🌦️
Tiranë 14°C · Rrebesh i lehtë 20 Nëntor 2026
S&P 500 6,910 ▼3.7%
DOW 48,147 ▼1.93%
NASDAQ 22,618 ▼5.28%
NAFTA 83.78 ▲1.63%
ARI 3,521 ▼4.47%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727 EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727
₿ CRYPTO
BTC $58,718 ▼ -4.58% ETH $1,613 ▼ -7.31% XRP $0.8988 ▼ -5.79% SOL $68.0300 ▼ -5.84%
S&P 500 6,910 ▼3.7 % DOW 48,147 ▼1.93 % NASDAQ 22,618 ▼5.28 % NAFTA 83.78 ▲1.63 % ARI 3,521 ▼4.47 % S&P 500 6,910 ▼3.7 % DOW 48,147 ▼1.93 % NASDAQ 22,618 ▼5.28 % NAFTA 83.78 ▲1.63 % ARI 3,521 ▼4.47 %
EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727 EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727
20 Nën 2026
Breaking
Ekonomia

Fitimet japin sinjale rënëse, por ndërtimi pritet të vazhdojë, krahasimi me rajonin

Ngadalësimi i rritjes së sektorit të ndërtimit, rënia e normave të fitimit dhe frenimi i ritmeve të shtrenjtimit të apartamenteve, sidomos në Tiranë, po japin sinjalet e para të zbehjes së ciklit të gjatë të lulëzimit të pasurive të paluajtshme.

Megjithatë, aktiviteti pritet të vijojë në nivele të larta, i nxitur nga lejet e shumta të ndërtimit për kulla në kryeqytet dhe komplekse turistike në bregdet.

Ecuria e ndërtimit në Shqipëri ka qenë për vite me radhë jo plotësisht në përputhje me zhvillimet e përgjithshme ekonomike të vendit. Krahas kërkesës reale për banesa dhe investimeve në turizëm, sektori është mbështetur edhe në burime të veçanta financimi, që nuk pasqyrohen plotësisht në statistikat bankare dhe në treguesit tradicionalë të ekonomisë.

Hetimet e fundit të SPAK-ut kanë treguar se kapitalet informale dhe ato me origjinë kriminale kanë depërtuar në projekte të mëdha ndërtimi.

Edhe Agjencia e Inteligjencës Financiare e ka identifikuar vazhdimisht ndërtimin si një nga sektorët me rrezik të lartë për pastrimin e parave.

Për një aktivitet që qarkullon miliarda euro në vit, është e vështirë të përcaktohet pesha e financimeve informale, por prania e tyre e bën edhe më të ndërlikuar parashikimin e ecurisë së tregut.

Një analizë e “Monitor” mbi bilancet e 163 kompanive të mëdha të ndërtimit për periudhën 2017-2024 tregon se sektori mbështetet shumë më tepër te financimi përmes klientëve dhe furnitorëve sesa te huaja bankare. Në vitin 2024, të arkëtueshmet përbënin rreth 29% të aktiveve të kompanive të analizuara, detyrimet ndaj furnitorëve dhe palëve të tjera rreth 20%, ndërsa borxhi bankar vetëm 5.3%.

Në raport me shitjet, të arkëtueshmet arrinin në 76.4%, duke treguar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të deklaruara nga kompanitë nuk ishte kthyer ende në para të arkëtuara. Ndërkohë, detyrimet ndaj furnitorëve përbënin 48.6% të shitjeve.

Këta tregues pasqyrojnë një model financimi ku ndërtuesit mbështeten te paradhëniet e blerësve, pagesat e shtyra ndaj furnitorëve dhe marrëveshjet e kleringut, përmes të cilave materialet dhe shërbimet kompensohen me apartamente apo prona të tjera.

Një pjesë e financimit të aktivitetit zhvillohet kështu jashtë sistemit bankar, duke e bërë sektorin më pak të varur nga kreditimi tradicional, por më të ndjeshëm ndaj ritmit të shitjeve dhe arkëtimeve.

Sinjalet e ngadalësimit po shfaqen edhe te çmimet. Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, çmimet e banesave në Tiranë u rritën vetëm 4.4% me bazë vjetore, nga 32.6% në gjashtëmujorin e parë. Ndërkohë, ritmet e rritjes mbetën më të larta në bregdet, të nxitura edhe nga kërkesa e blerësve të huaj.

Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se ngadalësimi i tregut nuk po shoqërohet ende me frenimin e projekteve të reja.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë arritën në 18.3 miliardë lekë vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, duke u trefishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shumë është pothuajse e barabartë me arkëtimet e gjithë vitit 2024 dhe më e lartë se ato të vitit 2025.

Rreth 68% e të ardhurave u arkëtuan nga Tirana, por rritje të forta u regjistruan edhe në bashkitë bregdetare. Në Himarë, arkëtimet u rritën me 300%, në Sarandë me 576%, në Durrës me 58% dhe në Kavajë, me 37%.

Të dhënat sugjerojnë një valë të re projektesh, megjithëse sipërfaqja e plotë e lejeve të ndërtimit nuk është publike, pasi statistikat e INSTAT-it nuk përfshijnë lejet për objektet mbi shtatë kate që miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Përveç kullave në Tiranë, leje të shumta janë dhënë për ndërtime të larta në zonën e Golemit dhe resorte turistike në Jug.

Kjo krijon një situatë ku, pavarësisht rënies së përfitueshmërisë dhe sinjaleve të ngadalësimit të kërkesës, oferta e re e ndërtimeve mund të vijojë të zgjerohet. Sa nga projektet e miratuara do të realizohen, do të varet nga mundësitë e financimit dhe ecuria e shitjeve.

Por, ndryshe nga tregjet ku investimet kushtëzohen më drejtpërdrejt nga kreditimi dhe kërkesa reale, në Shqipëri flukset informale mbeten një faktor që e bën të vështirë parashikimin e ciklit të ardhshëm të ndërtimit.

Shqipëria dhe Mali i Zi, ndërtimi rezidencial me peshë të lartë në fitime; në Serbi spikat infrastruktura

Kompanitë e ndërtimit rezidencial dhe turistik kanë një prani të rëndësishme në renditjen e sipërmarrjeve më fitimprurëse në Shqipëri dhe Mal të Zi, ndërsa në Serbi, një pjesë e konsiderueshme e fitimeve të sektorit gjenerohet nga projektet e mëdha infrastrukturore.

Në Maqedoninë e Veriut, ndërtuesit rezidencialë janë më pak të përfaqësuar, ndërsa spikasin prodhuesit e materialeve të ndërtimit.

Krahasimi bazohet në renditjet e kompanive më fitimprurëse për vitin 2025, të përpunuara nga “Monitor”, me 100 sipërmarrjet më të mëdha jofinanciare në Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, dhe 50 në Maqedoninë e Veriut, pjesë e botimit të mëparshëm VIP-at e Ballkanit, që listonte 100 shoqëritë më të mëdha në Ballkanin Perëndimor sipas të ardhurave dhe fitimeve.

Ekskluzive, VIP-at e Ballkanit Perëndimor; renditja e kompanive më të mëdha në rajon

Në Shqipëri, fitimet e ndërtimit kryesohen nga zhvilluesit e projekteve turistike dhe rezidenciale. “Green Coast”, pjesë e grupit BALFIN, që zhvillon kompleksin turistik në bregdetin e Jugut, raportoi rreth 31.8 milionë euro të ardhura dhe 17.7 milionë euro fitime para taksave në vitin 2025, me një normë fitimi prej 56%.

“Concord Investment”, që ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe struktura turistike, përfshirë kompleksin “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit, realizoi 24.9 milionë euro të ardhura dhe 13.4 milionë euro fitime, me një normë prej gati 54%.

Në renditje janë edhe zhvilluesit rezidencialë “Nova Construction Group” dhe “Gener 2”, krahas kompanive të infrastrukturës si “Gjoka Konstruksion”, “Alb-Building”, “Geci”, “Salillari” dhe “Fusha”.

Normat e larta të fitimit të kompanive që zhvillojnë prona për shitje dëshmojnë përfitueshmërinë e konsiderueshme që ka gjeneruar tregu i pasurive të paluajtshme, i nxitur nga shtrenjtimi i apartamenteve dhe zgjerimi i ndërtimeve turistike, si dhe cikli i shitjeve të njësive të banimit.

SERBI

Edhe Serbia ka një zhvillues rezidencial ndër kompanitë më fitimprurëse të ekonomisë. “Beograd na vodi”, që po ndërton kompleksin e madh të banesave, të zyrave dhe të ambienteve tregtare në Beograd, realizoi rreth 460 milionë euro të ardhura dhe 163.8 milionë euro fitim neto, me një normë fitimi prej 35.6%. (shiko nënndarjen në vijim për më shumë info).

