Forcat kolumbiane shpëtojnë të gjithë pengjet në supermarketin e Cartagenës, një nga sulmuesit i vrarë
Pas gati një dite pengmarrjeje, policia dhe ushtria kolumbiane liruan të gjithë pengjet në supermarketin Exito në Cartagena; personat e armatosur kishin mbajtur mbi 50 njerëz pas një tentative të dështuar grabitjeje.
Forcat e sigurisë shpëtuan të gjithë pengjet që mbaheshin prej gati një dite në një supermarket në Cartagena, qyteti turistik në veri të Kolumbisë, njoftoi herët të mërkurën presidenti Abelardo de la Espriella, siç njofton Associated Press.
“Në një operacion të jashtëzakonshëm të përbashkët të policisë kombëtare dhe ushtrisë, u shpëtuan të gjithë pengjet”, tha presidenti në një video të postuar në X, duke u shfaqur përkrah komandantëve të lartë ushtarakë jashtë supermarketit Exito.
Sipas ushtrisë, personat e armatosur mbajtën peng më shumë se 50 njerëz të martën në mëngjes, pas një tentative të dështuar për të grabitur një furgon të blinduar të transportit të parave. Policia mbërriti pasi kamerat e sigurisë zbuluan sulmuesit; duke kuptuar se ishin të rrethuar, ata u strehuan brenda supermarketit dhe morën peng ata që ndodheshin aty.
“Një nga kriminelët u vra. Atyre iu dha mundësia të dorëzoheshin dhe të lironin pengjet, por refuzuan, ndaj vepruam me vendosmëri”, tha De la Espriella. Pamjet në rrjetet sociale tregonin dhjetëra njerëz që dilnin me vrap nga supermarketi në lagjen La Castellana, ndërsa snajperë ishin pozicionuar në ndërtesat përreth.
Një nga të shpëtuarit, bukëpjekësi Héctor Cuello, tregoi për radion La FM se sulmuesit u drejtuan armët pengjeve, i shtrinë përtokë dhe i lidhën, përpara se t’i ulnin në karrige. Aeroporti i Cartagenës, një nga destinacionet kryesore turistike të Kolumbisë, kishte pezulluar përkohësisht operacionet të martën, por më pas njoftoi se ato po ktheheshin gradualisht në normalitet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.