Fullani e ka shpërblyer Bitrajn 39 herë, ja motivacionet qesharake të shpërblimeve
Ish-Guvernatori Ardian Fullani e ka shperblyer 39 here, Ardian Bitraj, personi kryesor i akuzuar per vjedhjen e 7.3 milione dollareve, me motivacionin, “siguri e larte ne thesar”. E perditshmja ‘Telegraf’ sjell ne nje artikull me detaje informacione nga grupi i eksperteve qe po merren nderkaq me hetimin e ceshtjes.
Sipas informacioneve nga grupi i ekspertëve, që po merret me kontrollin hetimor pas vjedhjes së 7.3 milion dollarëve, zbuluar në datën 24 korrik 2014, por që kishte nisur e vazhdonte qysh prej qershorit 2009, arkiva e dokumenteve zyrtare të Bankës së Shtetit Shqiptar, cilësohet si një “thesar abuzimesh skandaloze”. Nuk bëhet fjalë për skandale abuzimesh, si në llogaritë e komunave periferike me buxhet vjetor 1 milion lekë, ku abuzohet me fonde legenësh e fshesash, por për skandale që kalojnë çdo imagjinatë abuzimi me detyrën e ngarkuar! Prej “portës së shqyer” të Bankës së Shtetit, po dalin përditë lajme të reja për skandale të vjetra të epokës “Fullani”. Një nga këto skandale ka lidhje me personazhin “Bitraj”, ish-nëpunësin që i ishte besuar “mirëmbajtja dhe ruajtja” e thesarit të shtetit. Sa për saktësim, sipas zbulimeve të bëra këto ditë në arkivin shkresor të bankës, rezulton se afro 80% të letrave të veprimtarisë së Bankës së Shtetit, nuk i përgatiste dhe nuk i shikonte askush tjetër, përveç ish-guvernatorit Fullani dhe 3 miqve të tij të afërt e të besuar, bashkëpunëtorë në Këshillin Mbikëqyrës, konkretisht Kule, Milo e Civici, të cilët kishin krijuar aq konfidencialitet si “grup”, sa i firmosnin shkresat e hartuar nga Fullani edhe 1, 2 e 6 muaj pas zbatimit praktik.
Një nga këto letra, që ka zbuluar grupi i hetim ekspertimit që po punon me “dosjet Fullani” është lista me emra e shuma të larta e të shpeshta shpërblimesh financiare, të bëra me firmë e vulë të Fullanit, për “kupolën” e lartë të Bankës së Shtetit dhe për një pjesë drejtorësh të rrjetës nepotike. Sipas kësaj liste shpërblimesh, mes drejtuesve “VIP” të bankës, figuron edhe emri i të vetë-akuzuarit për vjedhjen e 7.3 milionë dollarëve. Ardan Bitraj, ish-“krye-gardiani” i depozitës së Thesarit të Shtetit, që paguhej me pagë mujore sa një drejtor policie, figuron në listat “VIP” të shpërblimeve që ka akorduar adashi i tij, ish-guvernatori Ardian Fullani. Ky ish-nëpunës i bankës, që kishte akses të plotë për të qëndruar dhe vepruar lirshëm brenda mjediseve të depozitës së Thesarit, përveç pagës së majme mujore, është “përkëdhelur” prej Fullanit edhe me “bonus financiar” për “punë të shkëlqyer”, dhe siç rezultoi puna e tij e shkëlqyer ka qenë vjedhja e thesarit të bankës, deri edhe me mjete rrethanore (brekë). Sipas listë pagesës së shpërblimeve “VIP”, Ardian Bitraj që nuk e ruante, por “rruante” bankën pa asnjë vështirësi, ka përfituar disa herë edhe shpërblime 1 mujore, 3 mujore, 6 mujore, vjetore dhe shpërblime “speciale”. Çdo shpërblim që ka ‘shijuar” Bitraj, rezulton të jetë i lartë, në shumë raste edhe më i lartë se paga mujore. Ka një fakt tepër interesant dhe skandaloz në historinë e shpërblimeve që i janë dhënë Ardian Bitrajt. Në periudhën e viteve 2010-2014, kur vidhej banka, Ardian Bitraj është shpërblyer 39 herë, me shuma të tilla: 22 herë në vlerën 150 mijë lekë të reja, 11 herë në shumën 100 mijë lekë të reja dhe 6 herë në shumën 70 mijë lekë të reja. Të gjithë shpërblimet, Ardian Bitrajt i janë dhënë me propozim me firmë, prej ish-guvernatorit Ardian Fullani. Çdo shpërblim që i është dhënë, ka të njëjtin motivacion: “Për vigjilencë të lartë, për menaxhim korrekt dhe siguri të plotë në depozitën e Thesarit”!
