Firmoset Marrëveshja COSME, Shqipëria ka akses në fondin prej 2.3 miliardë euro
Ministri i Ekonomisë Ahmetaj gjatë një vizite në Bruksel firmosi marrëveshjem COSME, programi i cili synon rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit të bizneseve të vogla dhe të mesme. Pas firmosjes së Marrëveshjes,Komisionerja Bienkowska i uroi mirëseardhjen Shqipërisë në grupin e vendeve që mund të përfitojnë nga fondet e Programit COSME. Sa i përket programit dhe politikave të SME-ve, Bienkowska shtoi se “Aksesi në financë mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballen SME-të. Unë dëshiroj që të përdorim mundësitë për financim që ky program ofron, në mënyrë sa mëeficente për të mbështetur SME-të dhe në të njëjtën kohë, të marrim ide prej vetë bizneseve lidhur me mënyrën më të mirë për t’i promovuar ato”.
Ministri Ahmetaj e vlerësoi këtë si një mundësi shumë të mirë për sipërmarrjet shqiptare që të aplikojnë për rritjen e konkurrueshmërisë, inovacionit dhe zhvillimin e tyre.
“Sot firmosëm një marrëveshje shumë të rëndësishme për Shqipërinë që quhet COSME. Është një instrument financiar që Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian e kanë krijuar për të mbështetur sipërmarrjet e vogla dhe të mesme brenda Bashkimit Europian dhe jashtë tij në vendet kandidate. Rëndësia për ne është që nga fondi i cili në total arrin në 2.3 miliardë euro, sigurisht që Shqipëria ka pjesën e vet proporcionale dhe është një sfidë e drejtpërdrejtë për autoritetet shqiptare, për administratën shqiptare dhe për sipërmarrjen shqiptare që të përfitojë nga këto fonde, nga ky financim qoftëpërsa i përket inovacionit, qoftëpërsa i përket strukturimit të ndërmarrjeve për të përballuar një konkurrencë akoma dhe më intensive në të ardhmen dhe për të thithur atë që e quajmë “ekonomia e dijes”, në mënyrë që të kalojnë në nivelin tjetër të zhvillimit ekonomik. Është sfidë e drejtpërdrejtë për ne që të arrijmë të thithim sa më shumë fonde në ndihmë të sipërmarrjes shqiptare dhe të përgatisim sipërmarrjen shqiptare që të aplikojë suksesshëm për fondet nga ky program” – u shpreh Ministri.
COSME është programi i BE që synon forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërinë e SME-vë, program i cili është në fuqi nga viti 2014-2020 me një buxhet prej 2.3 miliardë euro në total. Vendet mund të aplikojnë me projektet e tyre për të përfituar nga fondi i programit. Shqipëria është vendi i pestë, jo-anëtar i BE-së, që i bashkohet dhe kontribuon në program, pas Malit të Zi, Maqedonisë, Moldavisë dhe Turqisë.