FOKUS – Paketa për zgjerimin e BE-së, integrim gradual i vendeve kandidate dhe pezullim i të drejtës së votës në Këshill
– Komisioni Evropian ka miratuar një paketë mbi rishikimin e politikave të BE-së në kuadër të përgatitjeve për zgjerimin, duke përcaktuar orientimet politike dhe masat që nevojiten për të përgatitur Bashkimin Evropian për anëtarësimet e ardhshme.
Siç ishte njoftuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit në vitin 2023 dhe në përputhje me mandatin e Këshillit Evropian, masat e propozuara sot synojnë përgatitjen e qeverisjes, politikave dhe buxhetit të Unionit për zgjerimin, duke forcuar njëkohësisht mbrojtjen e vlerave të BE-së dhe shtetit të së drejtës.
“E ardhmja e Evropës varet nga zgjedhjet që bëjmë sot. Zgjerimi i Unionit tonë është një domosdoshmëri gjeopolitike. Sot po hedhim themelet për të garantuar që një Bashkim më i madh të jetë edhe më i fortë: më rezistent, më efikas dhe i mbështetur fort në vlerat dhe rregullat që na përcaktojnë. Ndërsa vendet kandidate për anëtarësim vijojnë rrugën e reformave, BE-ja duhet të jetë e gatshme t’i mirëpresë ato. Kjo nënkupton përgatitjen e institucioneve tona, përshtatjen e politikave me realitetet e reja dhe garantimin që buxheti ynë të pasqyrojë ambiciet e përbashkëta”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në paketën e sotme, Komisioni paraqet një vlerësim të thelluar të politikave të BE-së në funksion të zgjerimeve të ardhshme. Dokumenti përcakton mënyrën se si kuadri ekzistues i Traktateve dhe traktatet e ardhshme të anëtarësimit mund të përdoren për të përgatitur Unionin për një numër më të madh anëtarësh.
Gjithashtu, Komisioni propozon një sërë mekanizmash mbrojtës për traktatet e ardhshme të anëtarësimit, përfshirë masa më të forta mbrojtëse në sektorë të veçantë dhe një klauzolë të re institucionale, me qëllim garantimin që angazhimet e ndërmarra gjatë negociatave të anëtarësimit të vijojnë të përmbushen në mënyrë të qëndrueshme edhe pas anëtarësimit.
Paketa forcon gjithashtu procesin e integrimit gradual, duke e bërë atë më koherent, më të strukturuar dhe më të parashikueshëm. Ky proces i përmirësuar do të mbështesë më tej vendet kandidate në përgatitjen për anëtarësim, përmes pjesëmarrjes më të hershme në disa politika të përzgjedhura të Unionit, me kusht që të përmbushen kriteret përkatëse.
Kjo do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve administrative, forcimin e përgatitjeve për anëtarësim dhe sjelljen e përfitimeve konkrete për qytetarët dhe bizneset, si në vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe në vendet kandidate, përpara anëtarësimit të tyre.
Pjesëmarrja do të vijojë të bazohet në meritë, do të jetë e kushtëzuar dhe e kthyeshme, si dhe do të varet nga gatishmëria për zbatimin e politikave dhe përafrimi strategjik.
Paketa e sotme do të shërbejë si bazë për diskutimet strategjike mes vendeve anëtare mbi zgjerimin dhe reformat, përfshirë edhe në Këshillin Evropian në muajin tetor. Ajo do të orientojë gjithashtu punën me Parlamentin Evropian dhe Këshillin për përshtatjet institucionale dhe operacionale të nevojshme për anëtarësimet e ardhshme.
Përshtatja e politikave për një Bashkim më të gjerë
Rishikimet e politikave të paraqitura sot tregojnë se Unioni mund të përballojë një numër më të madh anëtarësh brenda kuadrit ekzistues të Traktateve dhe traktateve të anëtarësimit.
Në të gjitha fushat e politikave, kapacitetet administrative dhe zbatimi i tyre përbëjnë kërkesat më të shpeshta, si brenda BE-së, ashtu edhe në vendet që synojnë anëtarësimin.
Aftësitë profesionale, kapacitetet rregullatore dhe mbikëqyrëse, sistemet e ndërveprueshme dhe bashkëpunimi ndërmjet administratave duhet të forcohen përpara anëtarësimit.
Sa i përket rregullimeve buxhetore, rishikimet e politikave nënvizojnë se buxheti i Unionit mund të përballojë anëtarë të rinj, duke vijuar njëkohësisht financimin e prioriteteve ekzistuese.
Sipas propozimit për Kuadrin Financiar Shumëvjeçar të ardhshëm për periudhën 2028-2034, vendet kandidate do të financohen përmes instrumentit “Global Europe” përpara anëtarësimit. Me anëtarësimin, ky financim do të kalojë në planet kombëtare dhe rajonale të partneritetit të shtetit të ri anëtar, me fonde shtesë për kohezionin, bujqësinë, çështjet e brendshme dhe programin Interreg.
Për Ukrainën, duke marrë parasysh përmasat, strukturën dhe produktivitetin shumë të lartë të sektorit të saj bujqësor, duhet të vendosen mekanizma të posaçëm që do të kufizojnë ndjeshëm mbështetjen financiare dhe aksesin në treg për produktet bujqësore të ndjeshme, duke ndihmuar njëkohësisht Ukrainën të rifitojë aksesin në tregjet tradicionale të eksportit jashtë BE-së.
