FOKUS – Trump dhe Danimarka arrijnë marrëveshje për Groenlandën
– SHBA dhe Danimarka kanë njoftuar një marrëveshje të re për sigurinë e Groenlandës, pas muajsh tensionesh të shkaktuara nga deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit mbi territorin arktik, shkruan BBC.
Trump deklaroi se marrëveshja i jep Shteteve të Bashkuara “kontroll të përhershëm” mbi sigurinë dhe nevojat e tjera të Groenlandës, duke thënë se Uashingtoni do të ketë mundësinë të ndërmarrë atë që e konsideron të nevojshme për mbrojtjen e ishullit.
Sipas tij, marrëveshja nuk do të ketë kosto për SHBA-në.
Nga ana tjetër, autoritetet daneze dhe groenlandeze kanë theksuar se marrëveshja nuk cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës, si dhe njeh të drejtën e popullit të Groenlandës për vetëvendosje.
Detajet e plota të marrëveshjes ende nuk janë bërë publike. Sipas informacioneve të publikuara, ajo parashikon zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në Groenlandë dhe pengimin e vendeve kundërshtare, veçanërisht Rusisë dhe Kinës, për të krijuar baza ushtarake apo për të kryer investime të ndjeshme në territor.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet javën e ardhshme në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe më pas do t’i nënshtrohet procedurave parlamentare në Danimarkë dhe Groenlandë.
Njoftimi shënon një zhvillim të rëndësishëm pas kërcënimeve të përsëritura të Trump për të marrë Groenlandën, të cilat kishin shkaktuar tensione të forta në marrëdhëniet SHBA-Danimarkë dhe brenda NATO-s. Groenlanda mbetet territor autonom nën sovranitetin e Mbretërisë së Danimarkës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.