Ekonomia

Si po zgjerohet tregu i bursave online, ja kompanitë me dhe pa licensë

cTelefonuesja është këmbëngulëse deri në bezdi. Oferta e saj është joshëse dhe i shpjegon klientit potencial se si mund të shumëfishojë paratë nëpërmjet investimit online në bursa. “Zotëri, mund ta fillosh edhe me 400-500 dollarë, do të kesh gjithnjë kujdesin tonë, që monitorojmë investimin dhe risku është minimal”. Ajo i thotë klientit potencial se kompania ofron dhe një kurs dy javor falas që të mësojë si funksionon investimi dhe si mund ta ndjekë hap pas hapi ecurinë e aksioneve të targetuara në bursa. Ideale do të ishte nëse shuma do të ishte mbi 10 mijë euro, dhe telefonuesja shpjegon se mund të fitosh dhe dy apo trefish, në varësi të ecurisë dhe riskun mund ta minimizosh nëse e mëson mirë mënyrën se si funksionon investimi online në bursa. Edhe pse klienti nuk shfaq interes, telefonatat janë të shpeshta, deri në kërkesë “llogarie” se pse nuk investon…

Tani kur interesi real i depozitave në banka është në vlera negative, individët gjithnjë e më shumë po joshen nga forma të reja investimesh jo shumë të sigurta.
Shumë biznese dhe qytetarë po shohin bursat matanë vendit, si një mundësi për të shtuar vlerat e kursimeve të tyre, teksa pesimizmi për zhvillimet ekonomike në vend i ka larguar ata nga konsumi dhe investimet, duke nxitur edhe më tej prirjet për kursim.
Kompanitë që ndërmjetësojnë investimet në bursa dy vitet e fundit janë shtuar shumë. Duke ofruar produkte krejt të panjohura për shqiptarët me kulturë financiare që lë për të dëshiruar, shoqëritë e brokerimit me leje dhe pa leje me një treg ende të pazyrtarizuar dhe të parregulluar po ofrojnë në merimangën e tyre të marketingut qindra qytetarë, të cilët nuk janë të qartë ku po investojnë kursimet e tyre.

Kjo tendencë për të kanalizuar kursimet në forma të reja investimi vjen në një moment të papërshtatshëm, pasi tregu ndërkombëtar i kapitaleve është ndërlikuar nga ulja e çmimeve dhe paraqet më shumë risk se sa fitim.
Duke e parë investimin në bursë vetëm si fitim dhe jo si risk, shumë individë janë përfshirë në skemat e reja të ndërmjetësimit pa qenë të ndërgjegjshëm për atë që i pret.

Gjatë ditës së djeshme Grupit Këshillimor i Stabilitetit Financiar (GKSF) tha se paralajmëroi se portalet e tregtimit online, i japin mundësi të interesuarve të investojnë në bursa ndërkombëtare. Por GKSF paralajmëroi se këto investime janë me rrezik të konsiderueshëm, ndaj GKSF vlerëson se publiku i interesuar duhet të tregohet i kujdesshëm dhe t’i realizojë ato nëpërmjet subjekteve të licencuara, mbi bazën e një informacioni të plotë dhe vetëm në rastet kur ekziston kultura e nevojshme financiare që lejon njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth rreziqeve që shoqërojnë këto veprimtari. ( Lexo: Mblidhet grupi i Stabilitetit Financiar, investimet ne portalet online jane me rrezik te larte).

Shoqëritë e brokerimit që po ndërmjetësojnë investimin e depozitave të shqiptarëve në bursa janë shtuar shumë, por vetëm tre të tilla kanë leje, Aksioner Insternational Securites Brokerage sha., Stock International Albania dhe Platinium Investment që ka marrë licencë si institucion financiar jo bankë nga Banka e Shqipërisë dhe dy të parat kanë marrë leje nga AMF, si shoqëri brokerimi në tituj për blerjen dhe shitjen e titujve me porosi të klientit në tregun e licencuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Por ndërsa vetëm tri kompani janë të licencuara, dhjetëra të tjera e kryejnë këtë shërbim pa asnjë autorizim të autoriteteve shqiptare. Risku i investimit në këto lloj skemash është 100% dhe për humbjen askush nuk mban përgjegjësi.
Këto forma investimi në botën e zhvilluar janë shumë të njohura, por tregjet e tyre të kapitaleve janë të zhvilluara, të mbikëqyrura dhe të rregulluara.
Ndërsa vetëm tri kompani janë të licencuara, dhjetëra të tjera e kryejnë këtë shërbim pa asnjë autorizim të autoriteteve shqiptare. Risku i investimit në këto lloj skemash është 100% dhe për humbjen askush nuk mban përgjegjësi.

