Bota

Frika e Amerikës ka një emër të ri – Angela Merkel

Nga Ines Pohl

 

Trump e karakterizon Hillary Clintonin si Angela Merkelin e Amerikës. Sulm që funksionon, sepse Kancelarja gjermane duket e përshtatshme për të projektuar te ajo frikëra nga të huajt e për dështim, mendon Ines Pohl.

Atëherë bota dukej në rregull. Kur theksi në të folur tregonte se ishe me origjinë gjermane, deri në kohën e Krishtlindjeve njerëzit ishin plot vlerësim dhe respekt për Kancelaren gjermane. Angela Merkelin e brohorisnin në faqet kryesore të gazetave amerikane si zë të arsyes, kompetente për përparimin ekonomik, në fund të fundit jo vetëm si nënë e kombit gjerman, por si garante për stabilitet dhe siguri për një kontinent të tërë. Selfie-t e Merkelit me refugjatët sirianë u bënë edhe në SHBA një simbol për Gjermaninë e re, bujare, të shoqëruara me duartrokitjet e përshëndetjes për refugjatët nga njerëzit në stacionin e trenit të Mynihut.

Perëndimi i heroizmit të Merkelit

Por pastaj erdhi nata e Vitit të Ri me sulmet në Këln. Kultura e brohoritur e mikpritjes u kthye në krizë kërcënuese të refugjatëve. Me shtimin e problemeve në politikën e brendshme gjermane dhe në politikën evropiane nisi perëndimi i heroizmit të Merkelit. Nga shprehja optimiste “Do t’ia dalim mbanë”, parë nga perspektiva e shumë amerikanëve, në fund ka mbetur vetëm një “ne kemi frikë”.

Me vitin e ri nisi edhe fushata elektorale në SHBA dhe me avancimin shqetësues të Donald Trumpit edhe leja për t’u hapur dyert paragjykimeve dhe racizmit.

Më në fund erdhi një politikan që ofronte shpjegime, të cilat mund t’i kuptoje. Ai e dinte se pse bota e patrazuar amerikane kishte rënë në një paqetësi të tillë. Ai madje nuk kujdesej për të ashtuquajturat qëndrime korrekte politike, i përmendte me emër fajtorët dhe kishte edhe zgjidhje të thjeshta në ofertë: para së gjithash meksikanët dhe kinezët e kanë fajin për vështirësitë ekonomike, për luftërat dhe terrorin në botë fajin kolektiv e mbajnë myslimanët.

Sulme të ashpra në twitter

Dhe meqenëse Donald Trump është mjeshtër në kapjen e atmosferës dhe shfrytëzimin e saj politikisht, ishte vetëm një çështje kohe, deri sa ai do të niste ta shfrytëzonte për fushatën e tij ndryshimin e klimës në Gjermani dhe në Evropë. Në sulme të ashpra në twitter ai e bëri përgjegjëse për atentatet në Paris Kancelaren gjermane dhe politikën e saj ndaj refugjatëve. Çdo sulm, çdo vrasje në të cilën merr pjesë një mysliman në Gjermani kthehet në një dëshmitar qendror për politikën e tij të përjashtimit.

Por tani punët për Donald Trumpin nuk duken mirë. Që prej kongreseve për shpalljen e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale ai nuk po stabilizohet më vërtet. Në një kohë që shifrat e Hillary Clintonit në sondazhe rriten vazhdimisht, Trumpin po e braktisin anëtarë të shquar të partisë së tij dhe në ekipin e tij elektoral ka shumë probleme.

Strategjia e fushatës elektorale e Trumpit qe bazuar që në fillim në pasiguri, në vend të koncepteve politike. Llogaria e tij është sa e tejdukshme, aq edhe e suksesshme: sa më të mëdha të jenë frikërat e njerëzve, aq më e fortë do të jetë thirrja për një burrë të fortë, i cili t’i zgjidhë problemet me dorë të ashpër. Këtu për të është shumë e përshtatshme dilema në të cilën ka ngecur Angela Merkeli. Dhe me një thjeshtësi mjeshtërore ai luan sërish të vetmen kartë të fshehur në mëngë, kartën e frikës, duke e shpallur konkurenten e tij Hillary Clinton si Angela Merkel të Amerikës.

Burri i fortë në vend të gruas së dobët

Angela Merkel është kthyer ndërkohë për shumë amerikanë në simbol të shpresave të zhgënjyera. Një grua, për të cilën besonin se do t’ia dilte mbanë, por e cila duket se dështon në paaftësinë e saj vetjake për të caktuar kufij të qartë. Një grua, së cilës shumë njerëz i besuan për një kohë të gjatë, por e cila në fund nuk tregoi ashpërsinë, të nevojshme për ta mbrojtur vendin e vet “nga të tjerët”. Një grua, e cila në fund të fundit tërheq terrorin në vendin e saj. Edhe 15 vjet pas 11 shtatorit 2001, frika nga një atentat terrorist mbetet arma më e fortë e Trumpit.

Kjo në një kohë kur krahasimi midis Merkelit dhe Clintonit duket kaq mjeshtëror, sepse barazimi i të dyja grave funksionon në vështrim të parë. Dhe se nga ky vështrim bëhet i qartë që Donald Trumpi është ndryshe. Në interpretimin e tij ai është ai burrë i fortë, i cili mund ta mbrojë Amerikën nga gabimet e një gruaje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button