Auditi fals, më 18 mars 2014: Banka është me siguri të plotë…
Ndërsa në momentin që mori detyrën, guvernatori Sejko konstatoi se krejt sirtarët e tavolinës dhe raftet e zyrës së Fullanit ishin boshatisur nga dokumentacioni i aktivitetit të guvernatorit, ai ka mundur të gjejë disa prova shkresore në “kasaforta” të tjera, që tregojnë falsitetin e veprimtarisë audituese të inskenuar prej ish-guvernatorit Fullani, lidhur me gjendjen financiare të bankës së shtetit, firmosur nga “kukullat” e Këshillit Mbikëqyrës, nga 3 audituesit e brendshëm të urdhëruar prej Fullanit dhe nga audituesit e jashtëm privat J. Sokoli, I. Osmani e L. Bregu, të paguar prej Fullanit me buxhetin e bankës, për të hartuar një kontroll fiktiv “të rregullt të punëve të bankës”! Fakti skandaloz, me fshehjen e krimit të vjedhjes gjigande që po bëhej në bankë është ky: Edhe 4 muaj përpara se të zbulohej vjedhja afro 5 vjeçare që po i bëhej Thesarit të Bankës së Shtetit, guvernatori Fullani ka hartuar raport auditi të brendshëm e të jashtëm, me konkluzione false, të paguar deri në 1 milionë euro nga fondet e Bankës së Shtetit. Në dosjet lidhur me veprimtarinë kontrolluese të bankës është zbuluar edhe një Raport Auditi, që provon falsitetin e kontrollit të situatës së stabilitetit dhe sigurisë financiare në bankë për vitin 2013. Raporti i auditit fals, gjoja të ushtuar në bankën e shtetit është bërë në periudhën shkurt-mars 2014, prej dy shoqërive audituese ortake shqiptare e maqedonase, të zgjedhura nga Fullani pa konkurrim. Këto shoqëri auditi, kanë firmosur Raportin e Auditimit në Bankën e Shtetit Shqiptar, në datën 18 mars 2014, me emrat “Grant Thornton sh.p.k Tiranë-Shqipëri” dhe “Grant Thornton DOO Shkup-Maqedoni”. Ja çfarë thotë vlerësimi i auditit të tyre, shpallur në 18 mars 2014, vetëm 4 muaj përpara se të zbulohej vjedhja në bankë: “Kontrolli i veprimtarisë së bankës së shtetit shqiptar për vitin 2013, u krye në përputhje me planin e auditimit të brendshëm të bankës, miratuar nga Inspektori i Përgjithshëm, pas komunikimit të tij me Guvernatorin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Për vitin 2013, u planifikuan gjithsej 15 angazhime auditimi për dhënie sigurie, nga të cilët janë përfunduar e raportuar pranë administratorëve 13 raporte auditimi dhe 2 raporte investigimi. Gjatë vitit 2013, u adresuan gjithsej 75 rekomandime të reja dhe 24 rekomandime të kaluara me status “në proces/pa zbatuar”. Përmbledhja e tyre në formë raportesh periodike është paraqitur pranë Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Sipas vlerësimit tonë, pasqyrat financiare paraqesin në mënyre të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin pozitiv financiar të Bankës së Shqipërisë deri më 31 dhjetor 2013, rezultatin e saj financiar dhe flukset e saj të parasë, për vitin e mbyllur në atë datë, në përputhje me politikat kontabël të zbatuara nga Banka e Shqipërisë”
Ja sa herë janë shpërblyer shefat e bankës, në 10 vitet “Fullani”
1. Ardian Fullani 387 shpërblime
2. Elisabeta Gjoni 283 shpërblime
3. Petraq Milo 265 shpërblime
4. Adrian Civici 285 shpërblime
5. Dhori Kule 308 shpërblime
Ermelinda Meksi 42 shpërblime
———————————————————-
Ja 20 motivet e çuditshme, të disa prej shpërblimeve që ka akorduar Fullani
1. Shpërblim për 1 Majin, festën e punëtorëve
2. Shpërblim për 1 Qershorin
3. Shpërblim për harmoni dhe mirëkuptim në kolektiv
4. Shpërblim për liberalizmin e vizave
5. Shpërblim për vizitën e ish-Presidentit Xhorxh Bush
6. Shpërblim për futjen e Shqipërisë në NATO
7. Shpërblim për Vitin e Ri me 3 paga mujore.
8. Shpërblim për ditën e Shën Valentinit.
9. Shpërblim për 100 vjetorin e Çlirimit të Atdheut.
10. Shpërblim për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
11. Shpërblim në fillim vitin shkollor, për fëmijët e drejtuesve të bankës
12. Shpërblim për performancë të mirë të ekipit të volejbollit të bankës, në garat sportive.
13. Shpërblim për zbatim pa kundërshti, të urdhrave të dhëna prej guvernatorit
14. Shpërblim për sukses në aksion e mbjelljes së fidanëve në Tiranë.
15. Shpërblim mujor financiar, për ushqim suplementar të punonjësve
16. Shpërblim 6 mujor, për 15 ditë pushime verore dhe 15 ditë pushime dimërore
17. Shpërblim për zbatim korrekt të orarit zyrtar në punë.
18. Shpërblim për mos nxjerrje të sekretit, të problemeve të bankës.
19. Shpërblim për “Mobilim dhome pune në shtëpi”, për 52 drejtuesit kryesorë të bankës.
20. Shpërblim me rastin e marrjes së certifikatës ndërkombëtare: “Banka më profesionale, më transparente, më e sigurte në rajon”.