FOKUS – SHBA kritikon Ukrainën për sulmet në thellësi të territorit rus
UASHINGTON, 17 nëntor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar ashpër strategjinë e ushtrisë ukrainase për sulmet ndaj objektivave në thellësi të territorit rus, pas goditjes së fundit ndaj urës së Krimesë.
Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikat, Elbridge Colby, deklaroi se sulme të tilla nuk kanë ndihmuar në përfundimin e luftës dhe as në ndalimin e përparimit të forcave ruse në front.
Duke folur sot në një takim të aleatëve të Ukrainës në selinë e NATO-s në Bruksel, Colby tha se sulmet me rreze të gjatë, të cilat synojnë të shkaktojnë dëme në territorin rus, nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.
Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt urën e Krimesë, por diplomatët besojnë se deklaratat e tij lidhen me këtë sulm.
Sipas zyrtarit amerikan, goditje të tilla mund të forcojnë vendosmërinë e popullsisë ruse dhe të shtojnë gatishmërinë e Kremlinit për të përshkallëzuar konfliktin.
Ai veçoi veçanërisht sulmet ndaj infrastrukturës civile, duke përmendur edhe kompaninë e tregtisë online “Wildberries”, si dhe paralajmëroi se Rusia ka kapacitete për kundërpërgjigje të thella në territorin ukrainas.
Colby u bëri thirrje në mënyrë indirekte aleatëve evropianë që mbështetja për Ukrainën të përqendrohet te mbrojtja e vijës së frontit dhe rimarrja e territoreve, kur kjo është e mundur.
Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk do të thotë që Ukraina duhet të luftojë me duart e lidhura pas shpine, duke lënë të hapur mundësinë e goditjes së objektivave ushtarake ruse që pengojnë përparimin e Moskës.
Qëndrimi amerikan ndryshon nga deklaratat e disa zyrtarëve evropianë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi të ligjshme të drejtën e Ukrainës për t’u mbrojtur, duke përfshirë edhe goditjen e qendrave logjistike.
Ndërsa ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, e përshkroi sulmin si një tjetër shembull të zgjuarsisë dhe vendosmërisë ukrainase për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
Ura e Krimesë, e njohur edhe si Ura e Kerçit, është rreth 19 kilometra e gjatë dhe lidh territorin rus me gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.
Ajo shërben si një korridor i rëndësishëm furnizimi për forcat ruse në Ukrainën jugore.
Sipas pamjeve të publikuara nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, sulmi i fundit shkaktoi shembjen e harkut kryesor të urës rrugore dhe të një pjese të saj, ndërsa një goditje e mëparshme kishte ndërprerë përkohësisht qarkullimin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.