FOKUS – Bashkëpunim OpenAI-NATO për sigurinë kibernetike
IZMIR, 17 nëntor /ATSH-AFP/ – OpenAI ka njoftuar nisjen e bashkëpunimit me NATO-n për ofrimin e teknologjive të inteligjencës artificiale në fushën e mbrojtjes kibernetike dhe hetimit të kërcënimeve digjitale.
Njoftimi u bë gjatë konferencës ”NATO Edge”, një aktivitet i rëndësishëm për teknologjinë dhe sigurinë digjitale, që po zhvillohet në Izmir.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, përmes platformës “Daybreak”, OpenAI do t’i ofrojë Aleancës një sërë zgjidhjesh teknologjike.
Ato përfshijnë analizimin e programeve kompjuterike, hetimin e aktiviteteve të dyshimta, identifikimin dhe verifikimin e dobësive të sistemeve informatike, si dhe zhvillimin dhe testimin e përditësimeve që korrigjojnë këto probleme.
Sipas OpenAI, ”NATO ka përdorur deri në 300 miliardë tokenë në muaj, duke treguar shkallën e konsiderueshme të përdorimit të inteligjencës artificiale”.
Këto teknologji u mundësojnë specialistëve të sigurisë kibernetike të analizojnë më shpejt kërcënimet, të zbulojnë dobësitë dhe të reagojnë përpara se sulmet të shkaktojnë dëme.
Drejtori i Agjencisë së Informacionit dhe Komunikimit të NATO-s, Dylan Browne, e cilësoi inteligjencën artificiale në mbrojtjen kibernetike si një kapërcim të rëndësishëm teknologjik.
Sipas tij, këto sisteme përshpejtojnë zbulimin e dobësive, identifikojnë kërcënimet e reja dhe forcojnë mbrojtjen e infrastrukturës digjitale kritike të vendeve aleate.
OpenAI theksoi se bashkëpunimi do të zhvillohet në përputhje me parimet e NATO-s për përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, duke garantuar sigurinë dhe mbikëqyrjen njerëzore në proceset vendimmarrëse.
Kjo çështje merr rëndësi të veçantë në një kohë kur inteligjenca artificiale po fiton gjithnjë e më shumë rol edhe në operacionet ushtarake.
Kompania që krijoi ChatGPT bashkëpunon gjithashtu me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA), si dhe me agjencitë kombëtare të sigurisë kibernetike në Francë, Gjermani dhe Poloni.
Edhe Ukraina po përdor teknologjitë e saj për të forcuar mbrojtjen kibernetike të infrastrukturës civile. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.