Bota

FOTOT / Kartolina nga Berlini Lindor

Si jetohej në vitet e Luftës së Ftohtë përtej Murit? Ngjashmëritë e mëdha me Shqipërinë dhe gjithë vendet e bllokut komunist

Nga ajo botë ka mbetur vetëm e ashtuquajtura “Ostalgie”, një modë që lindi pas ribashkimit gjerman në vitin 1989. Një nostalgji e botës socialiste, e urryer, po ku vlerat e huaja për kapitalizmin, si solidariteti, puna e sigurtë dhe shteti social ishin një siguri. E paguar me çmimin e lirisë.

Alexanderplatz, sot sheshi më turistik i Berlinit. Qyteti i ndarë më dysh nga Muri, ishte ndoshta prezantimi më ekstrem i Luftës së Ftohtë, dhe konfliktit mes modelit kapitalist dhe atij socialist. Se kush fitoi, e dimë. E megjithatë, në Gjermani, një sondazh që u krye dy dekada pas rënies së Murit, zbuloi atëherë se një pjesë e madhe e gjermanëve që jetonin në lindje, ende kish nostalgji për jetën në RDGJ, kur në qytet komandonte BRSS. Përse? Si jetohej atëherë?

Durimi i shenjtë!

Duhej të armatoseshe me durim, që në orët e para të ditës. Për të shkuar në punë, kush nuk i lejonte vetes një automobil, duhej që të përdorte mjetet publike, të lirë por të rrënuar: autobusë, tramvaj, trena lokalë, që shpesh herë bllokoheshin prej dëborës. Ose zgjidhte metronë, linja e të cilës ishte e mbushur me stacione-fantazmë që survejoheshin prej rojeve, me qëllim që të ms zbrisnin kalimtarët e kolonave të Berlinit Perëndimor, që, nën tokë, kalonin tranzit në zonat lindore të qytetit. Familjet më me fat kishin një makinë, shpesh herë e njëjta për gjithë jetën, të cilën e blinin pas vitesh të tërë në listë pritje: më e përhapura ishte Trabant (në gjermanisht “satelit”), që me dashuri e thërrisnin “Trabi”, e cila parakalonte në krah të Skodave, Daciave apo makinave të prodhuara në fabrikat ruse të Ladas (“Fiati” i Lindjes) dhe Moskvitch.

Me mbarimin e odisesë, fillonte puna. Paga, drejtpërdrejtë në përpjestim me detyrën, mund të luhatej në një “gërshërë” të paracaktuar: raporti mes drejtuesve publikë dhe punëve më pak të paguara nuk ishte marramendëse (një nëpunës merrte 600-800 marka në muaj, një inxhinier maksimumi 1200 marka). Dhe nëse gjë pozitive ishte që papunësia nuk ekzistonte, negative ishte që karrierë bënin vetëm miqtë e shefave të partisë.

Sa për zanatet më të përhapur, “në Berlin nuk kishte zona të mëdha industriale si ato të përhapura në pjesë të tjera të Republikës, në sektorët e kimisë, metalurgjisë apo mekanikës”, shpjegon Marko Paolin, docent i historisë në Universitetin e Viterbos. “Në Berlinin lindor punohej më shumë në burokraci”.

Në shkollë si në kazermë

Shteti social nuk ishte keq: gratë punonin sa burrat, paguheshin për periudhën e shtatzënisë dhe kur riktheheshin në punë, mund të linin fëmijët pa pagesë në kopshtet brenda fabrikave dhe zyrave. Shkolla publike, si kompensim, i ngjante një kampi riedukimi. Ora e marksizmit ishte e detyruar dhe ishte futur në programin shkollor. Shteti e drejtonte shkollën sipas një modeli ushtarak: mbikëqyrte “bijtë” e tij nga 6 deri në 25 vjec, duke i detyruar që të merrnin pjesë në gara sportive (Republika Demokratike nxorri atletë shumë të fortë, ndonëse shpesh herë bënin doping), parada me uniforma, festivale dhe udhëtime indoktrinuese. Programi i studimit në fakt privilegjonte formimin e inxhinierëve, kimistëve dhe shkencëtarëve që duhej t’i jepnin prestigj republikës dhe të bëheshin klasa drejtuese.

