FOKUS – Papa Leone XIV: Në Lampeduza gjestet flasin më shumë se fjalët
LAMPEDUZA, 4 korrik /ATSH-AFP-ANSA/ – Ndërsa Evropa po shtrëngon politikën e saj të imigracionit, papa Leone XIV mbërriti sot në ishullin e vogël italian të Lampeduzës, i cili është bërë simbol i tragjedisë së emigrantëve që vdesin gjatë kalimit të rrezikshëm të Mesdheut.
Me mbërritjen në orën 09:00, papa e filloi vizitën e tij me një moment reflektimi në varrezat që përmbanin varre të emigrantëve të paidentifikuar.
Pasi vendosi një kurorë, ai shkoi në “Portën e Evropës”, një monument kushtuar viktimave, ku qëndroi i vetëm mbi një shkëmb përballë detit, me rrobën e tij që valëvitej në erën e fortë.
“Nuk kam ardhur për të mbajtur fjalime, por për të kremtuar Eukaristinë, shenjën supreme të pranisë së Krishtit midis nesh. Gjesti i Jezusit i thyerjes së bukës për t’u dhuruar u jep kuptim dhe forcë akteve tona të përditshme të ndihmës dhe ndarjes. Po, ky është një vend ku gjestet flasin më shumë se fjalët. Por, gjestet, për të qenë njerëzorë, kërkojnë një zemër”, tha papa.
”Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur këtu, për të marrë nga Krishti dashurinë që vetëm Ai mund të na japë, në mënyrë që bota e sotme dhe e nesërme të jetë më njerëzore, për të gjithë”, theksoi ai.
“Falënderoj kryetarin e bashkisë për përshëndetjen e tij në emër të bashkisë së Lampeduzës dhe Linozës, dhe ju falënderoj të gjithëve për mikpritjen tuaj!”, shtoi ai.
“Fakti që zgjodhët ta emërtoni skelën ‘Favaloro’ me emrin e papa Françeskut është një shenjë e lidhjes që paraardhësi im krijoi me komunitetin tuaj dhe me vëllezërit dhe motrat tona migrante. Papa ka qenë pranë jush gjatë kësaj kohe shumë sfiduese. Dhe sot jam këtu për t’ju thënë se papa vazhdon t’ju shoqërojë, t’ju mbështet dhe t’ju inkurajojë”, tha ai./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.