Në Serbi, ndryshe nga Shqipëria, kontraktorët e mëdhenj të infrastrukturës kanë një peshë të konsiderueshme në renditjen e kompanive të ndërtimit. “Bechtel Enka” realizoi 405.9 milionë euro të ardhura dhe 49.6 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me një normë fitimi prej 12.2%. “China Shandong International” raportoi 214 milionë euro të ardhura dhe 20.1 milionë euro fitime, me një normë 9.4%.

Në renditje përfshihen edhe “Azvirt”, me 100.9 milionë euro të ardhura dhe 15.5 milionë euro fitime (15.4%), “Mostogradnja ING”, me 75.9 milionë euro të ardhura dhe 13.3 milionë euro fitime (17.5%), si dhe “PZP Valjevo”, me 57.1 milionë euro të ardhura dhe 13.7 milionë euro fitime (23.9%).

Këto kompani janë të përqendruara kryesisht në ndërtimin e rrugëve, urave dhe veprave të tjera infrastrukturore, duke i dhënë sektorit të ndërtimit në Serbi një strukturë më të orientuar drejt projekteve inxhinierike, krahas zhvillimit të pasurive të paluajtshme.

Në renditje përfshihen edhe zhvillues të tjerë rezidencialë, por me përmasa shumë më të vogla se “Beograd na vodi”. “Railway City”, me projekte në Beograd, realizoi 69.3 milionë euro të ardhura dhe 16.8 milionë euro fitime neto, me normë fitimi 24.3%.

“NS Square Gradnja”, që zhvillon komplekse banimi në Novi Sad, raportoi 48.4 milionë euro të ardhura dhe 13.5 milionë euro fitime, me normë 27.8%, ndërsa “SMB Gradnja”, e angazhuar edhe në ndërtimin rezidencial në Suboticë, realizoi 101.1 milionë euro të ardhura dhe 12.8 milionë euro fitime, me normë 12.7%.

MALI I ZI

Mali i Zi paraqet një strukturë të ngjashme me Shqipërinë, ku zhvillimi i apartamenteve, komplekseve rezidenciale dhe projekteve turistike është një burim i rëndësishëm fitimesh për kompanitë e ndërtimit.

“Zetagradnja”, një nga zhvilluesit më të mëdhenj të pasurive të paluajtshme, raportoi 53.5 milionë euro të ardhura dhe 14.3 milionë euro fitime neto, me normë fitimi prej 26.7%.

Kompania po zhvillon kompleksin rezidencial “Central Point” dhe kullën me të njëjtin emër në Podgoricë, si dhe hotelin-apartament “Bjelasica 1450” në qendrën turistike malore të Kolašinit.

“PM 4.1” realizoi 84.6 milionë euro të ardhura dhe 11 milionë euro fitime, me një normë prej 13%.

Shoqëria është pjesë e zhvillimit luksoz “Porto Montenegro” në Tivat, ku ka investuar në projektin “Boka Place”, që ndërthur hotelerinë me rezidencat turistike. Sipas dokumenteve të qeverisë malazeze, investimi i parashikuar për hotelin me pesë yje dhe 240 njësi akomodimi ishte 43.7 milionë euro, me financim të lidhur me fondin shtetëror të investimeve të Dubait.

Edhe kompanitë e tjera të renditjes janë të përqendruara te zhvillimet rezidenciale dhe turistike. “Kips Gradnja” po ndërton komplekset e apartamenteve “Premium Kvart II” dhe “Central Line” në Podgoricë, ndërsa “Master Inženjering” ka zhvilluar projektet “Master Quart” në Podgoricë dhe “Cruiser” në Budva.

Në bregdet, “ALK Gradnja” është përfshirë në projektet “President Hotel & Residences” në Budva, “Tivat Hotel & Residences” dhe kompleksin e apartamenteve “Vuelo Sobre” në Bečići. “Ventura Partners” zhvillon komplekset rezidenciale dhe tregtare “Ventura Park” dhe “Ventura Republika” në Podgoricë.

MAQEDONI E VERIUT

Në Maqedoninë e Veriut, sektori i ndërtimit përfaqësohet si nga zhvilluesit e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe nga prodhuesit e materialeve të ndërtimit.

Ndryshe nga Shqipëria, ku në renditjen e fitimeve spikasin kompanitë që ndërtojnë dhe shesin apartamente apo komplekse turistike, në Maqedoninë e Veriut, një peshë të rëndësishme kanë prodhuesit industrialë të çimentos dhe materialeve me bazë gipsi.

