Në Bashkimin Evropian Shqipëria nuk mund të hynte me Kodin Penal ekzistues. Detyrimisht si ky kod dhe Kodi Civil duhet të plotësojnë kërkesat e drejtësisë evropiane. Me të drejtë Rama si Kryeministër dhe qeveria e tij vendosën të hartonin Kodin e ri. Lind pyetja se çfarë rruge zgjodhën? Nga mos thellimi, mosdija apo vetëkënaqësia (se ne shqiptarët jemi të zotë për çdo gjë), vendosën të krijonin grupin që do të hartonte Kodin Penal me juristë të Shqipërisë. Kjo në një kohë që Rama e di shumë mirë nivelin e Drejtësisë sonë me specialistë edhe të kohës së merhumit, edhe të kursit berishjan të plepave të Durrësit si edhe me juristë nga fakultetet tona ku jo rrallë herë diplomat edhe janë blerë. Po edhe sikur ekspertët e grupit të përzgjedhur të ishin të përgatitur shumë mirë profesionalisht, ata nuk njohin kërkesat e legjislacionit të vendeve të Bashkimit Evropian. Doemos, puna e tyre vullnetare ( pa pagesë), do të ishte e çalë, sepse Drejtësia jonë ishte dhe mbetet e korruptuar. Edhe me SPAK-un që janë bërë hapa të rëndësishëm përpara, nuk mund të themi se jemi në nivelin e drejtësisë që kërkon Evropa. Edhe SPAK, në vijim të traditës sonë ,të arreston jo se ka prova, po për t’i gjetur ato në hetuesi?! Shembuj tipikë të Drejtësisë larg parametrave evropiane janë arrestimi i ish Presidentit Ilir Meta dhe i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ka edhe më: zvarritja e dosjes së 21 janarit prej kaq vitesh, kur Strasburgu ka thënë që ishte vrasje shtetërore, është një njollë turpi edhe për SPAK-un.
Duke qenë drejtësia jonë në këtë nivel të papranueshëm për kohën, si mundet që këta njerëz të jenë të aftë të bëjnë një Kod Penal për të hyrë në Bashkimin Evropian?! Një utopi që vetëm Rama me ministrat e tij mund ta gëlltisin. Për këto arsye qeveria jonë ose vetë direkt zoti Rama do të qenë treguar të zgjuar po të kishin kërkuar nga BE që në grupin e punës për hartimin e Kodit Penal të na sillnin një ose disa specialistë. Po të ishte vepruar kështu kishim për të pasur një Projekt-Kod Penal të denjë për ta pranuar Brukseli.
Rama dhe qeveria, sidomos Ministria e Drejtësisë, ”harruan” të kishin parasysh edhe praktikën historike të Kodit Penal të Shqipërisë. Nuk e kam fjalën për Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe as për atë të viteve të PPSH-së. Mjafton vetëm koha e Ahmet Zogut, i cili i kushtoi rëndësi të madhe drejtësisë. Është për t’u lavdëruar mënyra se si ai e zgjidhi ngërçin e Kodit Penal dhe Kodit Civil?
Këtë e kam mësuar nga një bisedë që pata bërë me babanë tim. Ai ishte lindur në Dhërmi. Sa mora vesh që kur u diplomua nga Universiteti i Romës nuk dinte mirë shqip, e pyeta:” Si punove avokat kur nuk mund të lexoje Kodin Civil si dhe atë Penal?” Përgjigja e tij:
Ahmet Zogu që donte të modernizonte Shqipëri-
në ,për çështje kohe dhe me që juristët qenë të pakët, të dy kodet i mori nga Turqia.
Edhe Ataturku kodet i kishte marrë nga Franca. Nuk mund t’u besonte juristëve të shkollës aziatike hartimin e ligjeve bazë të drejtësisë moderne. Me që në shkollë kisha bërë frëngjisht, punova me kodet e Francës. Ishin njësoj me kodin tonë.
Veprim i zgjuar i Ataturkut dhe Ahmet Zogut që vetëm pse donin të ndiqnin rrugën e shteteve të Evropës, drejtësinë e bazuan te ligjet e Francës. Ne që kemi nisur mirë rrugën për të na pranuar Evropa, e mbajmë hundën pak si përpjetë dhe e katranosim me nene që, siç po thuhet, na kthejnë pas. Megjithatë nuk ka vend për t’u dëshpëruar. Bashkimi Evropian u tregua menjëherë i gatshëm për të na ndihmuar. Ata po studiojnë Projekt- Kodin tonë Penal dhe kanë për të bërë vërejtjet e sugjerimet e tyre. Ata e thonë me modesti fjalën vërejtje ose përmirësime. Në të vërtetë ato ” vërejtje” ose ” këshillime” kanë për të qenë të domosdoshme. Vetëm me ato rregullime Kodi Penal i Shqipërisë ka për të marrë dritën e gjelbër të BE-së. Po thuhet se për projektin ka për të pasur një diskutim masiv nga institucionet e drejtësisë, shoqëria civile dhe nga Kuvendi. Sa për diskutimet në Kuvendin tonë ka fare pak gjasa që ato të jenë produktive. Deputetët juristë jo vetëm numërohen me gishta, po nuk janë profesionalisht në nivelin që kërkon hartimi i ligjeve të BE-së. Çfarë mund të dalë nga diskutimet e tyre?! Mendoni si ka për të dhënë ndihmesën e tij për të përmirësuar nenet e Projekt-Kodit Penal ”juristi” Gaz Bardhi?! Deputetët e tjerë, që nuk janë juristë, patjetër në kor kanë për të ”kënduar” ashtu si do t’i mësojnë partitë d.m.th: Edi Rama dhe Sali Berisha.
Në këto kushte Kryeministrit dhe qeverisë së tij i bie barra , më mirë vonë se kurrë, të kërkojë nga BE që specialistët e saj t’i japin dorën e fundit, atë përmbyllëse, Projektit të Kodit Penal për të cilin po bëhet kaq zhurmë. Deri sa ai projekt-Kod ka për të marrë miratimin e Brukselit, pse juristë nga Evropa mos të na ndihmojnë për ta bërë gati për miratim? Po këmbëngulëm te diskutimet e juristëve tanë , deputetëve dhe të shoqërisë civile që nuk e kanë haberin e kërkesave strikte të legjislacionit të BE-së, ai projekt vështirë se ka për t’u pranuar. Nuk besoj që Kryeministri ynë , i cili vlerëson arritjet Evropës, sidomos për arkitektët, të mos ketë të njëjtin vlerësim edhe për juristët e Brukselit. Jam i bindur që ai ka për t’i ftuar të na ndihmojnë për një Kod Penal modern.