FOKUS – Spanja kërkon solidaritet nga BE-ja për Ceuta-n, kritikon masat kufitare të Italisë
MADRID, 3 gusht /ATSH -AA/ Spanja do t’u kërkojë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të tregojnë solidaritet për krizën e emigrantëve në Ceuta gjatë takimit të ministrave të Brendshëm të martën ndërsa kritikoi Italinë për masat kufitare të vendosura pas mbërritjeve masive, tha ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares.
“Ne do të kërkojmë solidaritet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së”, tha Albares për transmetuesin publik spanjoll TVE.
Ai tha se disa qeveri “nuk kanë reaguar siç duhej”, duke veçuar Italinë, ndërsa theksoi se Spanja kishte mbështetur Romën gjatë krizave të mëparshme të migracionit që prekën ishullin italian Lampedusa.
Albares akuzoi atë që e përshkroi si një rrjet “reaksionar ndërkombëtar” për përhapjen e informacioneve të rreme rreth zonës Schengen dhe menaxhimit të krizës nga Spanja.
“Fatkeqësisht, këto mashtrime janë përforcuar edhe nga disa qeveri evropiane”, shtoi ai.
Ministri vlerësoi bashkëpunimin e Marokut, duke thënë se Rabati kishte rënë dakord që në fillim të lehtësonte kthimin e emigrantëve pa kërkuar asnjë lëshim nga Spanja.
“Çdo njëri prej atyre që hynë do të kthehet. Ky është qëllimi i Marokut”, tha ai.
Më shumë se 50 mijë emigrantë hynë në enklavën spanjolle të Ceuta-s nga Maroku javën e kaluar në një kalim masiv të paprecedentë.
Deri të premten në mbrëmje, autoritetet spanjolle vlerësuan se mbi 48.300 persona ishin kthyer ndërsa 72 persona humbën jetën gjatë krizës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.