç e përkufizuan disa të tjerë. Jo të gjithë e mendojnë kështu.

Gideon Rachman i “Financial Times” nuk përpiqet aspak t’i zbukurojë fjalët që përdor për të kundërshtuar atë që nuk e bind. “Çfarë gjepurash!”, shkruan kolumnisti.

“Nëse ka ndonjë shtet që kapitulloi në Bruksel, ai është Gjermania. Qeveria gjermane sapo pranoi, në parim, një tjetër hua shumëmiliardë euroshe për Greqinë, e treta deri tani. Në këmbim ka marrë vetëm ca premtime për reforma ekonomike nga një qeveri që e ka bërë të qartë me kohë se kundërshton rrënjësisht të gjitha ato që sapo i pranoi”, thotë Rachman.

Ai ndan bindjen e plotë se ekzekutivi i Syrizës do të bëjë ç’është e mundur për të mos e zbatuar marrëveshjen e porsafirmosur. “Nëse kjo ishte fitorja e Gjermanisë, nuk do të doja të shihja humbjen”, thotë Rachman.

Sa për ato diskutimet mbi mëpërkëmbjen e demokracisë greke, edhe ato, per analistin, janë budallallëqe që të gjitha. Referendumi i 5 korrikut në thelb nuk qe gjë tjetër veçse një votë që pjesa tjetër e Eurozonës të vazhdojë t’i japë borxh Greqisë, por kushtet ama të diktohen nga Athina.

“Ai votim nuk qe kurrë realist. Ngërçi i vërtetë i lirisë greke të veprimit nuk është aspak natyra jodemokratike e Bashkimit Europian, është thjesht fakti që Greqia ka mbetur trokë”, vijon Rachman.

Shumica e komenteve mbi humbjen e sovranitetit prej paktit të vulosur në Bruksel fokusoheshin tek kërkesa që shteti helen të privatizojë asetet publike në vlerën 50 miliardë euro dhe fondin që do të mbetet në Athinë do ta mbikëqyrin të huajt.

Duke pasur parasysh korrupsionin galopant dhe klientelizmin që i kanë gërryer qeveritë greke njëra pas tjetrës, kjo si ide duket shumë e mirë. Megjithatë, kundërshtimi i thellë i Syrizës ndaj privatizimit e vë seriozisht në dyshim nëse 50 miliardë eurot do të arrijnë të mblidhen vërtet.

Sigurisht, për grekët e thjeshtë situata është e dëshpëruar, mendon kolumnisti. Por perceptimi i saj si faj i europianëve mizorë, që i kanë marrë frymën një vendi të shëndetshëm me masa mbytëse anti-krizë, është thjesht një fantazi neo-majtiste.

“Greqia ndodhet këtu sot sepse është keqqeverisur prej vitesh dhe sepse për një kohë të gjatë ka jetuar përtej mundësive të saj, duke i shtrirë këmbët më shumë se ç’e kishte jorganin”, shton Rachmand.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button