FOKUS – Nafta rritet ndjeshëm pasi Trump shpall fundin e marrëveshjes me Iranin
LONDËR/NJU JORK, 8 korrik /ATSH/- Çmimi i naftës u rrit ndjeshëm, ndërsa tregjet financiare regjistruan sot një rënie, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se memorandumi i mirëkuptimit, i cili shërbente si bazë për armëpushimin me Iranin, nuk është më në fuqi, pas sulmeve që shkëmbyen gjatë natës SHBA-ja dhe Irani, raportoi “Reuters”.
Pas deklaratës së Trump në samitin e NATO-s në Ankara, çmimi i naftës u rrit me rreth 5%, duke arritur në 78 dollarë për fuçi.
Në të njëjtën kohë, ranë bursat evropiane dhe amerikane, ndërsa dollari u forcua.
Çfarë thonë ekspertët?
Bruce Zaro, drejtues në “Granite Wealth Management”, tha se deri tani çmimet e naftës kishin qenë në rënie, pasi vendet e OPEC-ut kishin rritur prodhimin dhe furnizimin me naftë.
Ai shtoi se tregjet reaguan më qetë ndaj përfundimit të armëpushimit, sesa do të kishin reaguar disa javë më parë.
Angelo Kourkafas, strateg në “Edward Jones”, tha se rritja e çmimit të naftës dhe e kostos së huamarrjes, kishte ndikuar negativisht në tregje gjatë gjysmës së parë të vitit, por ekonomia ka treguar se mund t’i përballojë këto goditje.
Sipas tij, tensionet e reja mund të krijojnë pasiguri afatshkurtër, por investitorët nuk pritet të reagojnë me panik, sepse:
- SHBA-ja dhe Irani nuk duken të gatshëm për një luftë të gjatë.
- Do të duhej një rritje shumë më e madhe dhe e qëndrueshme e çmimit të naftës që të dëmtonte seriozisht ekonominë.
- Furnizimi me naftë po përmirësohet gradualisht, duke ndihmuar në stabilizimin e tregut të energjisë.
Ian Lyngen, strateg në “BMO Capital Markets”, tha se nëse çmimi i naftës vazhdon të rritet gjatë korrikut, kjo mund të nxisë inflacionin dhe të ndikojë në vendimet e ardhshme, të bankës qendrore amerikane për normat e interesit.
Hamad Hussain, ekonomist në “Capital Economics”, tha se sulmet e fundit në Lindjen e Mesme tregojnë se çmimi i naftës do të vazhdojë të luhatet në muajt e ardhshëm.
Megjithatë, nëse armëpushimi rikthehet dhe eksportet e naftës normalizohen, ai pret që çmimi i naftës “Brent” të mbetet pranë niveleve aktuale deri në fund të vitit.
Fiona Cincotta, analiste në “City Index”, tha se procesi i paqes ka qenë gjithmonë i brishtë.
Sipas saj, tregjet kishin reaguar sikur kriza kishte përfunduar, ndërsa tani ekziston rreziku që çmimi i naftës të rritet edhe më shumë, veçanërisht nëse Ngushtica e Hormuzit bllokohet sërish.
Aneeka Gupta, drejtoreshë e kërkimeve makroekonomike në “WisdomTree”, tha se tregjet prisnin që pas marrëveshjes me Iranin, të shtohej sasia e naftës në treg, duke ulur presionin mbi inflacionin.
Sipas saj, ndryshimi më i madh tani është se SHBA-ja ka hequr lehtësitë, që i lejonin Iranit të eksportonte një pjesë të naftës, duke e bërë situatën më të pasigurt dhe duke shtuar presionin mbi çmimet.
Arne Petimezas, nga “AFS Group”, tha se tregjet ende nuk kanë arritur nivele alarmante dhe se Trump shpesh ndryshon qëndrim shpejt.
Sipas tij, nuk është e sigurt që tensionet do të përshkallëzohen në një luftë të gjatë.
Chris Beauchamp, strateg në IG, tha se tregjet nuk e prisnin këtë zhvillim dhe për këtë arsye reaguan negativisht.
Megjithatë, ai beson se pas disa përplasjeve të tjera, palët mund t’i rikthehen negociatave.
Khoon Goh, nga “ANZ Bank”, tha se faktori më i rëndësishëm mbetet nëse Ngushtica e Hormuzit do të vazhdojë të mbetet e hapur.
Nëse anijet që transportojnë naftë vazhdojnë të kalojnë normalisht, rritja e çmimit të naftës pritet të jetë e kufizuar.
Lee Hardman, analist në MUFG, tha se ky është përshkallëzimi më serioz i tensioneve që nga arritja e marrëveshjes.
Sipas tij, rritja e çmimit të naftës po forcon edhe dollarin amerikan, pasi investitorët presin që inflacioni më i lartë, mund të çojë në rritje të normave të interesit në SHBA. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.