“Titan Usje”, një nga prodhuesit më të mëdhenj të çimentos në vend, realizoi 103.5 milionë euro të ardhura dhe 29.2 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me një normë fitimi 28.2%.

Kompania renditet e pesta ndër 50 sipërmarrjet më fitimprurëse të Maqedonisë së Veriut, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”.

Një tjetër kompani e rëndësishme është “Knauf-Radika”, prodhuese e pllakave të gipsit dhe materialeve për ndërtim, me seli në Dibër. Ajo raportoi 44.9 milionë euro të ardhura dhe 9.8 milionë euro fitime neto, me normë fitimi 21.8%.

Ndërkohë, “Knauf”, që merret me tregtimin me shumicë të materialeve të ndërtimit, realizoi 42.5 milionë euro të ardhura dhe 9.1 milionë euro fitime, me një normë prej 21.5%.

Në renditje janë edhe zhvillues të projekteve rezidenciale. “East Gate Living”, pjesë e zhvillimit të madh urban East Gate në Shkup, që përfshin apartamente, hapësira tregtare dhe shërbime, raportoi 32 milionë euro të ardhura dhe 9.9 milionë euro fitime neto, me normë fitimi 30.9%.

Normat e fitimit

Në Shqipëri, normat e fitimit të zhvilluesve kryesorë rezidencialë dhe turistikë arrijnë mbi 50%, ndjeshëm më të larta se ato të “Beograd na vodi” në Serbi dhe “Zetagradnja” në Mal të Zi.

Kjo përfitueshmëri e lartë ka nxitur orientimin e kapitaleve drejt apartamenteve, vilave dhe resorteve turistike, duke e kthyer zhvillimin e pronave në një nga aktivitetet më tërheqëse për investimet private.

Ndërkohë, përqendrimi i fitimeve te ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme mbetet një karakteristikë e rëndësishme e modelit ekonomik shqiptar, në një periudhë kur industria përpunuese dhe sektorët eksportues po përballen me vështirësi.

Projekti “simotër” i Durrës Marina në Beograd, formë e njëjtë financimi me parapagime

“Beograd na vodi” (Belgrade Waterfront) realizoi rreth 460 milionë euro të ardhura dhe 163.8 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me një normë fitimi prej 35.6%, sipas renditjes së përpunuar nga “Monitor”.

Fitimet u rritën me 155%, duke e renditur kompaninë të pestën ndër sipërmarrjet më fitimprurëse të Serbisë dhe të parën në ndërtim.

Projekti, me vlerë të deklaruar 6 miliardë dollarë, zhvillohet që nga viti 2015 përgjatë lumit Sava, në qendër të Beogradit.

Investitori kryesor është “Eagle Hills”, grupi i biznesmenit Mohamed Alabbar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili po zhvillon edhe “Durrës Yachts & Marina” në Shqipëri. Sipas marrëveshjes, investitori arab zotëron 68% të kompanisë dhe shteti serb 32%, duke vënë në dispozicion tokën dhe duke marrë përsipër investime në infrastrukturën mbështetëse.

Kompleksi parashikon rreth 2.3 milionë m² ndërtime, me kulla banimi, hotele, zyra, qendra tregtare dhe hapësira publike.

Sipas zhvilluesit, deri në vitin 2026 ishin shitur mbi 10 mijë apartamente. Çmimi mesatar i shitjeve nga zhvilluesi arriti në 5,821 euro/m² në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, sipas Regjistrit të Pasurive të Paluajtshme të Serbisë, ndërsa në rezidencat më luksoze çmimet e kërkuara kalojnë 9 mijë euro/m².

Projekti është kritikuar për intensitetin e lartë të ndërtimeve dhe mënyrën e administrimit të territorit, me përqendrim të madh kullash përgjatë lumit, ndryshime të planifikimit urban dhe shqetësime për hapësirat publike e ndikimin në peizazhin e qytetit.

Marrëveshja me investitorin është kundërshtuar edhe për mungesën e konkurrimit dhe kostot publike. Investigimet e BIRN kanë evidentuar rreth 30 milionë euro shpenzime shtetërore për shpronësime, si dhe ndërtime të nisura pa lejet përkatëse gjatë zgjerimit të kompleksit.

