KOMENT – Opozita izraelite kërkon aleatë për të formuar qeverinë e re
TEL AVIV, 30 tetor /ATSH-DPA/ – Politikanë të opozitës janë takuar pas zgjedhjeve parlamentare për të shqyrtuar mundësitë e formimit të një koalicioni qeverisës.
Yair Golan, kryetar i partisë së majtë-liberale ”Demokratët”, bëri të ditur se ishte takuar me Gadi Eisenkot, rivalin kryesor të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Në lojë është shpëtimi i Izraelit”, shkroi ai në platformën X pas takimit.
Sipas deklarimeve të tij, Golan është takuar gjithashtu me Mansur Abbas, kreun e partisë arabe ”Ra’am”, e konsideruar si pragmatike, si dhe me ish-kreun e opozitës, Yair Lapid.
Golan tha se dëshiron të provojë çdo mundësi dhe të bashkëpunojë me të gjithë partnerët e mundshëm.
Së fundmi, ai ka bërë thirrje edhe për krijimin e një koalicioni me partitë arabe, të cilat shënuan rezultate të mira në zgjedhje.
Megjithatë, partitë e tjera opozitare deri më tani e kanë kundërshtuar këtë ide.
Pritet një proces i vështirë për formimin e qeverisë
Pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave, as koalicioni qeverisës i Netanyahut dhe as blloku opozitar i Eisenkot nuk arritën të siguronin shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare.
Koalicioni në largim, i përbërë nga parti të djathta, të ekstremit të djathtë dhe fetare, ka siguruar 53 vende në parlament, krahasuar me 64 që kishte në vitin 2022.
Këtë e bëri të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Izrael, mbrëmë në mesnatë, pas përfundimit të numërimit. Për të siguruar shumicën parlamentare nevojiten të paktën 61 vende.
Partia konservatore e djathtë ”Likud” e Netanyahut ka humbur pesë mandate, por me 27 vende mbetet forca më e madhe politike në parlamentin izraelit, Knesset.
Sipas rezultateve paraprake, forca e dytë politike në zgjedhje është partia centriste ”Yashar”, e krijuar së fundmi nga Eisenkot, e cila ka siguruar 21 vende. Aleanca opozitare thuhet se ka fituar gjithsej 48 mandate.
Aleatët e Netanyahut mund të mbështesin Eisenkotin
Duke cituar një zyrtar të lartë të aleancës ultraortodokse ”Judaizmi i Bashkuar i Torës”, portali informativ ynet raportoi se kjo aleancë po shqyrton mundësinë për të ofruar mbështetjen e saj për Eisenkotin në formimin e qeverisë.
Kushti për këtë mbështetje është miratimi i një ligji që përjashton burrat ultraortodoksë nga shërbimi ushtarak.
Hebrenjtë ultraortodoksë e konsiderojnë shërbimin ushtarak në kundërshtim me bindjet e tyre fetare, ndër të tjera edhe për shkak se në ushtri shërbejnë së bashku burrat dhe gratë.
Megjithatë, Eisenkot ka deklaruar se synon të formojë një qeveri që do të vendosë edhe përfshirjen e burrave ultraortodoksë në shërbimin ushtarak.
”Judaizmi i Bashkuar i Torës” tradicionalisht i përket kampit politik të Netanyahut.
Ndërkohë, televizioni “N12”, duke cituar burime brenda kësaj aleance, raportoi se ajo dëshiron të mbështesë një qeveri të drejtuar nga ish-shefi i ushtrisë Eisenkot vetëm nga jashtë, për shembull duke mos votuar kundër saj.
Sipas këtij raportimi, nuk bëhet fjalë për pjesëmarrje në një koalicion të përbashkët qeverisës. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.