Arte

Galeria e Arteve, në karantinë

GKA do t’i nënshtrohet dezinfektimit nga data 28 gusht deri më 6 shtator

Pas më shumë se katër vjetësh, Galeria Kombëtare e Arteve do t’i nënshtrohet dezinfektimit nga data 28 gusht deri më 6 shtator. Pas alarmit të dhënë shpesh në media mbi gjendjen e fondit të këtij institucioni dhe reagimeve publike të njerëzve që merren me artin, GKA do t’i nënshtrohet këtij procesi që duhet të ishte i zakonshëm çdo vit për një institucion të këtyre përmasave. Dezinfektimi nuk do të përfshijë vetëm pjesën e fondit, aty ku ruhen rreth 5 mijë vepra arti, por të gjitha mjediset, sallat dhe hapësirat e saj. Duket që kërkesat e vazhdueshme të drejtorit të GKA-së, Artan Shabani, drejtuar Ministrisë së Kulturës për fonde që do të bënin të mundur dezinfektimin, nuk kanë marrë përgjigje, pasi, sipas njoftimit të GKA-së, është kompania “Air”, pjesë e “Vinipharma Medical Group”, e cila vullnetarisht është angazhuar të bëjë dezinfektimin e GKA-së. Fondi i Galerisë prej kohësh vuan mungesën e një hapësire më të madhe, apo nevojën për të bërë ndërhyrje te veprat që pas ca vitesh kanë nevojë për t’u restauruar. Shtyrja në kohë e dezinfektimit, që duhet të ishte një proces që bëhej çdo vit në Galeri, e bëri gjendjen e fondit në alarmante. Shumë vepra rrezikojnë të prishen përfundimisht për shkak të dëmtimit nga insektet, apo kushteve jo të favorshme në të cilat ndodhen. Pak kohë më parë, kuratori holandez Vincent Van Gerven Oei, i ekspozitës “Punëtorët dalin nga studioja dhe nuk shohim më realizëm socialist” që u hap në GKA, tha se gjendja në të cilën ndodhen veprat në këtë institucion është emergjente. Vetë drejtori Shabani e pranoi këtë situatë, duke thënë se kërkesat drejtuar ministrisë për ndërhyrje nuk kanë marrë përgjigje. Bashkë me faktin që GKA do t’i nënshtrohet dezinfektimit, GKA kërkon bashkëpunimin e Prokurorisë së Tiranës për zgjidhjen sa më shpejt të problemit të mbi 400 objekteve/ikonave të sekuestruara dhe të magazinuara në katin e tretë të godinës. “GKA i ka kërkuar zyrtarisht këtij institucioni, duke cilësuar të domosdoshëm, vendosjen në karantinë të këtyre ikonave në mënyrë që procesi i dezinfektimit të jetë i suksesshëm dhe të mos rrezikojë veprat e tjera të artit që ruhen në institucionin tonë”, thuhet në njoftim. Në fakt, strehimi i këtyre objekteve të trashëgimisë kulturore në Galeri, e rënduan më shumë situatën në institucion, kjo pasi këto vepra nuk ishin të dezinfektuara dhe mbartnin insekte që kanë infektuar gjithë institucionin. Pak kohë më parë, në një intervistë për “Shqip”, Shabani është shprehur se zgjidhja më e mirë për fondin do të ishte ngritja e një godine të re në hapësirën pranë GKA-së, e cila do të shërbente për të transferuar gjithë fondin, dhe ku veprat mund të ruheshin sipas standardeve bashkëkohore. Në katin e parë të kësaj godine të ishte pjesa e laboratorit për restaurimin dhe kujdesjen ndaj këtyre veprave të artit, ndërsa në pjesën tjetër të ruheshin këto vepra në kushte komode, larg lagështirës dhe ndriçimit. Sipas Shabanit, godina e re, jo vetëm do të shpëtonte fondin, por do t’i jepte dhe një dimension tjetër Galerisë, duke zgjeruar hapësirat brenda saj, për ekspozim. Pjesa ku sot ruhet fondi i GKA-së mund të ishte një hapësirë e re ekspozimi. Dezinfektimi që pritet të nisë në fund të gushtit, nuk është se e zgjidh çështjen e gjendjes së veprave në fond, pasi pjesa më e madhe e tyre ka nevojë dhe për ndërhyrje. Një nga sfidat që drejtori Shabani mori kur erdhi në krye të këtij institucioni ishte dhe rikthimi në fond i veprave që ishin larguar prej Galerisë, duke shërbyer për zbukurime në institucione të ndryshme shtetërore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button