Janë ngritur edhe shqetësime për rrezikun e pastrimit të parave në tregun e pasurive të paluajtshme, por nuk ka një hetim penal të konfirmuar publikisht ndaj “Beograd na vodi” për këtë vepër.

Edhe mënyra e financimit të “Beograd na vodi” ngjan me projektin “Durrës Marina”, që po zhvillohet nga i njëjti investitor, Mohamed Alabbar.

Marrëveshja fillestare me shtetin serb parashikonte një kontribut prej 150 milionë eurosh kapital dhe 150 milionë eurosh hua nga “Eagle Hills”, ndërsa pjesa tjetër e investimit do të mbështetej edhe te shitjet e apartamenteve dhe financimet bankare.

Sipas bilancit të vitit 2025, të analizuar nga mediat serbe N1 dhe Biznis.rs, kompania kishte arkëtuar rreth 508 milionë euro parapagime nga blerësit për apartamente ende të papërfunduara. Kjo shumë ishte madje më e lartë se të ardhurat operative vjetore prej rreth 460 milionë eurosh.

Parapagimet janë detyrime për dorëzimin e pronave dhe nuk duhen ngatërruar me të ardhurat e realizuara.

Një model i ngjashëm është evidentuar nga “Monitor” në “Durrës Marina”, ku deri në fund të vitit 2024 ishin arkëtuar 42 milionë euro parapagime, ndërsa kapitali i shtuar nga kompania e investitorit arab ishte 7 milionë euro.

Në të dy projektet, shitja e pronave përpara përfundimit të ndërtimit është një burim i rëndësishëm financimi, krahas kontributit të investitorit dhe angazhimit të shtetit me pronën publike.

Ndërmarrjet shtetërore të rrugëve në rajon, një model ndryshe nga Shqipëria

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë ndërmarrje shtetërore që administrojnë rrugët dhe autostradat, mbledhin tarifat e përdorimit të tyre dhe organizojnë investimet e reja infrastrukturore.

Ndryshe nga Shqipëria, ku ndërtimi i rrugëve financohet kryesisht përmes buxhetit të shtetit dhe kontraktohet me tendera nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në këto vende një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë zhvillohet përmes ndërmarrjeve publike me bilance financiare të veçanta.

Këto ndërmarrje nuk janë domosdoshmërisht ndërtuesit që realizojnë fizikisht punimet. Ato menaxhojnë infrastrukturën ekzistuese, sigurojnë të ardhura nga tarifat rrugore dhe burime të tjera publike, si dhe organizojnë investime, duke kontraktuar kompani private për zbatimin e projekteve.

Modeli ndryshon mes vendeve, sidomos për mënyrën e financimit dhe lidhjen me buxhetin e shtetit.

Serbia, ndërmarrja më e madhe e rrugëve me humbje të thella

“Putevi Srbije”, ndërmarrja shtetërore që administron rrjetin e rrugëve kombëtare dhe autostradave të Serbisë, realizoi 530.9 milionë euro të ardhura në vitin 2025, por rezultoi me humbje neto prej 192.3 milionë eurosh.

Në renditjen e 100 kompanive më të mëdha serbe, sipas të ardhurave, të përpunuar nga “Monitor”, ajo është ndërmarrja më e madhe e sektorit të ndërtimit.

Kompania administron rrjetin e rrugëve shtetërore dhe është përgjegjëse për mirëmbajtjen, rikonstruksionin, zhvillimin e tij dhe mbledhjen e tarifave të kalimit. Financimi mbështetet kryesisht te tarifat rrugore dhe transfertat buxhetore, ndërsa ndërmarrja përdor edhe hua.

Sipas gazetës serbe “Danas”, në vitin 2025, të ardhurat nga tarifat e autostradave arritën në rreth 370 milionë euro, ndërsa subvencionet dhe donacionet e regjistruara në të ardhurat operative ishin rreth 136 milionë euro.

Megjithëse të ardhurat u rritën, humbjet pothuajse u dyfishuan krahasuar me vitin 2024. Sipas “Danas”, shpenzimet për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve, amortizimi dhe detyrimet ndaj kontraktorëve kanë rënduar mbi financat e ndërmarrjes.

Në fund të vitit 2025, detyrimet ndaj furnitorëve arritën në rreth 192 milionë euro. Sipas së njëjtës gazetë, gjatë periudhës 2012–2024 ndërmarrja kishte përfituar rreth 1.5 miliardë euro subvencione nga buxheti i shtetit.