Gjuetia e klientëve

Kompanitë e brokerimit po i krijojnë klientët e tyre në dy forma. E para, nëpërmjet promocioneve individuale nga telefoni ose nga kontakte me njerëz të njohur, për të cilët kanë informacione për të ardhurat e tyre. Forma e dytë për krijimin e klientëve është një marketing agresiv, kompanitë e kanë bërë hapur në media, edhe pse nuk ka leje të posaçme në Shqipëri për ushtrimin e aktivitetit. Operatorët e Stock.com (kompania ka licencë nga AMF) kanë targetuar një grup klientësh, mjekë, juristë dhe ekonomistë ndaj të cilëve bëjnë telefonata të paautorizuara, duke u kërkuar se nëse kanë fonde të lira deri në 2000 euro mund t’i investojë me ndihmën e Stoc në bursa dhe prej tyre mund të marrin fitime të shpejta dhe të larta. Në bisedat e përditshme shumë njerëz pohojnë të jenë shqetësuar nga telefonatat e shpeshta të operatorëve ku u prezantojnë superfitime. Nga burimet brenda kompanive mësohet se shqiptarët janë duke e parë me skepticizëm këtë formë investimi dhe nuk është se janë afruar shumë. Por ata që zgjedhin të investojnë në këtë formë luajnë me shuma të mëdha që i kalojnë të 200 mijë eurot dhe nuk e marrin parasysh rrezikun se humbja peshon njësoj me fitoren.
Pasi ke vendosur të investosh në këtë formë dhe ke ngurtësuar para në bankë për llogari të kompanisë që bën ndërmjetësimin, loja këtu fillon. Kompania ndërmjetësuese të ofron aksionet që mund të blesh, vlera e të cilave është në rritje. Investitori (qytetari që ka vlerat monetare) supozohet që do të zgjedhë një fushë për të cilën ai ka dijeni dhe e njeh mirë. Për më tepër nëse zgjedh të investojë në këtë mënyrë duhet të monitorojë zhvillimin e bursës. Ta zëmë nëse ka investuar në ar, duhet të monitorojë në çdo sekondë çmimin. Por shumë qytetarë pasi kanë pranuar këtë mënyrë investimi, janë befasuar kur janë gjendur para humbjeve të mëdha për detaje të tilla pasi kanë harruar të hapur pozicionin gjatë natës dhe në mëngjes i kanë humbur të gjitha. Ekspertë të tregjeve të kapitaleve me njëfarë ngurrimi për ta denoncuar fenomenin publikisht të këshillojnë të mos investosh në këtë mënyrë. Pasi në Shqipëri, shoqëritë e brokerimit vetëm sa të orientojnë për investimin kundrejt një komisioni, në botën e zhvilluar financiare individët u besojnë brokerave të licencuar investimin dhe mirëmbajtjen e llogarisë kundrejt tarifave të suksesit.

Si funksionojnë kompanitë

FXlider për shumë kohë zhvilloi një fushatë agresive publicitare të të gjitha formave në tregun shqiptar, pavarësisht se, kompania nuk ka leje operimi në Shqipëri as nga Banka e Shqipërisë dhe as nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të ndërmjetësuar investimin e kursimeve të shqiptarëve në bursa. FXlider nga zyrat e Beogradit oferton aktualisht edhe për tregun shqiptar.
“Pavarësisht nëse çmimi shkon lart ose poshtë, duke hapur pozicionin e duhur në tregun Forex, monedha, mallra, CFD, indekse ose aksione, ju mund të fitoni para. Merrni përparësitë e tregut më të madh – të leverage ku investimet tuaja për tregtim kthehen nga 100 euro në 20,000 euro”, bën të ditur FXlider në sitin e saj.
Duke i orientuar investitorët drejt blerjeve të arit, aksioneve të naftës, grurit, pambukut dhe aksionet e Google dhe Apple, nuk sqarohet nëse shanset për humbje janë të njëjta me fitoret. Kujtdo që i rastis të vizitojë këtë faqe, joshja është e madhe. Më tej, kompania vijon në web-in e saj: “Me platformën tonë, investuesit gjejnë mënyrën më të mirë për të tregtuar aksione, monedha dhe mallra. Për shkak të krizës ekonomike globale në vitin 2008, tregtimi në mallra është rritur, çmimi i arit u rrit, vaji është forcuar në fillim të vitit 2009, gruri, pambuku dhe mallra të tjera bujqësore kanë arritur vlerën e tyre maksimale”.
Por pas entuziazmit të fitores ka edhe skepticizëm. Një nga kompanitë më të mëdha të kësaj linje në Shqipëri i numëron vetëm disa dhjetëra klientë. Por ky është një biznes në fillesa, që më tepër është në fazën e edukimit të publikut me tregun e aksioneve se sa për të nxjerrë përfitime. Por duket se themelet e para po vihen por në tokë ranishte. Mungesa e ligjshmërisë me të cilën po lulëzon biznesi i ri i minibursave vetëm sa shton panikun për rikthimin e piramidave në një formë ndryshe.

