Bota

Franca do të ndërtojë aeroplanmbajtëse me energji bërthamore

Flota e përbërë nga 11 mjete lundruese do të ndërtohet nga kompania franceze kontraktore, Naval Group dhe do të pajiset me një sistem të ri elektromagnetik për nisjen e avionëve, të zhvilluar nga kompania amerikane General Atomis, thanë zyrtarët francezë.

Aeroplanmbajtësja do të ketë gjatësi prej 300 metrash dhe do të peshojë 75,000 tonë. Ajo do të jetë e aftë të transportojë 30 avionë luftarakë të tipit Rafale, ose një gjeneratë të re avionësh që po zhvillohen bashkarisht nga Franca, Gjermania dhe Spanja.

Ushtria franceze fillimisht kishte plane për një mjet lundrues me një sistem tradicional operimi, por më pas udhëheqësit ushtarakë dhe Presidenti Macron vendosën të zgjedhin për arsye teknike dhe strategjike aeroplan-mbajtësen me energji bërthamore, megjithëse ndërtimi i saj kushton shumë më tepër.

“E ardhmja jonë strategjike, statusi si fuqi e madhe, mbështeten tek industria bërthamore,” tha zoti Macron gjatë një vizite në një objekt për prodhimin e pjesëve për sektorin bërthamor.

Franca dhe Britania janë të vetmet fuqi bërthamore në Evropë.

Qeveria franceze do të investojë një miliard euro gjatë fazës së parë të zhvillimit që përfundon në 2025, njoftoi Ministria e Forcave të Armatosura. Zyrtarët e ministrisë nuk pranuan të komentojnë lidhur me njoftimet në media se mjeti lundrues mund të kushtojë mbi 5 miliardë euro.

“Kompania ‘Naval Group’ është shumë krenare që po ndërton anijen më të madhe luftarake të prodhuar ndonjëherë në Francë,” tha shefi ekzekutiv i kompanisë, Pierre Eric Pommelet përmes një deklarate.

Tre aeroplan-mbajtëse të tjera perëndimore janë ndërtuar që kur u lëshua për herë të parë flota Sharl De Gol: aeroplanmbajtëset amerikane Gerald R. Ford dhe America, si dhe aeroplan-mbajtësja britanike, Queen Elizabeth.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button