Ekonomia

Fullani, 350 milionë lekë për sigurinë e rrjetit informatik të bankës

Dy tenderë për pajisje kompjuterike dhe radiondërlidhjen në bankë

Tenderi – Upgrade i infrastrukturës së rrjetit informatik të Bankës së Shqipërisë dhe integrimi i shërbimeve ekzistuese

IT – Numri punonjësve dhe i specialistëve të teknologjisë së informacionit në Bankën e Shqipërisë është rritur 2.5 herë

Sistemet – Disa nga sistemet e vendosur në BSH janë: SARS; sistemi i sportelit të bonove të thesarit. Sistemi SWIFT; implementimi i sistemit të mbrojtjes FireWall. Automatizimi i zyrave.

Nga Zamir Alushi

banka-e-shqiperiseGuvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e ka të mbushur kalendarin e fundgushtit plot me tenderë, sidomos për blerje pajisjesh të teknologjisë së informacionit. Kështu, sipas një njoftimi të BSH-së, 350 milionë lekë do të kushtojë siguria e rrjetit informatik të bankës dhe sjellja e tij në standardet e kërkuara.

Rrjeti informatik

“Upgrade i infrastrukturës së rrjetit informatik të Bankës së Shqipërisë dhe integrimi i shërbimeve ekzistuese”, kështu emërtohet tenderi i kushtueshëm që sapo është shpallur nga komisioni i prokurimit. Banka e Shqipërisë fton kandidatët e interesuar, të marrin pjesë në procedurën e prokurimit “Tender i hapur kombëtar”, për realizimin e objektit me fond limit 35.799.000 lekë. Më datë 11 shtator 2014, ora 11:00, kohë në të cilën do të hapet edhe tenderi, do të prezantohen ofertat e kandidatëve.

Skanerët

Në një tender tjetër, BSH njofton “Blerje pajisje skaner ID Card për degët e Bankës së Shqipërisë dhe realizimi i sistemit për menaxhimin dhe integrimin e skanerëve ID në gjithë objektet dhe degët e saj”. Në fakt, sipas burimeve nga banka, ky proces zëvendësimi i pajisjeve është periodik, por intensifikimi i tenderëve për pajisje sidomos të sigurisë, ka lidhje edhe me skandalin e vjedhjes së parave në Departamentin e Emisionit të Parasë. Skanerët duhen blerë me fondin limit 4.200.000 lekë.

Radiondërlidhja

“Mirëmbajtja dhe riparimi i sistemit të radiondërlidhjes dhe sistemit AVL, për një periudhë njëvjeçare” është tenderi tjetër i paralajmëruar nga BSH. Kjo garë që e ka fondin 2.500.000 Lekë, ka të bëjë me një punë specifike siç është mbikëqyrja e pajisjeve të radiondërlidhjes. Më 25 gusht 2014, komisioni i prokurimit do të njihet me ofertat teknike dhe financiare. Mes këtyre tenderëve është edhe një tjetër që nuk ka lidhje me sigurinë, ai është për mbrojtjen e zyrtarëve të BSH nga dielli, pra, për perde.

Investimet në teknologjinë e sigurisë

Gjatë viteve të fundit, sipas burimeve nga BSH, janë realizuar investime të mëdha në teknologjisë së informacionit. Ky investim konsiston si në zgjerimin e sistemeve të informacionit, rikonceptimin e sistemit të komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm, zgjerimin e burimeve njerëzore si dhe në zhvillimin e organizimit të tyre. Projektet kryesore të realizuara kanë të bëjnë me: Futjen në funksionim të një numri të madh sistemesh specifike; Krijimin e një infrastrukture të brendshme të mbështetur nga fjala e fundit e teknologjisë; krijimin dhe zgjerimin në mënyrë të vazhdueshme të komunikimit elektronik bazuar në teknologjinë e internetit; implementimin e sistemit ATM; zgjerimin dhe rritjen e sistemeve të sigurisë dhe të mbrojtjes së brendshme të informacionit. Aktualisht, numri i kompjuterëve personalë dhe përdoruesve të tyre, në vitet e fundit është rritur me tre herë, numri punonjësve dhe i specialistëve të teknologjisë së informacionit është rritur 2.5 herë, numri i sistemeve është rritur me 10 herë, ndërkohë që investime të ngjashme janë kryer në infrastrukturën teknike. BSH ka struktura të plota për menaxhimin e rreziqeve dhe sigurinë e brendshme. Duke iu referuar organigramës së personelit, BSH ka krijuar Komitetin e Strategjisë që është brenda strukturës organizative të departamentit të pozicionit të “Administratorit të projekteve”. Po kështu funksionon edhe Zyra e Kontrollit dhe Sigurisë. E megjithatë, teknologjia arriti vetëm të sigurojë prova, jo të parandalojë vjedhjen në rastin e fundit. Mbase pajisjet e fundit që po blihen, do të mbushin boshllëqet e projekteve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button