Institucionet, frikë nga fenomeni

Në Bankën e Shqipërisë dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, dy institucionet gardiane për stabilitetin financiar në vend, sytë janë bërë katër mbi skemat që kanë nisur të përthithin dhunshëm kursimet e shqiptare. Në reagimin zyrtar për “Monitor”, Banka e Shqipërisë pohoi se nuk është përgjegjëse për licencimin dhe rregullimin e këtij tregu dhe as për mbikëqyrjen e tij. Por, përtej reagimit zyrtar, ekspertët e Bankës së Shqipërisë pohuan se po ndjekin me shqetësim evoluimin e skemave në fjalë. Ekspertët e Bankës shpjeguan për “Monitor” se shumica e këtyre skemave nuk janë të licencuara dhe në këto kushte banka nuk mund të ushtrojë kontroll mbi ta në aspektin e cenueshmërisë së stabilitetit financiar në vend. Duket se disa institucione të tjera të tilla si Shërbimi Informativ etj., duhet të njoftojnë strukturat përgjegjëse të shtetit për të ndaluar aktivitetin e tyre. Vetë kompanitë që e ofrojnë këtë shërbim i pohuan “Monitor” se nuk kishin leje specifike për tregun shqiptar, porse ato i ofrojnë produktet e tyre të investimeve në internet në të gjithë botën. Kompania FXlider, në faqen e saj në internet, sqaron se ka një marrëveshje bashkëpunimi për promovimin e shërbimeve tregtare dhe platformat e FORTRADE. FORTRADE Ltd është i autorizuar dhe rregulluar në Mbretërinë e Bashkuar nga FCA (Autoriteti i Sjelljes Financiare) me numër regjistrimi 609970, por shoqëria nuk është e pajisur me leje nga autoritetet shqiptare.

Kuvendi lajmërohet për rrezikun

Duke raportuar për zhvillimet në tregun financiar jobankar për 2014, Enkelejda Shehu, kryetare e AMF, lajmëroi Kuvendin për rreziqet që u kanoseshin qytetarëve nga disa subjekte të palicencuara që operojnë si fonde investimesh. “Rreziqet shtohen, pasi kohët e fundit janë vërejtur përpjekje të subjekteve të palicencuara nga AMF për të ofruar produkte apo shërbime financiare. Kjo dikton nevojën që konsumatori/investitori shqiptar të edukohet që investimet e tij financiare t’i drejtojë vetëm te subjekte financiare të licencuara nga AMF. Një informacion i tillë është lehtësisht i aksesueshëm për këdo në faqen zyrtare të internetit të AMF”, tha Shehu para deputetëve në Kuvend. Por kanë kaluar disa muaj nga kjo deklaratë dhe tregu vijon njësoj.

Ndërkohë tregu i fondeve të investimeve, në lekë dhe në euro, ka vijuar dinamikën e zgjerimit, duke u shndërruar në tregun e dytë më të madh pas tregut bankar, nga pikëpamja e aseteve. Vlera neto e aseteve të tyre arriti në 63.7 miliardë lekë, që përfaqëson 4.6% të PBB-së, nga 3.7% në vitin 2013. Numri i anëtarëve të të dy fondeve është rritur në 32,669 ose rreth 15% më shumë se një vit më parë.

Reagon AMF: Kemi licencuar vetëm dy agjentë brokerash, të tjerët…

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) iu përgjigj interesimit të “Monitor” në lidhje me biznesin e ri të skemave të investimit në Bursë. Në një shpjegim të posaçëm, AMF sqaron se, me vendimin nr. 55, datë30.03.2011 “Për njohjen e veprimtarisë së agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë”, Autoriteti ka njohur veprimtarinë e agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë, që konsiston në: promovimin e veprimtarisë së brokerit; marrjen dhe transmetimin e urdhrave apo udhëzimeve nga klientët/klientët e mundshëm, si dhe ofrimin e këshillave për klientët ose klientët e mundshëm në lidhje me titujt dhe instrumentet financiare.
Sipas Vendimit, agjenti vepron në emër dhe për llogari vetëm të një brokeri të licencuar të letrave me vlerë në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo të një brokeri të licencuar nga Autoritetet e tjera mbikëqyrëse, anëtare të IOSCO-s, nënshkruese të MMOU.

Disa nga bizneset e brokerimit

Platinium Investment Me licencë nga Banka e Shqipërisë
Aksioner Insternational Me licencë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
Stock International Albania Me licencë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
FXLider Forex Shqipëri Pa licencë
Forex Albania Pa licencë
ONASIS Brokers Pa licencë
Easy Trade Consulting Albania Pa licencë
Lirifinanciare.com (HG trading) Palicencë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button