SHBA sanksionon katër iranianë të akuzuar si “kujdestarë nafte” që ndihmonin Teheranin të shmangte sanksionet
Departamenti amerikan i Thesarit shtoi të premten katër shtetas iranianë në listën e sanksioneve, të akuzuar se si “kujdestarë nafte” ndihmonin në mbledhjen e shitjeve dhe në shmangien e sanksioneve të mëparshme, ndërsa sekretari Scott Bessent deklaroi se Uashingtoni do të vazhdojë ta “shtrydhë” Gardën Revolucionare të Iranit.
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të premten sanksione të reja ndaj katër shtetasve iranianë, sipas listës së sanksioneve të publikuar nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC), siç njofton Al Jazeera, duke cituar agjencinë Reuters.
Sipas Departamentit të Thesarit, të katër të sanksionuarit akuzohen se kanë shërbyer si “kujdestarë nafte”, duke ndihmuar në mbledhjen e shitjeve të naftës iraniane dhe në shmangien e sanksioneve të vendosura më parë ndaj Teheranit.
Më herët gjatë ditës, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se fushata ekonomike e SHBA-së kundër Iranit po funksionon dhe se Uashingtoni do të vazhdojë ta “shtrydhë” Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), siç raporton po Al Jazeera.
Në një intervistë për CNBC të premten, Bessent tha se vazhdon të jetojë në një bazë ushtarake amerikane pas kërcënimeve të paspecifikuara nga Irani. “Nëse iranianët më kanë vënë në shënjestër, kjo do të thotë se po shtrydhen. Ne do të vazhdojmë t’i shtrydhim”, tha ai, sipas raportimit të Reuters. Bessent e përshkroi operacionin “Economic Outcast” kundër Iranit si izolimin më të madh ekonomik të ndonjë vendi në histori dhe tha se, për herë të parë që kur Irani prodhon naftë, vendi nuk ka naftë të papërpunuar në det për shitje.
Sanksionet e reja vijnë ndërsa konflikti mes SHBA-së dhe Iranit, i nisur në shkurt, vazhdon me bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane dhe presionin ekonomik të Uashingtonit ndaj Teheranit, paralelisht me përplasjet e vazhdueshme rreth Ngushticës së Hormuzit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.