Rajoni

Fuere: Maqedonia problemi më i madh në rajon

“Nuk është e tepërt nëse thuhet se prej të gjitha problemeve në Ballkan, rasti me Maqedoninë dhe përkeqësimi i krizës në vend është më i madhi dhe më akuti në rajon”. Kështu nënvizon ish euro-ambasadori në Maqedoni Ervan Fuere, në komentin e publikuar nga Qendra për studime politike evropiane, grup “think-tank” me ndikim nga Brukseli që merret me çështjet e euro-integrimeve. Në tekstin me titull “Përkeqësimi i krizës në Maqedoni, duke pritur epërsinë e BE-së”, Fuere kritikon angazhimin e deritanishëm të teknokratëve nga Brukseli rreth situatës në vend para, por në veçanti pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike, të cilat tregojnë aktivitete serioze joligjore dhe kriminele të një pjese të zyrtarëve më të lartë shtetërorë.

“Reagimet e Unionit për ngjarjet me krizën politike ishin të ngadalshme dhe fillimisht të kufizuara në shprehjen e shqetësimit serioz dhe thirrjeve për hetim të pavarur dhe transparent. Këto deklarata jepnin përshtypjen se BE-ja nuk ka kontakt me realitetin e ngjarjeve në terren, duke shtuar se këto formulime janë jo-konsistente me konkludimet e përmendura në raportin e rregullt për progresin e vendit, ku notohet shqetësimi për procese jo të pavarura gjyqësore”, shkruan Fuere.

Ish ambasadori jep vërejtje edhe për euro- komisarin për zgjerim, Johanes Han i cili gjatë vizitës në Shkup nuk theksoi asgjë rreth aferës së përgjimeve. Fuere, sipas përvojës së deritanishme, dyshon se ndërmjetësimi i tre euro-deputetëve në negociatat mes pushtetit dhe opozitës, do të sjell sukses. Sipas tij, mënyra e vetme për daljen nga kjo krizë është përfshirja e drejtpërdrejtë edhe e Komisionit Evropian dhe diplomacisë evropiane.

“Unioni duhet të bëjë presion për hetim të pavarur për përgjimet me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë që do kishin autorizime për thirrjen e dëshmitarëve. Lënia e procesit në duart e prokurorit publik nuk do të kishte kurrfarë kredibiliteti për shkak të shumë rasteve të përfshirjes së partisë në pushtet në sistemin gjyqësor. Formimi i qeverisë kalimtare, që do të krijonte terren për zgjedhjet, sigurisht është zgjidhja e vetme për tejkalimin e kësaj situate. Për asistencë në këtë periudhë tranzicioni, Unioni duhet të mendojë të vendos përfaqësues special me fuqi politike i cili do të vepronte në periudhë të caktuar”, vlerëson ish ambasadori.

Fuere shkruan edhe se nuk guxon të lejohet që aferë të kaloj si diçka e thjeshtë dhe se është koha që BE-ja të shfrytëzojë të gjitha mjetet e politikës së jashtme që posedon për menaxhim më serioz të krizën, jo vetëm për Maqedoninë dhe qytetarët e saj, por edhe për ndikimin potencial ndaj rajonit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button