FOKUS – Temperaturat e larta godasin ekonominë evropiane, 113 miliardë euro humbje
MYNIH, 24 shtator /ATSH-DPA/- Ekonomia e Evropës ka humbur këtë vit rreth 113 miliardë euro, për shkak të temperaturave shumë të larta gjatë verës, të cilat kanë ulur produktivitetin dhe prodhimin ekonomik, sipas kompanisë gjermane të sigurimeve “Allianz”.
Italia ka pësuar humbjet më të mëdha, rreth 28 miliardë euro, e ndjekur nga Gjermania me 25 miliardë euro. Në vend të tretë është Franca me 20 miliardë euro.
Humbjet ekonomike janë shkaktuar kryesisht, pasi temperaturat shumë të larta kanë bërë që njerëzit të punojnë më pak dhe më ngadalë, të kenë nevojë për më shumë pushime gjatë punës dhe të mungojnë më shpesh nga puna.
Në të gjithë Evropën, dëmi ekonomik nga temperaturat e larta pritet të jetë më pak se 0,5% e prodhimit ekonomik të këtij viti.
“Allianz” i ka bërë këto përllogaritje përmes një sistemi të ri të quajtur “Climate Risk Tracker” (Gjurmuesi i Rrezikut Klimatik), i cili përdor të dhëna për motin dhe dëmet për të llogaritur ndikimin e tyre të mundshëm në ekonomi.
Dëmet nga fatkeqësitë natyrore
“Allianz” tha gjithashtu se stuhitë, përmbytjet dhe fatkeqësi të tjera natyrore, kanë shkaktuar rreth 50 miliardë euro dëme në Gjermani gjatë pesë viteve të fundit.
Humbjet vjetore në Gjermani kanë qenë mesatarisht dy herë më të larta se në periudhën 2000–2019.
Në të gjithë botën, dëmet nga fatkeqësitë natyrore janë rritur me 54%, sipas “Allianz”.
Frank Sommerfeld, drejtues i sektorit të sigurimit të pronave të “Allianz” në Gjermani, tha se Gjermania është veçanërisht e prekur nga dëmet që lidhen me ndryshimet klimatike.
Rreziku për vitin 2027
“Allianz” paralajmëroi edhe për një rrezik tjetër ekonomik vitin e ardhshëm, të lidhur me fenomenin klimatik “El Nino”.
Nëse viti 2027 rezulton veçanërisht i nxehtë për shkak të “El Nino-s”, prodhimi ekonomik në 144 vende mund të ulet me rreth 392 miliardë euro.
Sipas përllogaritjes së “Allianz”, Kina pritet të ketë humbjet më të mëdha. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.