Fjala Ramës në konferencën e shtypit me Vuçiç
Mirëdita të gjithëve!
I nderuar Kryeministër Vuçiç!
Rastësia e desh që një ditë pas kremtimit, në mbarë Europën, të 25 vjetorit të rënies së murit të Berlinit, të ngrihet sot në Beograd, flamuri kombëtar i Shqipërisë dhe të nderojmë himnet e njëri-tjetrit, për të parë një takim mes kryeministrash të dy vendeve tona pas 68 vitesh.
Sa shumë histori kemi ndarë sëbashku, pa qenë kurrë të afër me njëri-tjetrin dhe sa shumë varet e ardhmja jonë në çfarë do të mundemi të bëjmë sëbashku në rrugën e bashkimit me Europën që veç e veç do të jetë shumë më e vështirë për secilin prej nesh në Ballkan.
Do të na duhet vizion, por sidoqoftë, jo më shumë se sa vizioni madhështor që transformoi vetë Europën.
Do të na duhet kurajë, por sidoqoftë, jo më shumë se sa kurajoja që ndërtoi rrugën e re të paqes dhe të prosperitetit europian, mbi gjurmët e lumenjve të gjakut të derdhur mes të mëdhenjve të Europës.
Do të na duhet besim i ndërsjellë, por siodoqoftë, nuk do të jemi vetëm, nëse nuk do të lejojmë që historia të ndikojë negativisht marrëdhëniet mes nesh, e për pasojë edhe qëndrimin e Europës ndaj nesh.
Ne, Ballkani, kemi nevojë për Europën e Bashkuar, por si asnjëherë më parë, Europa e Bashkuar ka nevojë për Ballkanin, për ne shqiptarët, serbët, malazezët, maqedonasit, boshnjakët, kroatët padyshim.
Vizioni i Europës së Bashkuar na ka bashkuar më në fund të gjithëve në rrugën e paqes me njëri-tjetrin, ndërsa paqja do të na japë të gjithëve kurajë për t’u ndarë nga rruga e vjetër e një historie që vijon të ushqejë kaq shumë mosbesim ndaj njëri-tjetrit.
Ne, shqiptarët, e kemi edhe këtë vizion, edhe këtë kurajë. Kemi të gjithë dëshirën e mirë për ta ushqyer besimin e ndërsjellë me ju, serbët, duke ju shtrirë dorën e një bashkëpunimi po aq të sinqertë, sa ç’është e sinqertë bindja jonë se fëmijët tanë nuk duhet të vuajnë për shkak të së shkuarës mes nesh.
Ne shohim një mundësi reale për ta ngritur marrëdhënien me ju, në një nivel krejt tjetër, duke punuar sëbashku për Europën, në kuadrin e një ndërveprimi aktiv rajonal e duke krijuar sëbashku kushte të reja, të favorshme për zhvillimin e ekonomive dhe të shoqërive tona.
Nuk janë ditët më të mira për Bashkimin Europian. Europa e Bashkuar e shpresës ia ka lënë vendin gjithnjë e më shumë Europës së Bashkuar të frikës. E s’ka asnjë dyshim se lodhja nga zgjerimi i kërcënon shoqëritë tona me lodhjen nga durimi.
Por ashtu si për Europën e Bashkuar s’ka një projekt alternativ zgjerimi, ashtu dhe për ne nuk ka një projekt alternativ të integrimit në BE.
Në këto kushte, s’ka dyshim se aktualiteti i vështirë i Europës nga njëra anë dhe sfidat e brendshme të Ballkanit nga ana tjetër, do ta testojnë në vijimësi imagjinatën tonë politike dhe ekonomike, ndërkohë që qoftë në Shqipëri, qoftë këtu në Serbi apo gjetkë në rajon, ne të gjithë përpiqemi për politika reformiste dhe financime të reja.
Ja pse, ne do të bëjmë çmos të komunikojmë vijimisht për të mësuar nga njëri-tjetri dhe të bashkëpunojmë intensivisht për të shfrytëzuar me dobishmëri reciproke, aftësitë dhe burimet tona të zhvillimit, duke prodhuar zgjidhje rajonale për probleme kombëtare.
Ekonomitë tona janë të vogla për shumë nga ambiciet tona, por ekonomia jonë si rajon, nuk është më një ekonomi e vogël për ambicien europiane të Ballkanit.
