FOKUS – “Ryanair” dhe “easyJet” anulojnë mijëra fluturime
– Rritja e ndjeshme e çmimeve të karburantit për avionët po detyron kompanitë ajrore me kosto të ulët “Ryanair” dhe “easyJet” të anulojnë mijëra fluturime gjatë sezonit dimëror, sipas “The Telegraph”.
Si pasojë, dhjetëra mijëra pasagjerë që kanë rezervuar bileta javë ose muaj më parë po njoftohen se udhëtimet e tyre nuk do të kryhen sipas planifikimit.
Shkurtimet pritet të prekin edhe fluturime që janë shitur pjesërisht, duke krijuar pasiguri për udhëtarët që kanë organizuar paraprakisht pushimet ose udhëtimet e tyre të punës.
Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), çmimi i karburantit të aviacionit në Evropë ka arritur në 196 dollarë për fuçi, pothuajse dyfishin e nivelit të regjistruar në fillim të vitit, kur ishte nën 100 dollarë.
Drejtuesit e kompanive ajrore kanë siguruar paraprakisht një pjesë të nevojave për karburant me çmime fikse, por një pjesë tjetër e furnizimit mbetet e ekspozuar ndaj kostove aktuale të tregut.
Drejtori ekzekutiv i ”Ryanair”, Michael O’Leary, ka paralajmëruar se çmimet e larta mund të vazhdojnë deri në vitin 2028.
Përballë shtrenjtimit të karburantit dhe kërkesës më të dobët gjatë dimrit, kompanitë po zgjedhin të mbajnë disa avionë në tokë, në vend që të kryejnë fluturime që mund të rezultojnë me humbje.
Drejtori ekzekutiv i “easyJet”, Kenton Jarvis, ka njoftuar heqjen e 700 mijë vendeve të tjera nga orari dimëror, përveç një numri të ngjashëm të njoftuar më herët. Kjo do të thotë se numri i vendeve të disponueshme për udhëtarët do të reduktohet ndjeshëm, ndërsa edhe kompani të tjera ajrore mund të ndjekin të njëjtën strategji.
Sipas rregullave evropiane dhe britanike për të drejtat e pasagjerëve, kur një fluturim anulohet, udhëtarët kanë të drejtë të zgjedhin ndërmjet rimbursimit të plotë të biletës, përfshirë edhe segmentin e kthimit kur është rezervuar bashkë me vajtjen, ose një udhëtimi alternativ drejt destinacionit.
Rimbursimi duhet të kryhet brenda shtatë ditësh. Megjithatë, pranimi i rimbursimit nënkupton heqjen dorë nga e drejta për t’u transportuar me një fluturim alternativ në kuadër të së njëjtës rezervim. Për këtë arsye, pasagjerët që dëshirojnë të udhëtojnë sa më afër datës fillestare duhet të shqyrtojnë me kujdes alternativat përpara se të pranojnë kthimin e parave.
Pasagjerët nuk janë domosdoshmërisht të detyruar të pranojnë një fluturim të propozuar për një ditë tjetër, nëse ekziston një alternativë e përshtatshme me një kompani tjetër./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.