Socializmi shtetëror

Edhe zgjedhja e mallrave të konsumit ishte e pilotuar. “Organizimi i trgetisë”, thotë Paolin, “ishte i kontrolluar nga shteti, pra edhe supermarketet”. Në raftet e Centrum-it, gjendeshin produkte me një çmim të mirë, me paketim të ngjashëm me produktet në Berlinin Perëndimor. Ishte efekti i mediave: Muri nuk i pengonte rekuenca të caktuara të Radios Evropa e Lirë apo Zërit të Amerikës, të cilat nga Perëndimi promovonin modelin e konsumizmit, libertar dhe për Lindjen, revolucionar. Pra, nëse udhëheqësit politikë ishin të detyruar që të përballeshin me rock and roll-in dhe Beatles-at, në anën tjetër riorganizonin mallrat që do të hidhnin në treg: u shfaqën kështu Club Cola, një krem i ngjashëm me Nivean dhe, së bashku me birrat e salcicet, edhe krusta, një kulaç shumë në modë deri në rënien e Murit.

Por mirëqenia e shfaqur në televizion ishte larg nga realiteti i përditshëm i berlinezëve. Shpesh herë mallrat e konsumit që shpërndaheshin nuk mjaftonin për gjithë popullsinë, duke parë edhe pjesën e mallrave të destinuar për eksport: “Kemi gjithçka, por jo gjithmonë dhe jo kudo, dhe mbi të gjitha jo kur kemi nevojë”, thoshin njerëzit. Ndonjëherë mungonte mishi, ditë të tjera mjalti dhe kafeja e bluar, dhe kish një mungesë kronike frutash dhe perimesh. Bananet, për shembull, vinin në supermerkato vetëm në Krishtlindje (jo më kot, kru ra Muri, konsumi i tyre në Berlinin Lindor dhe në gjithë ish RDGJ u dyfishua, krahasuar me Perëndimin).

Në shtëpi, me STASI-n

Për familjet, mbrëmja kalonte qetë në apartamentet e vegjël të dhënë nga shteti, të përqëndruar në periferi, në lagje ndërtesash popullore me kosto të ulëta: dhjetëra pallate gjigande, të gjithë njësoj, gri dhe anonimë në vitet ’70 iu bashkëngjitën ndërtimeve të pasluftës, të realizuara me aksione për të strehuar gjermanët e riatdhesuar nga vendet e pushtuar pas rënies së nazizmit. Brenda mureve të tyre berlinezët zhvilluan një “interior design” që sot vlerësohet nga nostalgjikët e stilit të RDGJ-së. Letra e murit me lule apo motive gjeometrike kishte ngjyra pothuaj pop, ndërkohë që moblijet ishin të frymëzuara nga një minimalizëm pakëz “retro”.

Por mes katër mureve të shtëpisë kish gjithmonë një mysafir të padëshiruar: shërbimi i fshehtë i qeverisë (STASI), që nuk e ulte kurrë vigjilencën. Kontrollonte telefona dhe antena televizive, për të zbuluar se kush shihte programet e Perëndimit. Televizioni publik nuk ishte aspak argëtues: filma lartësues alternoheshin me konferenca të gjata të partisë dhe programe që kishin si objektiv denazifikimin e kulturës gjermane. Herë pas here kishte ndonjë shfaqe dhe i famshmi “kanali i zi”, me takimin e pandryshueshëm të të hënës, që “groposte” me sarkazëm programet e Perëndimit.

Turizmi shtetëror

Edhe koha e lirë ishte e organizuar. “Turizmi menaxhohej nga një ent shtetëror”, shpjegon Paolin. Dhe fabrikat u ofronin punonjësve dhe familjeve pushime të shkurtëra në struktura dhe hotele në pronësi të shtetit. Por të shumtë ishin ata që preferonin të organizoheshin vetë: në fundjavë, të rinjtë me xhinset e tyre Boxer (versioni gjermano-lindor i Levi’s), duke pirë birrë dhe tymosur cigare Juvel shkonin me makinë deri në Bullgari apo Rumani, për një udhëtim “tej portave”.

“Të shkoje me pushime në perëndim nuk lejohej, por edhe pse jo shpesh, mund të shkoje në shtetet komuniste”. Dikush mund t’i lejonte vetes një shtëpizë në fshat, ku mund të kalonte të dielat duke u marrë me kopsht dhe shfletuar revistën Sybille. Ndërkohë sfilohej me veshje sintetike që imitonin modën perëndimore.

Nga ajo botë ka mbetur vetëm e ashtuquajtura “Ostalgie”, një modë që lindi pas ribashkimit gjerman në vitin 1989. Një nostalgji e botës socialiste, e urryer, po ku vlerat e huaja për kapitalizmin, si solidariteti, puna e sigurtë dhe shteti social ishin një siguri. E paguar me çmimin e lirisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button