Buxhetet tona janë të vogla për një infrastrukturë rajonale moderne, por sëbashku ne nuk jemi më të vegjël për t’u dëgjuar e mbështetur nga BE apo partnerë të mëdhenj strategjikë për ne dhe për rajonin tonë.
Potenciali ynë energjetik është i tillë që mund ta kthejë Ballkanin në një pol energjie me rëndësi të konsiderueshme për vetë Europën, përveçse mund të garantojë përgjithmonë sigurinë energjetike të rajonit.
Është e qartë për ne, si drita e diellit, se suksesi i çdonjërit prej vendeve tona në rrugën e integrimit europian dhe të zhvillimit ekonomik dhe social lidhet ngushtë me suksesin e rajonit si i tërë. E gjithmonë e më ngushtë do të lidhet vit pas viti. Të predikosh të kundërtën do të thotë të jetosh në kollajllëkun e retorikës pa të ardhme të së shkuarës së Ballkanit.
Unë besoj se është një shans për vendet tona, që sot qeverisen nga një gjeneratë tjetër. Dua të besoj se gjenerata e re që qeveris sot Serbinë, do t’i shohë dhe do t’i respektojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si një urë, me rëndësi strategjike, për lidhjen e fateve tona europiane. Gëzimi i të gjithë të drejtave, të parashikuara në konventat dhe normat europiane dhe ndërkombëtare prej tyre, është jo vetëm dëshira, por edhe detyrimi ynë kushtetues që ta kërkojmë vijimësisht nga Qeveria dhe institucionet e Serbisë.
Ne duam që shqiptarët e Luginës së Preshevës të gëzojnë të gjithë vëmendjen e Beogradit zyrtar, për përfaqësimin e tyre të merituar në strukturat vendore dhe qendrore, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe social të vendbanimeve të tyre. Besoj se autoritetet serbe e dinë që shqiptarët e Luginës së Preshevës përfshihen dhe inkurajojnë proceset integruese të Serbisë në Bashkimin Europian, jo vetëm si një mundësi modernizimi dhe europianizimi i Serbisë, por edhe si një rrugë e sigurt për të qenë shoqërisht të barabartë, si dhe për të qenë pjesë vendimmarrjes qendrore, veçanërisht kur bëhet fjalë për fatet e tyre. Modeli që ne e çmojmë dhe sugjerojmë që të shqyrtohet në këtë drejtim, është ai që gëzojnë tashmë, pakicat serbe në Kosovë.
Sa për Kosovën kemi dy qëndrime krejt të ndryshme, por realiteti është një dhe krejt i pandryshueshëm. Kosova e pavarur, e njohur deri tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe europian. Ajo duhet respektuar dhe duhet bërë pjesë, ashtu siç po bëhet, e integrimit europian, si dhe euroatlantik dhe siç e kam theksuar në Samitin e fundit të NATO-s, dua ta përsëris edhe këtu, hapur dhe sinqerisht;
Njohja e Kosovës nga vendet europiane që ende nuk e njohin atë është në radhë të parë, një çështje sigurie europiane. Le të jemi të vërtetë deri në fund, pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi, perspektivës europiane të rajonit dhe e ka kthyer në strategjik, bashkëpunimin mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve në veçanti. Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është më shumë sesa i mirëpritur prej nesh. Ne e çmojmë, e mbrojmë dhe e promovojmë dialogun Kosovë-Serbi, si mishërimin kuptimplotë të një epoke të re paqeje dhe vetëdijeje europiane në rajonin tonë. Ky dialog është një sukses europian, i nxitur dhe i mbështetur nga instrumentet ligjorë dhe nga organizatat ndërkombëtare, por ky dialog është në radhë të parë, vlerë e krijuar nga lidershipi i të dy shteteve dhe finalizimi me sukses i tij do të jetë pa asnjë dyshim, një prej atyre veprave me rëndësi historike në të mirën e popujve, që vetëm politika ka fuqinë t’i krijojë.