Forcimi i qeverisjes për një Union më të madh
Në mjedisin aktual gjeopolitik, BE-ja duhet të përshtatë mënyrën e funksionimit të institucioneve të saj, me qëllim marrjen e vendimeve më të shpejta dhe më efikase.
Duke shfrytëzuar maksimalisht mundësitë që ofrojnë Traktatet, Unioni mund të forcojë aftësinë e tij për të vepruar, të përgatitet për anëtarët e ardhshëm dhe të jetë më i gatshëm për sfidat e së ardhmes.
Në këtë drejtim, Komisioni do të vijojë të mbështesë përdorimin e klauzolave “passerelle”, të cilat mundësojnë kalimin nga vendimmarrja me unanimitet në votimin me shumicë të cilësuar në fusha kyçe, si sanksionet, lufta kundër mashtrimit fiskal dhe masat fiskale në politikën energjetike.
Gjithashtu, Komisioni do të rishikojë propozimet ende në shqyrtim për të identifikuar rastet kur bashkëpunimi i zgjeruar mund të ndihmojë në kapërcimin e bllokimeve të vazhdueshme.
Në fushën e zgjerimit, Komisioni propozon përdorimin e votimit me shumicë të cilësuar për hapjen e grupkapitujve negociues dhe vendime të tjera ndërmjetëse në negociatat e anëtarësimit, duke e bërë procesin më dinamik.
Komisioni propozon gjithashtu të shqyrtojë, në bashkëpunim me Parlamentin Evropian dhe Këshillin, mënyra më efikase për trajtimin e procedurave sipas nenit 7, përfshirë përcaktimin e afateve kohore të mundshme.
Raportet vjetore për Zgjerimin dhe Shtetin e së Drejtës do të vijojnë të shërbejnë si instrumentet kryesore të monitorimit, ndërsa raporti për Shtetin e së Drejtës do të shtrihet edhe në vendet e tjera kandidate, në momentin që ato të jenë të përgatitura për këtë proces.
Integrimi gradual i vendeve kandidate në BE
Një integrim më i afërt duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset si në BE, ashtu edhe në vendet kandidate.
Komisioni do të evidentojë instrumentet ekzistuese të integrimit gradual dhe do të identifikojë mundësitë për thellimin e integrimit në sektorë strategjikë, si energjia, transporti, dixhitalizimi dhe mbrojtja.
Ky proces do të plotësojë dhe forcojë procesin e anëtarësimit, do të rrisë kapacitetet administrative dhe besimin e ndërsjellë, duke mbetur njëkohësisht i kushtëzuar dhe i kthyeshëm.
Komisioni do të nisë dialogë vjetorë me partnerët e zgjerimit për të ndjekur progresin, për të identifikuar mundësitë dhe për të trajtuar mangësitë në procesin e integrimit gradual.
Garancitë sektoriale dhe institucionale
Siç ishte njoftuar në Komunikatën e vitit 2025 mbi politikën e zgjerimit të BE-së, traktatet e ardhshme të anëtarësimit duhet të përfshijnë mekanizma më të fortë mbrojtës kundër regresit serioz në përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra gjatë negociatave të anëtarësimit.
Sot, Komisioni propozon një kuadër të përbashkët për këto garanci.
Traktatet e ardhshme të anëtarësimit do të forcojnë mekanizmat ekzistues mbrojtës sektorialë dhe do të prezantojnë një mekanizëm të ri institucional.
Në veçanti, periudha gjatë së cilës mund të aktivizohen masat mbrojtëse në fusha të tilla si ekonomia, tregu i brendshëm, drejtësia dhe çështjet e brendshme, do të zgjatet ndjeshëm edhe pas anëtarësimit.
Një mekanizëm i posaçëm institucional do të trajtojë shkeljet e rënda të vlerave të përcaktuara në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian dhe të parimit të bashkëpunimit të sinqertë.
Në rastet më të rënda, masat mund të përfshijnë pezullimin e të drejtës së votës në Këshill.
Gjithashtu, kur të jetë e nevojshme, mund të përdoren edhe masa kalimtare, përfshirë ato që lidhen me lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe shërbimeve, bujqësinë, produktet e ndjeshme, financimin dhe pjesëmarrjen në sistemet e përbashkëta.
Për një periudhë të kufizuar, një shtet i ri anëtar mund të angazhohet gjithashtu që të mos bllokojë zgjerimet e ardhshme për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Hapat e ardhshëm
Komisioni u bën thirrje Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian të avancojnë diskutimet, përgatitjet institucionale dhe masat politike të nevojshme.
Në kuadër të paketës së zgjerimit për vitin 2026, Komisioni do të paraqesë udhërrëfyes orientues për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, me kusht që këto vende të ruajnë ritmin e reformave.
Ai do të paraqesë gjithashtu një qasje koherente për integrimin gradual, duke përfshirë evidentimin e fushave strategjike ku ky proces mund të thellohet.
Komisioni do të punojë gjithashtu me vendet anëtare dhe vendet kandidate për të harmonizuar negociatat e anëtarësimit me përgatitjet e brendshme të Bashkimit Evropian.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.