Gara për Tiranën, Tabaku: Kandidati i opozitës duhet të ketë përvojë politike dhe menaxhuese
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka folur për sfidat e opozitës në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore, situatën brenda PD-së, protestat dhe profilin që duhet të ketë kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Në një intervistë në podcastin “Albania Newscast” me gazetarin Arbër Hitaj, Tabaku u ndal veçanërisht te gara për kryeqytetin, duke argumentuar se modeli aktual i qeverisjes së Tiranës është konsumuar dhe se opozita ka nevojë për një kandidat që njeh administratën dhe realitetin e qytetit.
E pyetur nëse kandidati duhet të jetë një figurë jashtë politikës, Tabaku u shpreh se për drejtimin e Tiranës nevojitet një profil me eksperiencë politike dhe aftësi menaxhuese.
“Për këtë arsye mendoj që fibra politike duhet, sepse ke nevojë për një staturë tjetër për ta administruar Tiranën. Ka nevojë që të jetë një kandidat që në radhë të parë di të menaxhojë, di të administrojë, di t’u përgjigjet qytetarëve”, tha ajo.
Sipas Tabakut, një kandidat pa eksperiencë politike mund të jetë më i ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme, ndërsa drejtimi i kryeqytetit kërkon një figurë me përvojë dhe autonomi në vendimmarrje.
Deputetja e PD-së u pyet edhe për të ardhmen e saj politike dhe mundësinë që një ditë të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Tabaku kujtoi se PD-ja ka aktualisht një kryetar, ndërsa për veten tha se e sheh angazhimin e saj të lidhur me punën parlamentare dhe përfaqësimin e qytetarëve për aq kohë sa ka energji për të kontribuar.
Duke folur për protestat dhe pakënaqësinë qytetare, Tabaku pranoi se opozita ka bërë gabime në të kaluarën, duke përmendur djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019.
Megjithatë, ajo tha se Partia Demokratike ka qenë vazhdimisht në krye të denoncimeve për çështje që lidhen me korrupsionin dhe marrëdhëniet mes pushtetit dhe ekonomisë informale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.