Bota

Finlanda mbylli kufirin, Putin paralajmëron “probleme”

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar për “probleme” të paspecifikuara me Finlandën, dhe ka thënë se ka urdhëruar krijimin e një distrikti të ri ushtarak në rajonet kufitare me shtetin nordik.

Komentet e bëra në një intervistë që pritet të publikohet të dielën, vijnë teksa rriten tensionet mes dy vendeve fqinje, si rezultat i luftës së nisur të Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, dhe vendimit të shpejtë të Finlandës për t’iu bashkuar NATO-s.

Javëve të fundit, Finlanda i ka mbyllur tërësisht kufijtë me Rusinë, për shkak të rritjes së numrit të migrantëve, kryesisht prej Lindjes së Mesme, me kërkesa për azil.

Numri në rritje i migrantëve të mbledhur në pikat kufitare i ka forcuar bindjet e Finlandës që autoritetet ruse po tentojnë t’i shtyjnë migrantët për të udhëtuar drejt Finlandës, me qëllim të destabilizimit të shtetit.

Finlanda i ka hapur për pak dy pika kufitare më herët gjatë kësaj jave, mirëpo më pas i ka mbyllur ato.

“Ne kemi dëshmi që tregojnë se për dallim nga e kaluara, autoritetet kufitare ruse, jo vetëm që po i lejojnë njerëzit pa dokumente që të nisen drejt kufirit finlandez, por edhe janë duke iu ndihmuar vazhdimisht”, ka thënë ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen.

Finlanda ka hequr dorë nga politika e saj e neutralitetit, pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe këtë vit është bërë anëtarja e 31-të e NATO-s.

Prej atëherë, Finlanda e ka rritur numrin e njësiteve ushtarake në misione trajnime, dhe u ka lejuar aeroplanëve të NATO-s që të patrullojnë zonën ajrore, veprim që e ka zemëruar Rusinë.

Në disa pjesë të intervistës për televizionin shtetëror rus, Putin deklaron rrejshëm se Perëndimi e ka tërhequr Finlandën në NATO.

Në fakt, popullsia finlandeze e ka rritur interesimin për NATO, qysh prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Ai ka thënë se do ta riaktivizojë distriktin ushtarak Leningrad, hap administrativ që mund të rezultojë me rritje të numrit të ushtarëve në rajonet lindore me Finlandën.

“A kemi pasur ndonjë kontest me ta? Të gjitha kontestet, përfshirë ato territoriale, prej mesit të shekullit 20, janë zgjidhur”, ka thënë Putin.

“Nuk kemi probleme këtu. Tani do të ketë, sepse do të krijohet distrikti ushtarak Leningrad, dhe do të koncentrohen disa njësite ushtarake atje”.

Zyrtarët finlandezë nuk i kanë komentuar këto deklarata.

Putin është pyetur edhe për deklaratat e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka pretenduar këtë muaj se Rusia do të sulmojë një shtet të NATO-s, nëse e fiton luftën në Ukrainë.

“Është krejtësisht pa asnjë kuptim, dhe besoj se presidenti Biden e kupton këtë”, ka thënë Putin. “Rusia nuk ka arsye, as interes, as interes gjeopolitik, as ekonomik, politik, dhe as ushtarak, të luftojë me shtetet e NATO-s”, ka thënë ai.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button