Në 28 gushtin e shkuar, unë pata fatin të jetoj momentin e jashtëzakonshëm të takimit në Berlin, mes gjithë liderve të rajonit tonë. Të cilët, për të parën herë u ulën sëbashku, jo për t’u grindur për kufijtë, por për të diskutuar për të ardhmen e përbashkët. Në atë takim ku m’u dha mundësia edhe të njoh personalisht Kryeministrin Vuçiç, Kancelarja Angela Merkel, nismëtarja e procesit shumë shpresëdhënës të afrimit të Ballkanit me Europën e Bashkuar përmes afrimit të vendeve të rajonit tonë me njëri-tjetrin, vuri një theks entuziast tek projekti i shkëmbimeve mes të rinjve të vendeve tona. Programi vizionar i shkëmbimeve studentore dhe rinore, që e themeluan Charles De Gaulle dhe Kancelari Adenauer për të lehtësuar tejkalimin e historisë së hidhur mes Francës dhe Gjermanisë, është një model inkurajues për fuqinë që mund të ketë rinia në përparimin e shpejtë të bashkëpunimit mes vendeve, nëse asaj i jepet një rol. Krijimi i mundësive për afrimin e të rinjve tanë, shqiptarë dhe serbë dhe ndërtimi i urave të bashkëpunimit mes tyre përmes programeve të shkëmbimit mes shkollave, universiteteve, komuniteteve vendore, si dhe përmes organizimit të hapësirave të kontakteve kulturore dhe sportive janë padyshim, një fushë e tërë për eksplorim në marrëdhëniet mes vendeve tona. Ne duam ta eksplorojmë sëbashku dhe pa humbur kohë këtë fushë.
Në përfundim më lejoni të shpreh të gjithë vullnetin dhe vendosmërinë time dhe të Qeverisë Shqiptare për një proces intensiv komunikimi mes Shqipërisë dhe Serbisë. Së pari për t’i dhënë jetë dhe për të modernizuar marrëdhëniet dypalëshe, duke kapërcyer dhe lënë pas, të shkuarën si trashëgimi të konfliktit permanent dhe dasisë ekstreme. Së dyti, për të shkëmbyer eksperiencë dhe ndërvepruar në funksion të procesit të integrimit europian, duke vendosur kontakte në çdo nivel, si dhe duke bashkëpunuar afërsisht në sektorë specifikë. Dhe, së treti, për të mbështetur dhe nxitur në mënyrë proaktive, procesin e Berlinit, në funksion të bashkëpunimit ekonomik dhe ndërveprimit politik rajonal, me bindjen se rruga e secilit prej nesh drejt Europës është një korsi e rrugës së përbashkët europiane të Ballkanit, në sfidën për të afirmuar Europën e Bashkuar të shpresës dhe për t’u bërë në një kohë sa më të afërt, pjesë plotësisht e integruar e saj.
Le të mos harrojmë se 100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërorë, sot, në vitin 2014 jetojmë më në fund, në një rajon me shumë mundësi të reja dhe të mëdha që i ka sjellë paqja. E paqja erdhi më në fund, jo sepse ne u bëmë u bëmë engjëj, por sepse na nxori natyrshëm në të njëjtën rrugë ambicia për t’u bërë pjesë e bashkuar dhe e barabartë e Europës. Le ta ushqejmë këtë ambicie duke ushqyer paqen, në përmbajtjen konkrete të një bashkëpunimi që do të bëjë paqen mes nesh, një paqe për të cilën ia vlen të jetohet.
Faleminderit Kryeministër Vuçiç për mikpritjen tuaj! Uroj që vitin e ardhshëm t’ju kem mik në Tiranë, ku me siguri do t’ju presim me të gjithë dëshirën e mirë për miqësi mes shqiptarëve dhe serbëve.
Faleminderit!
10/Nentor/2014
Kosova eshte shtet i pavarur dhe ky eshte fakt i pamohueshem.Si rezultat ka qeverine dhe kryeministrin e saj.
Edi ne Beograd eshte si kryeminister i Shqiperise per te bere te mundur qe marredheniet mes dy popujve te jene me pak te tensionuara.
Kjo vizite eshte shume e ndjekur nga opinioni dhe kancelarite e huaja dhe ne duhet te tregojme se duam harmoni mes popujve te Ballkanit.
Mendoj se nga ana diplomatike disa deklarata edhe pse te drejta mund te evitoheshin per te mos kaluar edhe nje here tjeter si provokues dhe shkaktare te acarimit te metejshem te raporteve mes dy popujve.