FOKUS – Takim i mundshëm Putin-Xi-Trump në samitin e APEC-ut
MOSKË, 19 tetor /ATSH-AFP/ – Kremlini deklaroi sot se presidentët e Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Vladimir Putin, Xi Jinping dhe Donald Trump, mund të zhvillojnë një takim të përbashkët gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të mbahet muajin e ardhshëm në Kinë.
Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, theksoi se deri më tani nuk ka propozime konkrete apo marrëveshje për zhvillimin e takimit dhe as për temat që mund të diskutohen.
Ai nënvizoi gjithashtu se një marrëveshje përfundimtare për përfundimin e luftës në Ukrainë nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e Kievit.
Gazeta amerikane “The Wall Street Journal” raportoi dje se presidenti Putin dëshironte një samit me presidentët Xi dhe Trump për të diskutuar luftën në Ukrainë dhe shpresonte të ndërmjetësonte një marrëveshje paqeje në favor të Moskës.
Raporti citonte burime anonime të njohura me diskutimet.
I pyetur për këtë informacion, Peskov tha se, duke qenë se të tre liderët mund të marrin pjesë në samitin që do të zhvillohet në qytetin kinez Shenzhen më 18 dhe 19 nëntor, ishte përmendur mundësia e një takimi të tillë.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi gjatë një vizite në Uzbekistan se nuk e dinte nëse ishte finalizuar ndonjë marrëveshje, duke përsëritur se Trump dëshiron t’i japë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Kina, përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, tha se nuk kishte informacion për një takim të mundshëm.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, kundërshtoi idenë e një takimi trepalësh mes liderëve të Rusisë, Kinës dhe SHBA-së pa përfaqësimin e Ukrainës.
Sipas tij, një takim i tillë do të kishte efekt të kundërt, duke e nxitur Putinin të vazhdonte luftën.
Ai argumentoi se një takim mes liderëve të Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë mund të ndihmonte në përshpejtimin e përfundimit të konfliktit.
Sybiha e cilësoi gjithashtu presidentin rus si përgjegjës për krime lufte dhe tha se ai nuk duhet të ulet në tryezën e bisedimeve me Trump dhe Xi.
Kremlini këmbëngul se një zgjidhje përfundimtare është e pamundur pa pjesëmarrjen e një përfaqësuesi të Kievit, i cili të jetë i gatshëm të marrë përgjegjësinë për marrëveshjen./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.