Fundi i bukurshkrimit, shkollat do t’i japin përparësi kompjuterit
Nga viti i ardhshëm, fëmijët në Finlandë nuk do të mësohen detyrimisht të shkruajnë me shkrim dore. Në vend të mësimit të kësaj aftësie, shkollat do të japin mundësinë primare të mësimit të shkrimit në tastierë kompjuterike.
Këshilli Kombëtar për Arsimin tha se ndryshimi reflekton sesi aftësitë e shkrimit në kompjuter janë më të rëndësishme sesa bukurshkrimi, por ekspertët pretendojnë se kjo lëvizje mund të dëmtojë zhvillimin e trurit të fëmijëve.
Ndryshimet nuk do të hyjnë zyrtarisht në zbatim deri në fillimin e vitit shkollor të vitit 2016.
Minna Harmanen nga Këshilli Kombëtar për Arsimin tha se aftësitë e rrjedhshme të shkrimit në kompjuter, janë një kompetencë e rëndësishme kombëtare.
Ky ndryshim pason atë të bërë nga SHBA-ja në shtator të vitit 2013, e cila hoqi bukurshkrimin si një aftësi e detyrueshme.
Deri para një viti, 43 shtete miratuan standardet. Karolina e Veriut kërkoi që ndryshimi të mos bëhej dhe që nxënësit të mësonin bukurshkrimin e zakonshëm, por kjo çoi në disa ankesa.
Ndërsa shkrimi i dorës është ende i rëndësishëm, bukurshkrimi në vetvete nuk është një aftësi që i hyn në punë kujtdo.
“Shumica e njerëzve do të binin dakord se kushdo duhet të jetë në gjendje të marrë një stilolaps dhe të shkruajë një mesazh me dorë të lexueshëm për të tjerët”, tha Misty Adoniou, një profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë në Universitetin Canberra.
Por përtej të qenët e lexueshme, a ka ndonjë rëndësi sesi janë formuar shkronjat, kapitale apo me bukurshkrim?
Është zbuluar se në moshën tetëvjeçare, fëmijët janë në gjendje të shkruajnë në tastierë më shpejt sesa shkruajnë me dorë. Por, një kërkim më i detajuar është shprehur se mësimi i bukurshkrimit përmirëson aftësitë motorike dhe pamore të një personi, koordinimin sy-dorë, ndërgjegjen hapësinore dhe funksionet konjitive dhe zhvillimin e trurit.
Automaticiteti është teoria sipas së cilës sa më pak të përqendrohet një person në formimin e shkronjave siç duhet, më shumë hapësirë në tru i përkushtohet përcjelljes së saktë të mesazhit.
Megjithatë, automaticiteti në shkrim është lehtësisht i prekshëm edhe në tastierë dhe sipas Adoniou-t është më e dobishme t’i mësosh dikujt të shkruajë në kompjuter, sesa t’i mësojmë një lloj bukurshkrimi.
Shkrimi i dorës dhe truri
Në studimin më të fundit nga Universiteti Indiana, kërkuesit kryen skanime të trurit të 5-vjeçarëve përpara dhe pas dhënies së detyrës së mësimit të një shkronje.
Te fëmijët që u praktikuan të mësojnë shkronjën me dorë, aktiviteti i neuroneve ishte më i lartë dhe i ngjante më tepër atij të një të rrituri sesa te fëmijët që vetëm i panë shkronjat.
Dhe, i ashtuquajturi ‘qarku i të lexuarit’ në tru, një rajon i ndërlidhjeve që aktivizohet kur lexojmë, ishte më aktiv gjatë shkrimit të dorës, ndërsa te shkrimi në tastierë nuk ishte aktiv.
Gjithsesi shkrimi i dorës luan një rol vendimtar në zhvillimin e trurit. Pavarësisht se teknologjia është gjerësisht e përhapur dhe i bën gjërat më shpejt dhe më lehtë, efektet e mësimit të shkrimit të dorës, janë shumë pozitive.
Sipas kërkimeve, akti fizik i shkrimit me dorë lehtëson ruajtjen e informacionit dhe lejon rrjedhjen e ideve.
Më herët këtë vit, dizenjuesja e LeapFrog, program kompjuterik që ndihmon në mësimin e fëmijëve, Judy Sherman Levos tha se shkollat po heqin qafe stilolapsat dhe letrat, duke i zëvendësuar ato me tableta.
Ajo tha se ka një përqendrim në rritje te aftësitë që shkojnë përtej kurrikulës bazë, përfshirë aftësitë si bashkëpunimi, muzika dhe krijimi ose zgjidhja e problemeve.
“Teknologjia mund të inkurajojë dhe mbështesë shumë objektiva të zhvillimit të fëmijëve, si aktiviteti fizik dhe shëndeti”, shpjegoi Levos.
Ekziston një studim që mbështet idenë se fëmijët mësojnë më mirë kur argëtohen.
Ka shumë gjëra që mund të bëhen në shkollë, përveç mësimeve të bukurshkrimit. Pavarësisht sesa përpiqemi të standardizojmë bukurshkrimin, ne të gjithë kemi stilin tonë.
“Ndoshta ka gjëra të tjera më të mira për të bërë në shkollë, sesa t’u japësh fëmijëve të plotësojnë faqe të tëra me ushtrime bukurshkrimi”, tha Adoniou.
*Burimi: Daily Mail.