FOKUS – SHBA miraton robotin e parë për marrjen e mostrave të gjakut
UASHINGTON, 22 gusht /ATSH-ANSA/ – Autoritetet amerikane kanë miratuar robotin e parë të projektuar për marrjen e mostrave të gjakut në qendra mjekësore dhe ambulanca, një teknologji që synon të përshpejtojë një nga procedurat më të zakonshme mjekësore.
Sistemi, i quajtur Aletta, përdor teknologji me rreze infra të kuqe dhe ultratinguj për të lokalizuar venën e pacientit, edhe në rastet kur ajo është e vështirë të identifikohet me sy të lirë.
Pas identifikimit të venës, pajisja automatizon disa hapa të procedurës, duke përfshirë vendosjen e manshetës, futjen e gjilpërës, marrjen e mostrës së gjakut, vendosjen e leukoplastit dhe menaxhimin e mbetjeve.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dha autorizimin pas shqyrtimit të të dhënave klinike mbi performancën e pajisjes.
Sipas agjencisë, teknologjia mund të ndihmojë në reduktimin e vonesave të shkaktuara nga mungesa e personelit të kualifikuar për marrjen e mostrave të gjakut.
Megjithatë, roboti nuk funksionon në mënyrë plotësisht të pavarur.
Një infermier ose profesionist tjetër shëndetësor duhet të nisë procedurën dhe të mbikëqyrë procesin.
Teknologjia, sipas informacionit të publikuar, mund t’i mundësojë një profesionisti të kontrollojë deri në tre pajisje njëkohësisht.
Miratimi vjen në një kohë kur sistemi shëndetësor amerikan përballet me mungesë të personelit dhe rritje të kërkesës për shërbime mjekësore.
Ende nuk është bërë e ditur se kur roboti Aletta do të nisë të përdoret gjerësisht në klinikat dhe qendrat mjekësore në SHBA./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.