Gafa e Britanisë ndaj familjes siriane që kërkon azil: Merrni 3 mijë paund dhe shkoni në Shqipëri
Një familje siriane që prej vitesh jeton në Skoci, në pritje të zgjidhjes së çështjes së azilit, ka marrë një ofertë të pazakontë nga autoritetet britanike: 3 mijë paund ndihmë financiare për të nisur një jetë të re në Shqipëri, një vend me të cilin familja nuk ka asnjë lidhje.
Sipas gazetës skoceze The Sunday National, propozimi është komunikuar përmes një letre zyrtare të Ministrisë së Brendshme britanike (Home Office), drejtuar 39-vjeçarit sirian Fadi Alsakka, i cili jeton në Glasgoë së bashku me bashkëshorten Lojain dhe dy fëmijët e tyre, Ayman, 11 vjeç, dhe Ayla, 10 vjeçe.
“Në letër thuhet se kjo ndihmë financiare mund t’i ndihmojë familjes të ndërtojë të ardhmen e saj afatgjatë në Shqipëri.
Për familjen siriane, përmendja e Shqipërisë ishte e papritur, pasi asnjë prej anëtarëve të saj nuk ka lidhje familjare, shoqërore apo përvojë të mëparshme jetese në vendin tonë.
“Gabime të tilla nuk mund të tolerohen kur bëhet fjalë për jetën dhe të ardhmen e njerëzve. Një gabim i tillë mund të jetë fatal”, u shpreh Alsakka për The Sunday National.
Dyshime për saktësinë e procedurave të azilit
Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si autoritetet britanike trajtojnë dosjet e azilkërkuesve, në një kohë kur qeveria po përpiqet të përshpejtojë shqyrtimin e mijëra aplikimeve të mbetura pezull.
Familja dyshon se gabimi në dokumentacion mund të lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset administrative të Home Office.
Këto shqetësime vijnë pas një raportimi të gazetës The Independent, sipas të cilit sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura nga autoritetet britanike nuk kishin përmbushur standardet e kërkuara të saktësisë në 22% të rasteve të shqyrtuara.
Megjithatë, deri më tani, nuk ka të dhëna që të konfirmojnë se letra e dërguar familjes Alsakka është rezultat i një gabimi të shkaktuar nga inteligjenca artificiale.
Rasti rikthen vëmendjen te pasojat që mund të kenë gabimet administrative në procedurat e azilit, ku vendimet e autoriteteve mund të ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e familjeve që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.