FSK në ndihmë Shqipërisë
FSK është e gatshme ta ndihmojë Shqipërinë pas situatës emergjente të vërshimeve, ndërkaq pret përgjigje nga autoritetet shqiptare.
Një valë e madhe e vërshimeve, nga moti i ligë, i ditëve të fundit, e ka vënë në alarm Shqipërinë, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa pjesë të vendit.
Forca e Sigurisë së Kosovës është shprehur e gatshme të dërgojë trupat e veta të shpëtimit në shtetin shqiptar për ta ndihmuar shtetin fqinj në përballjen e situatës emergjente të vërshimeve.
Pjesë të jugut të Shqipërisë janë përfshirë nga një valë vërshimesh si pasojë e motit të lig që ka mbretëruar ditëve të fundit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Ibrahim Shala, tha për KALLXO.com se kjo ministri i ka dërguar një shkresë zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe janë në pritje të një përgjigjeje.
“Ne nuk kemi ndonjë kërkesë zyrtare për ndihmë apo diçka të tillë nga Shqipëria. FSK ka dërguar një letër gatishmërie te Ministria e Mbrojtjes atje dhe nuk ka ende përgjigje. Kjo nënkupton se ne e kemi treguar gatishmërinë. Ata nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje përveç një falënderimi”, u shpreh zëdhënësi Shala.