FOKUS – Digjitalizimi dhe IA-ja, rrezikon të thellohet hendeku mes vendeve të Mesdheut
NAPOLI, 16 nëntor /ATSH-ANSA/- Pabarazitë në zhvillimin digjital dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, rrezikojnë të thellojnë më tej dallimet ekonomike dhe teknologjike mes vendeve të rajonit të zgjeruar të Mesdheut.
Kjo çështje do të jetë në qendër të Forumit të Biznesit me temë “Dy shpejtësi, Një rajon: Përballja me hendekun digjital në Mesdhe”, që do të zhvillohet të enjten, më 19 nëntor, në kuadër të edicionit të 12-të të Konferencës Ndërkombëtare “Dialogjet për Mesdheun”, në Napoli.
Aktiviteti organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë dhe Instituti Italian për Studime të Politikës Ndërkombëtare (ISPI), në bashkëpunim me kompaninë “Deloitte”, e cila është partnere e forumit.
Diskutimet do të mbështeten në raportin “Hendeku digjital në Mesdhe: Shpejtësi të ndryshme dhe një agjendë e fragmentuar”, të përgatitur nga “Deloitte Italia” dhe ISPI, me kontributin e “UN Women Italy”.
Raporti paraqet një rajon të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut (MENA) me dallime të mëdha në aksesin në internet, zhvillimin e infrastrukturës teknologjike dhe përgatitjen për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Dallime të mëdha në aksesin në internet
Sipas raportit, përqindja e popullsisë që ka akses në internet ndryshon me 82 pikë përqindjeje mes vendeve të rajonit.
Në Jemen vetëm 18% e popullsisë është e lidhur me internetin, ndërsa në disa vende të Gjirit Persik kjo përqindje arrin në 100%.
Këto shifra tregojnë se, ndërsa disa shtete kanë arritur mbulim pothuajse të plotë të popullsisë me internet, vende të tjera vijojnë të përballen me mungesë të infrastrukturës bazë dhe vështirësi në aksesin në shërbimet digjitale.
Dallime të ngjashme evidentohen edhe në përgatitjen për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Sipas indeksit të përgatitjes për inteligjencën artificiale, Emiratet e Bashkuara Arabe regjistrojnë një rezultat prej 0,63, pranë mesatares prej 0,68 të ekonomive të zhvilluara, ndërsa Iraku shënon vetëm 0,27.
Ky indeks mat aftësinë e një vendi për të përvetësuar dhe përdorur inteligjencën artificiale, duke marrë parasysh infrastrukturën teknologjike, burimet njerëzore, politikat publike dhe kapacitetet institucionale.
Më pak investime në internetin me shpejtësi të lartë
Raporti evidenton gjithashtu një prapambetje të konsiderueshme, në zhvillimin e internetit fiks me shpejtësi të lartë në vendet e rajonit, nëse përjashtohen shtetet e Gjirit Persik.
Në këto vende numërohen më pak se tetë abonime për internet fiks me shpejtësi të lartë për çdo 100 banorë, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian është 37 abonime për 100 banorë.
Interneti me shpejtësi të lartë mundëson lidhje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme, të nevojshme për shërbimet digjitale, aktivitetet e biznesit, arsimin online dhe përdorimin e teknologjive të avancuara.
Një tjetër pengesë është kostoja e shërbimeve. Sipas raportit, shpenzimet për aksesin në internet përbëjnë mesatarisht 2,8% të të ardhurave të popullsisë, duke e bërë lidhjen dgjitale më të vështirë për familjet me të ardhura të ulëta.
Vendet e Gjirit përqendrojnë pjesën më të madhe të investimeve në inteligjencën artificiale
Pabarazitë shfaqen edhe në shpërndarjen e investimeve teknologjike, të cilat janë përqendruar kryesisht në vendet e Gjirit Persik.
Sipas raportit, deri në vitin 2028 kapaciteti i qendrave të të dhënave në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari pritet të arrijë në 2,036 megavat.
Qendrat e të dhënave janë struktura të mëdha që përmbajnë serverë dhe pajisje informatike, ku ruhen, përpunohen dhe menaxhohen sasi të mëdha informacioni. Ato janë thelbësore për funksionimin e shërbimeve online, platformave digjitale dhe sistemeve të inteligjencës artificiale.
Ndërkohë, që nga viti 2021, investimet e kapitalit sipërmarrës në kompanitë dhe projektet që lidhen me inteligjencën artificiale në rajon, kanë arritur në 1,6 miliardë dollarë.
Kapitali sipërmarrës është financim që investitorët u ofrojnë kompanive të reja dhe bizneseve me potencial të lartë zhvillimi, veçanërisht në sektorin e teknologjisë.
Hendeku digjital mes burrave dhe grave, si dhe mes qyteteve dhe zonave rurale
Raporti evidenton gjithashtu pabarazi të rëndësishme brenda vetë vendeve të rajonit. Sipas të dhënave, 75% e burrave përdorin internetin, kundrejt 64% të grave.
Dallime të mëdha shfaqen edhe mes zonave urbane dhe atyre rurale. Në qytete, 83% e popullsisë përdor internetin, ndërsa në zonat rurale kjo përqindje zbret në 50%.
Situata është edhe më problematike përsa i përket mbulimit me rrjetin 5G. Në zonat rurale, ky rrjet mbulon vetëm 1%, sipas të dhënave të raportit.
Rrjeti 5G është gjenerata e pestë e teknologjisë së komunikimit celular dhe mundëson lidhje më të shpejtë, vonesa më të ulëta në transmetimin e të dhënave dhe mbështetje për një numër më të madh pajisjesh të lidhura njëkohësisht.
“Deloitte”: Teknologjia duhet të shoqërohet me investime dhe aftësi profesionale
Duke komentuar gjetjet e raportit, drejtori ekzekutiv i “Deloitte Central Mediterranean”, Fabio Pompei, thekson se teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale, mund të shndërrohen në faktorë zhvillimi vetëm nëse infrastruktura, investimet dhe aftësitë profesionale zhvillohen paralelisht.
Sipas tij, nuk mjafton vetëm ndërtimi i rrjeteve dhe instalimi i teknologjive të reja. Nevojiten gjithashtu investime dhe përgatitje e burimeve njerëzore, në mënyrë që përfitimet e digjitalizimit të shpërndahen në të gjithë shoqërinë dhe të mos përqendrohen vetëm në vendet apo grupet më të zhvilluara. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.