Maqedonia e Veriut, 147 milionë euro fitime nga ndërmarrja publike e rrugëve

Në Maqedoninë e Veriut, “Public Enterprise for State Roads” është një nga ndërmarrjet më fitimprurëse të vendit. Në vitin 2025, ajo realizoi 264.1 milionë euro të ardhura dhe 146.9 milionë euro fitim neto, me një normë fitimi prej 55.6%, duke u renditur e para në listën e 50 kompanive me fitimet më të larta të përpunuar nga “Monitor”.

Ndërmarrja funksionon si subjekt juridik më vete që prej vitit 2013 dhe është përgjegjëse për administrimin, mirëmbajtjen, zhvillimin dhe ndërtimin e rrugëve shtetërore.

Financimi mbështetet te tarifat e autostradave, taksat e posaçme rrugore, një pjesë e të ardhurave nga karburantet dhe kreditë e institucioneve financiare. Përmes kësaj ndërmarrjeje organizohen edhe investimet e mëdha infrastrukturore, përfshirë korridoret 8 dhe 10d, për të cilat janë kontraktuar kompanitë Bechtel dhe Enka.

Por ky model ka ngritur shqetësime për transparencën e financave publike.

Në raportin e vitit 2026 për Maqedoninë e Veriut, Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se administrimi i ndërtimit të rrugëve përmes kësaj ndërmarrjeje lë jashtë perimetrit të buxhetit të qeverisë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve për investime dhe të huamarrjes së garantuar nga shteti.

FMN rekomandon përfshirjen e veprimtarisë së ndërmarrjes në kuadrin e financave të qeverisjes së përgjithshme, për të përmirësuar transparencën dhe vlerësimin e rreziqeve fiskale.

Norma e fitimit prej 55.6% nuk është drejtpërdrejt e krahasueshme me atë të kompanive private të ndërtimit, pasi të ardhurat e ndërmarrjes përfshijnë edhe burime publike të dedikuara për rrugët.

Mali i Zi, “Monteput” financon veprimtarinë nga tarifat dhe menaxhon investimet në autostrada

Në Mal të Zi, funksione të ngjashme kryen “Monteput”, shoqëri në pronësi të plotë të qeverisë, e cila realizoi 30.3 milionë euro të ardhura dhe 6.1 milionë euro fitime neto në vitin 2025, me një normë fitimi rreth 20%.

Ndërmarrja administron segmentin Smokovac–Mateševo të autostradës Bar–Boljare, si dhe tunelin Sozina. Ajo mbledh tarifat e kalimit dhe merret me përgatitjen teknike, mbikëqyrjen dhe organizimin e projekteve të reja të autostradave dhe rrugëve të shpejta.

Sipas të dhënave të raportuara nga portali malazez “Bankar”, në vitin 2025 të ardhurat nga tarifat e kalimit arritën në rreth 26 milionë euro, nga të cilat 13.3 milionë euro nga tuneli Sozina dhe 12.5 milionë euro nga autostrada. Kompania siguroi edhe rreth 1.2 milionë euro nga reklamat dhe qiratë.

Ndryshe nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, “Monteput” nuk administron të gjithë rrjetin rrugor të vendit. Rrugët e tjera shtetërore mbeten në përgjegjësinë e Drejtorisë së Transportit, ndërsa “Monteput” është përqendruar tek autostradat dhe projektet e rrugëve të shpejta.

Në buxhetin kapital të vitit 2025, Mali i Zi kishte parashikuar rreth 105 milionë euro për projektet e autostradave dhe rrugëve të shpejta që do të zbatoheshin përmes Monteput. Megjithatë, sipas raportit të zbatimit të buxhetit kapital, shpenzimet e realizuara për këtë program gjatë vitit arritën vetëm rreth 2.6 milionë euro.

Një nga projektet kryesore është segmenti Mateševo–Andrijevica, për të cilin “Monteput” zhvilloi procedurën e tenderimit, me financim të parashikuar edhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimi Europian.

LEXONI EDHE:

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

IT, operatrët privatë çojnë 50-80% të të ardhurave për personelin; ata me tendera, norma fitimi 90%

Dilema e madhe e industrisë dhe përpunimit agroushqimor

Alessandro de Concini: Shqipëria ka një mundësi reale për të riorientuar modelin e saj të rritjes drejt industrisë

Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale

Nafta, çmimet në rënie në dogana, por jo në tregun e pakicës, normat e fitimit në rritje të lehtë

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.