Franca prezanton mundësitë e studimit të lartë për të rinjtë shqiptarë
Nën moton “Study in France / Study with France”, Franca prezantoi mundësitë e studimit të lartë për të rinjtë shqiptarë, duke vënë në fokus ekselencën akademike, inovacionin dhe perspektivat ndërkombëtare.
Nxënës, studentë, prindër dhe familjarë patën sot mundësinë të njihen nga afër me ofertën e arsimit të lartë francez gjatë World Education Fair në Tiranë.
Në stendën franceze, përfaqësues të Ambasadës së Francës në Shqipëri, përmes Campus France Albania, prezantuan mundësitë e studimit në Francë, duke ofruar informacion dhe orientim për të rinjtë shqiptarë që synojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre akademike në një nga sistemet arsimore më të njohura në botë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua Campus France Albania, që vepron pranë Institutit Francez të Shqipërisë, KubFranceTirana, operator i Ambasadës së Francës në Shqipëri. Si shërbimi zyrtar i orientimit për studimet në Francë, Campus France Albania ofron këshillim dhe ndjekje të personalizuar falas për nxënësit dhe studentët shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta në Francë.
Pjesë e prezantimit ishte edhe Kampusi Ndërkombëtar UTC–UPT, Universiteti i Teknologjisë së Compiègne (UTC), si dhe institucione të tjera prestigjioze franceze të arsimit të lartë, ndër të cilat ESTP, EPF dhe INP. Këto institucione ofrojnë mundësi të rëndësishme formimi në fusha të ndryshme, veçanërisht në inxhinieri, teknologji dhe shkenca të aplikuara.
Interesi i vizitorëve për stendën franceze dëshmoi rëndësinë e informimit të drejtpërdrejtë dhe të orientimit të besueshëm për të rinjtë që dëshirojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale në një mjedis ndërkombëtar.
Përmes pjesëmarrjes në panaire dhe aktivitete të ndryshme informuese, Campus France Albania kontribuon në promovimin e arsimit të lartë francez dhe në forcimin e lidhjeve akademike mes Francës dhe Shqipërisë, duke u ofruar të rinjve shqiptarë informacion mbi mundësitë e studimit dhe bashkëpunimit universitar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.