FOKUS – Kina: SHBA-ja dhe Irani të rikthehen në Memorandumin e Islamabadit dhe të rifillojnë dialogun
PEKIN, 30 shtator /ATSH – DPA/ – Kina u bëri thirrje sot SHBA-së dhe Iranit që të kthehen në kuadrin e memorandumit të mirëkuptimit (MoU) të Islamabadit dhe të rifillojnë dialogun.
Duke përsëritur mbështetjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes mjeteve politike dhe diplomatike, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun tha se Pekini shpreson që Irani dhe SHBA-ja “do të zgjedhin paqen, do të riangazhohen ndaj memorandumit të mirëkuptimit të Islamabadit dhe do të rifillojnë dialogun dhe negociatat sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Që nga dita e parë e konfliktit, Kina ka bërë përpjekje aktive për të promovuar përfundimin e luftimeve dhe bisedimet për paqe”, tha ai duke shtuar se Pekini do të mbështesë një sërë iniciativash dhe propozimesh të paraqitura nga presidenti kinez Xi Jinping për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
“Kina do të vazhdojë të punojë për rivendosjen e paqes dhe qetësisë në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Gjirit në një kohë sa më parë”, shtoi ai.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftë kundër Iranit më 28 shkurt. Teherani u përgjigj me sulme me raketa dhe dronë në të gjithë rajonin dhe në mënyrë efektive mbylli Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike për furnizimet me energji. Pentagoni vendosi bllokadën e vet ushtarake të porteve iraniane.
Përpjekjet për t’i dhënë fund luftës kanë vazhduar që nga një Memorandum Mirëkuptimi i Islamabadit më 18 qershor që synonte arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje mbi lundrimin në rrugën ujore strategjike, si dhe programin bërthamor të Iranit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.