FRANCË – Macron: Përgjegjësit për grabitjet dhe shkatërrimet do të ndëshkohen
PARIS, 19 tetor /ATSH-AFP/- Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se demonstratat mund të ndalohen nëse kjo do të jetë e nevojshme, pas trazirave të rënda që përfshinë Francën.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale, prefektët do të marrin vendime në bashkëpunim me kryetarët e bashkive, për të mbrojtur qytetet tona, ndërtesat publike dhe dyqanet. Kur të jetë e nevojshme, ata mund të shkojnë deri aty sa të ndalojnë disa grumbullime njerëzish dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme”, tha presidenti në një fjalim të transmetuar në televizion dje në mbrëmje.
Macron tha se edhe puna e policisë do të shqyrtohet. Për këtë arsye, ai i ka kërkuar ministrit të Brendshëm të hetojë mënyrën se si është menaxhuar situata.
Më shumë se gjysmë milioni njerëz protestuan të shtunën në të gjithë Francën kundër rritjes së kostos së jetesës.
Në shumë qytete pati grabitje të dyqaneve, zjarrvënie dhe dëmtime të pronës.
Persona të maskuar sulmuan bashkitë, komisariatet e policisë dhe ndërtesa të tjera qeveritare.
Në rrjetet sociale u shpërndanë gjerësisht pamjet e shembjes dramatike të kullës së një bashkie historike në qytetin e Limoges, i njohur për prodhimin e porcelanit.
Në video dëgjoheshin edhe banorë të tronditur, të cilët shprehnin tmerrin e tyre për shkatërrimin.
“Dje, pavarësisht profesionalizmit të tyre, forcat e rendit u përballën me dhunë të paprecedentë në shumë qytete”, tha Macron.
Ai shtoi se i ka kërkuar vazhdimisht qeverisë të nxjerrë mësimet e duhura nga këto ngjarje, veçanërisht për mënyrën e hetimit dhe parashikimit të situatave të tilla, në mënyrë që ato të mos përsëriten.
“Pres përgjigje të qarta dhe do të ketë transparencë të plotë”, u shpreh presidenti.
Macron theksoi se personat përgjegjës për trazirat do të ndëshkohen dhe do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
“Kushdo që ka shkatërruar diçka duhet të paguajë për dëmin. Kushdo që ka grabitur duhet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara. Kushdo që është përpjekur të përmbysë Republikën do të mbajë përgjegjësi për këtë”, deklaroi ai. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.