Për Serbinë nuk do të ketë një udhërrëfyes orientues në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian do të publikojë në fund të tetorit udhërrëfyesit për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, si vendet që kanë shënuar përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit.
Kjo konfirmon edhe zyrtarisht se Serbia e ka humbur pozitën që dikur e kishte si një nga vendet prijëse në procesin e integrimit evropian.
“Serbia do të duhet të përmbushë më shumë kushte. Pas zgjedhjeve, do të shohim se sa serioze është Qeveria e saj, nëse vetëm do të flasë për dëshirën për t’u bërë anëtare e BE-së, apo edhe do të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim”, tha komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Duke folur para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian më 7 tetor, Kos theksoi se kjo vlen veçanërisht për përafrimin strategjik dhe harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Për Strahinja Subotiqin, nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane me seli në Beograd, fakti që Serbia nuk do të marrë një udhërrëfyes përbën një paralajmërim serioz dhe dëshmi se ky vend po stagnon në procesin e integrimit evropian.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se stagnimi nuk pasqyrohet më vetëm në faktin që Serbia, prej vitesh, nuk ka hapur asnjë grupkapitull në negociatat e anëtarësimit dhe nuk ka mundësi të përfitojë nga fondet në kuadër të Planit të Rritjes.
“Tani, në thelb, po na dërgohet mesazhi se mund të humbasim edhe përfitime të shumta që lidhen me anëtarësimin gradual në BE”, thotë ai.
Komisioni Evropian paralajmëron rishikimin e negociatave me Serbinë, pas glorifikimit të Mlladiqit
Udhërrëfyesit do të jenë pjesë e paketës së zgjerimit, të cilën Komisioni Evropian planifikon ta miratojë më 28 tetor.
Serbia nuk ka hapur asnjë grupkapitull në negociatat e anëtarësimit në BE që nga dhjetori i vitit 2021.
Pa reforma nuk ka përparim
Komisionarja evropiane, Marta Kos, prezantoi këtë javë propozimin e ri të Komisionit Evropian për rregullat që do të vlejnë për anëtaret e ardhshme të Bashkimit Evropian.
Duke shpjeguar pse vetëm katër vende do të marrin udhërrëfyes, Kos tha se ata kanë kuptim vetëm për shtetet që bëjnë përparim të mirëfilltë në procesin e anëtarësimit.
“Do ta krahasoja me një makinë. Nëse makina nuk funksionon, nuk ka kuptim ta shtyjmë nga pas kur motori nuk punon. Dhe motori mund të punojë vetëm nëse ka karburant, ndërsa karburante janë reformat brenda vendit”, tha ajo, shkruan REL.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.