Francë, Macron shpall kandidaturën për president
Emmanuel Macron është angazhuar të implementojë një “revolucion demokratik”, teksa shpalli kandidaturën e tij për president të Francës. Politikani i qendrës tha se sistemi politik i Francës është paralizuar, ndaj dhe ai dëshiron të “çlirojë energjinë e personave të aftë ndërkohë që do të mbrojë më të dobëtit”.
Ish-ministri i Ekonomisë së presidentit François Hollande pritet të garojë si një kandidat i pavarur. Kandidimi i tij pritet të shqetësojë rivalët republikanë, të cilët synojnë të zgjidhen sipas sistemit amerikan të “primareve” duke nisur nga e diela.
Më herët, pretendenti Alain Juppe akuzoi Macronin se ka tradhtuar presidentin Hollande, duke shtuar se i kishte “ngulur thikën pas shpine” atij.
Ish-ministri i Ekonomisë ka qenë dikur “i privilegjuari” i presidentit, ndërkohë që dha dorëheqjen nga qeveria socialiste jopopullore në gusht, për shkak të pakënaqësive në parti me ambiciet e tij politike.
Hollande ende nuk e ka konfirmuar nëse do të garojë për t’u rizgjedhur, një vendim që pritet ta marrë në javët në vijim. Ai është presidenti më pak popullor në vend, krahasuar me cilindo prej presidentëve francezë të pasluftës.
Macron, i cili nuk është zgjedhur kurrë, i dha fund spekulimeve gjatë një konference për shtyp në një periferi të Parisit. Ai nuk do të garojë për president nën siglën e Partisë Socialiste, por si kreu i lëvizjes së qendrës “En Marche”, të krijuar prej tij në prill të këtij viti me synimin për të promovuar “idetë e reja…as të së djathtës, as të së majtës”. Lëvizja e tij numëron tashmë rreth 97 mijë anëtarë, ndërsa ka marrë thuajse 2.7 milionë euro donacione.
Kandidimi presidencial i tij thuhet se synon të shfrytëzojë përçarjet e thella mes së majtës franceze, ndërsa një sondazh i fundit tregon se 38 për qind e francezëve besojnë se Macron do të ishte një president i mirë.
Por kjo ka shkaktuar edhe rrëmuja mes disa prej kandidatëve të qendrës së djathtë, të cilët konkurrojnë për nominimin republikan, gjë që për herë të parë do të zgjidhet përpara zgjedhjeve presidenciale në prill dhe në maj, në një votë kombëtare të mbështetësve sipas stilit amerikan të “primareve”, duke nisur nga kjo e dielë.
Pretendenti kryesor për të fituar këtë nominim, teksa garon si përfaqësues i qendrës, është ish-kryeministri Alain Juppe. Megjithatë, ai ende përballet me rivalitetin e ashpër të ish-presidentit Nicolas Sarkozy, i cili drejton fushatën për “ligj dhe rend”, si dhe ish-kryeministrit François Fillon i stilit “thaçerian”.
Fituesi i garës së republikanëve pritet të përballet me udhëheqësen e Frontit Nacioan, Marine le Pen, në raundin e dytë të presidencialeve. Kandidaturës së Sarkozysë i është dhënë një goditje të martën, pas akuzave të reja që kanë dalë së fundi, sipas të cilave ai ka marrë miliona euro financime të paligjshme nga regjimi i diktatorit të vrarë libian, Muammar Gaddafi. Gjithsesi ai mohon të ketë shkelur ligjin në këtë çështje, që përfshin edhe financimin për fushatën e suksesshme presidenciale të vitit 2007.
Ndërkohë, presidenti François Hollande ka thënë se gjendja e emergjencës në Francë duhet të vijojë edhe për zgjedhjet presidenciale. Ajo pritej të hiqej në janar, teksa është vendosur që prej nëntorit të vitit 2015 kur ndodhën sulmet terroriste në Paris, por sipas propozimit të tij do të mbetet në fuqi deri më 7 maj, në raundin e dytë dhe të fundit të zgjedhjeve presidenciale.