Gazeta “Sudeutsche zeitung” për ekspozitën e Ramës: Skicime të vogla, ide të mëdha
Gazeta gjermane “Sudeutsche zeitung” i ka kushtuar një artikull ekspozitës së kryeministrit Edi Rama në Mynih. Në galerinë e arteve “Kampl Gallery” që prej të premtes në mbrëmje janë të ekspozuar mbi 100 piktura të Kryeministrit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun nga e marta në të shtunë, deri më 10 tetor.
Shkrim i gazetës gjermane Sudeutsche zeitung:
Skicime të vogla, ide të mëdha
Nëse besoni tek forumet përkatëse psikologjike mbi interpretimin e skicimeve telefonike, atëherë, Kryeministri shqiptar Edi Rama duhet të jetë me humor dhe serioz, emocional dhe racional, agresiv dhe i sigurt, por edhe në ankth, i turpshëm, dhe i përmbajtur. Ka aq shumë interpretim të përgjithshëm psikologjik rreth këtij lloji vizatimesh, saqë pothuajse çdokush gjen vetveten. E kush, herë pas here, gjatë një telefonate, nuk ka skicuar mbi një copë letër në tavolinën e shkrimit apo mbi shkresa ekzistuese, duke e shtrirë fantazinë deri në cep të letrës.
Pavarësisht nga ajo që ndodhet në letrën që ai ka përpara tij, do të transformohet në bartës imazhi. “Vizatimet e Përditshme” (Daily Drawings) nga Edi Rama – Galeria Kampl ka ekspozuar me rastin e Open Art një përzgjedhje të punimeve të skicuara gjatë një periudhe kohore prej gati 15 vitesh – në të vërtetë marrin shkas nga situata të ngjashme: ndërsa ai (Kryeministri) telefonon, punon, është në takime zyrtare apo diskutime. Kur dhe gjithmonë, pa marrë parasysh atë që ai ka në letrën para tij, do të shndërrohet në bartës imazhi. Kështu, do të gjeni fleta kalendari me data takimesh, fakse dhe letra (disa me vulën dhe nënshkrimin e organeve zyrtare) dhe emaile të printuara.
Dhe nuk bëhet fjalë aspak për fincione artistike, dhe as për pretendime “është sikur”. Janë realisht shkresa nga zyra e tij. Ai vetë pohon: “Nuk bëj dot ndryshe. Duhet të skicoj. Çdo ditë. Ndonjëherë mund të jenë disa fletë, herë tjetër vetëm një. Sa fletë mund të kem skicuar në këtë mënyrë? “Ndoshta mijëra” – shprehet ai gjatë një interviste, në një nga Hotelet e Mynihut. Rama ka udhëtuar posaçërisht për të marrë pjesë në hapjen e një ekspozite me punimet e tij. Jo si i ftuar shteti, por si artist. Fletët e punimeve të tij plot ngjyra të gjalla (fillimisht ai punonte vetëm bardh e zi) do të mund të merreshin thjesht si skicimet e një politikani – nëse Edi Rama nuk do të kishte qenë në formim një piktor i shkolluar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Hapat e tij të parë ndërkombëtarë në skenën e artit ai i ndërmori bashkarisht me bashkatdhetarin e tij të njohur për videot e punimeve të tij Anri Sala, nga mesi i viteve 1990, në Paris, ku kishte emigruar përkohësisht. Prej asaj kohe, ai mori pjesë në bienalet në San Paolo dhe në Venecia. Si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, një post që ai e mbajti nga viti 2000 në vitin 2011, ai e ngjyrosi kryeqytetin me ngjyra. Ajo që ngjante si një shaka u dha në fakt njerëzve disi shpresë. Ai shprehet sot se ishte ”një shenjë zgjimi”.
Nga 1998, kur Rama hyri në politikë, zyra e tij është dhe atelieja e tij. Në tavolinën e tij të punës qëndrojnë kuti e mbajtëse të panumërta me bojëra dhjami, bojëra tushi e ngjyra. Puna e tij e ka ndryshuar, që kur merret me politikë, thotë ai, por se në çfarë mënyre, këtë ai nuk di ta përshkruajë. “Mendimet e mia drejtojnë dorën time, por unë nuk i shoh veprat si shprehje e gjendjes sime shpirtërore” – siguron ai. Nëse dëshironi të interpretoni luhatjen mes figurave dhe abstraksioneve të veprave të tij, do ju duhet të hamendësoni se, Rama e sheh organizmin e njeriut si një metaforë të ciklit të jetës politike dhe ekonomike: Kështu, mjaft motive zgjojnë asocime në zemër dhe mushkëri, aty ku pulson jeta. Talenti i tij luftarak si politikan, përkon me forma si ajo e duarve. Po kështu mund të dallohen dhe figura e fytyra njerëzish e kafshësh. Në të njëjtën kohë, shumica e kompozime të tij thyhet sikundër punimet kubiste dhe kondensohet diku gjetkë në strukturat biomorfe. Skimicet, lexon ai, janë të mira kundra stresit. Prandaj si Kryeministër ai po përpunon disa prej tyre, pasi Shqipëria po përjeton një eksod të të rinjve drejt perëndimit. Ai beson, se nuk mund t’i ndalë ata. Por, njëkohësisht dëshiron t’i ofrojë mundësinë për t’u formuar mirë, kështu që ata të mos trokasin në dyert e Evropës si azilkërkues, por si fuqi punëtore. Dhe më pas, ai shpreson, se një ditë ata do të kthehen pas – ashtu si vetë Edi Rama.
EVELYN VOGEL
Edi Rama: Daily drawings, Galerie Kampl, Buttermelcherstrase 15, deri më 10 tetor, nga e marta deri të shtunën, në orën 12.00 – 19.00, gjatë Open Art të shtunën dhe të dielën, në orën 11.00 – 18.00.