Fronti Popullor, OMLK-ja dhe Enver Hoxha – çfarë parashihte dokumenti i Stambollit?
Ajo që ndodhi në Stamboll në tetor të vitit 1981 nuk mund të kuptohet vetëm përmes rrëfimeve të atyre që ishin ulur në tavolinën e negociatave. Për të rindërtuar atë që ndodhi pas takimit, “Dosjet” sjellin edhe dëshminë e një personi që OMLK-ja e kishte ngarkuar të merrte shpjegime nga Kadri Zeka, menjëherë pas kthimit të tij nga Stambolli.
Berat Luzha, bashkëpunëtor i Kadri Zekës, tregon se negociatat ishin të gjata dhe se në to ishin diskutuar disa çështje. Por, sipas tij, një prej mospajtimeve kryesore lidhej me mënyrën se si do të realizohej bashkimi: nëse organizatat do të shkriheshin plotësisht në Frontin Popullor, apo nëse OMLK-ja do të vazhdonte të ekzistonte si strukturë e veçantë.
“Ka pasë diskutime të shumta, por problemi kryesor ka qenë që në tezat që ka pasë grupi ynë është parapa që të mbetet, të bashkohen grupet në Frontin Popullor, por që të mbetet edhe OMLK-ja si organizatë, si parti në fakt. Dhe me këtë nuk jam pajtuar sigurisht, ose ka pasë edhe probleme tjera, secili kush po bën më shumë”, u shpreh Berat Luzha.
Por, ndërsa në Stamboll po negociohej për bashkimin e organizatave rreth tezave të Frontit Popullor, një proces i rëndësishëm kishte nisur disa muaj më herët në Kosovë.
Një proces që, sipas dëshmive të sjella në ciklin “Dosjet” në “Debat Plus”, krijonte përshtypjen se bashkimi i organizatave ilegale shqiptare ishte tashmë në rrugë të mbarë.
Bajrush Xhemajli, ish-i burgosur politik, rrëfen se në Kosovë ishin marrë për shqyrtim tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, me synimin që disa prej organizatave ilegale të dakordoheshin për një platformë të përbashkët.
Sipas Xhemajlit, bëhej fjalë për katër organizata: LNÇKVSHJ, PKMLSHJ, OMLK dhe LÇKK. Pas analizimit të dokumentit, grupi i tij e kishte pranuar atë si bazë për bashkëpunim.
“Në Front Popullor për Republikë të Kosovës që duhet me u taku këto organizata që i përmende. Këto katër: LNÇKVSHJ, PKMLSHJ-a, OMLK dhe ne, LÇKK-ja. I morëm i analizuam tezat e Frontit Popullor për Republikë të Kosovës. Vërtetë kanë qenë, unë mendoj, një material programatik prej më të mirëve që ka pasë në ilegale deri atëherë, por ndoshta dhe deri më tani, që pastaj ka qenë Lëvizja Popullore e Kosovës duke u shërbyer atij materiali dhe ashtu ka vazhdu me shku më tutje. U pajtuam me atë”, thotë Xhemajli.
Sipas tij, në atë periudhë OMLK-ja kishte bërë të ditur se po zhvillonte kontakte edhe me organizata të tjera dhe se synimi ishte që këto bisedime të çonin drejt një dakordimi më të gjerë.
Pra, në shtatorin e vitit 1981, sipas kësaj dëshmie, ekzistonte një pritje se organizatat ilegale shqiptare mund të arrinin një marrëveshje për bashkim.
Por përfundimi i këtij procesi do të varej nga negociatat në Stamboll.
Dhe këtu shfaqet një tjetër dilemë: a ishte takimi i Stambollit një përballje vetëm mes dy organizatave, apo në të ishin përfshirë edhe përfaqësues të një organizate të tretë?
Berat Luzha thotë se diskutimet nuk ishin të kufizuara vetëm në dy grupe.
“Aty është zhvilluar biseda mes tri grupeve”, thotë Luzha.
Për të kuptuar se për çfarë u negociuan e su pajtuan palët në ato tri ditë, ekziston dokumenti që ishte mbi tavolinë në Stamboll./Tv Dukagjini
– YouTube www.youtube.com



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.