Gazetari amerikan: SHBA ka dorën më të pastër të pisët në botë!
I njohur në vendlindje edhe si autor librash, Thomas L. Friedman, bën një analizë të zhvillimeve aktuale, ku përqendrohet te kriza në botën arabe dhe rolin e SHBA-së sot në botë. Dhe në rrëfimin e tij, ai elaboron teza politike e parathotë ide sa interesante, aq edhe të debatueshme .
Bota arabe momentalisht ndodhet në një gjendje të vështirë. Islamikët radikalë e para së gjithash, Shteti Islamik, mbajnë të pushtuara territore të konsiderueshme e po shkaktojnë shumë gjakderdhje në Irak, Siri e Libi. Qindra europianë po udhëtojnë në ato vende, për t’iu bashkuar terroristëve dhe së bashku të ndërtojnë kështu një shtet të orientuar kundër vlerave perëndimore.
Masakrat kanë shkaktuar një emigrim të paimagjinueshëm të popullsisë. Nga vendet në konflikt po vërshojnë ndërkaq mijëra drejt Europës. Vetëm këtë vit janë mbytur mijëra vetë në Mesdhe. Ky është pra vetëm fillimi i një zhvillimi dramatik, paralajmëron gazetari amerikan dhe autori i librave, Thomas L. Friedman, në një intervistë që ai ka zhvilluar së fundmi me një të përditshme të mirënjohur nga kontinenti i vjetër.
“Kriza e refugjatëve që ne po përjetojmë”, thotë ai, nuk është veçse fillimi i shndërrimeve e zhvendosjeve të mëdha epokale, më të mëdhatë qysh nga koha e Luftës së Dytë. Miliona njerëz duan të shkojnë nga bota e tyre e kaosit, në atë të rregullit e qetësisë”, thotë gazetari i famshëm për gjermanen “Die Welt”.
“Shumë shtete do të shpërthejnë”
Vende si Libia, Siria apo dhe Jemeni – sipas tij – do të zhyten edhe më thellë në kaos, në luftë civile. Problematika në këto vende për Friedman është një sistem “i Pasluftës së Ftohtë”. “Nëpërmjet rënies së superfuqive, sot ligjet në botë do t’i bëjnë tregjet. Shumë shtete, të cilat gjatë Luftës së Dytë kanë përfituar nga paratë e superfuqive, tashmë do shpërthejnë”.
Në botën arabe, përtej rënies së linjave ndarëse mes komunizmit dhe kapitalizmit dhe mungesës së një dore të fortë, kjo bëhet edhe më evidente: “Asnjë turk më në Perandorinë Osmane. S’ka më francezë apo anglezë. S’ka më diktatorë dhe as mbretër. Bota arabe do të jetë një shkatërrim“, thotë Friedman në mënyrë të përmbledhur për gazetën gjermane.
“Këto, nëpërmjet ‘Pranverës arabe’ – pra revolucionet në Tunizi, Siri, Jemen, Egjipt – prodhuan liri të madhe, por që u abuzuan”, thotë Friedman. “Liria, për të shpërndarë vlera dhe për të ndërtuar institucione, nuk u prit si duhet, pasi disa donin ta përdornin lirinë, për t’u bërë edhe më radikalë dhe më sektarë”.
Friedman sidoqoftë e ka përshkuar si një gabim shumë të madh t’i kërkosh Europës, të presë miliona njerëz. “Emigrantët, që erdhën dikur në Amerikë, ndanë asokohe identitetin tonë. Kurse sot vijnë njerëz me identitetin e tyre me valixhe në Europë”, thotë gazetari që është edhe autor i disa librave.
Por Friedman u përgjigjet edhe pyetjeve të tjera me një domethënie po aq madhore, duke nxjerrë sentenca që tingëllojnë sa interesante, aq edhe të padëgjuara e të paartikuluara më parë në lidhje me rolin apo forcën që zë e duhet të zërë SHBA sot në botë.
Ai thotë se ne (d.m.th. SHBA) do të jemi të fortë nëse do të jemi një shembull i mirë për tregjet dhe njerëzit e lirë.
“Demokracia jonë aktuale është demokracia më e mirë që mund të shesësh. Dhe megjithatë, ne jemi edhe më të mirë, se ç’e mendon shumëkush sot në botë. Ne kemi dorën më të pastër të pisët në botë”.
Amerika nuk është ajo që duhet të ishte
Por ne nuk jemi dot ata që duhet ose mundet të ishim. Ne jemi një shoqëri pluraliste në një gradë të lartë. Ne kemi ndërtuar një botë rrjetesh. Një rrjet qendrash të dhënash dhe një rrjet tregjesh. Ne – nëse shohim pak më në thellësi – kemi kopjuar botën natyrale.
Si mund të jetë kjo e fundit e qëndrueshme, e ndoshta edhe e qëndrueshme? Ajo çka na shtyn bota natyrale, nuk është përshtatshmëria ose evolucioni sipas Darvinit, por e “adaptueshmja”, pra aftësia për t’u përshtatur. Ekosistemi nuk është një bllok i madh njëdimensional, por përmban shumë rrjete të vogla, specie që janë të shumëllojshme e shumëformëshe.
Çfarë na thotë kjo? Kulturat dhe shoqëritë tona duhet të jenë të zhdërvjellëta e të afta për t’u përshtatur, të bazohen në rrjete jo të përqendruara dhe të jenë në një shkallë të lartë pluraliteti. Kjo në kohën e ardhshme, ku të gjithë do të dobësohen nga autoriteti sipëror, e bëjnë edhe më të rëndësishëm këtë.
Pushoni së trajtuari Amerikën si një vend ku policët qëllojnë hapur mbi të rinjtë me ngjyrë. Ne kemi zgjedhur dy herë një njeri me ngjyrë, emri i dytë i të cilit është “Hussein”, ngaqë gjyshi i tij ishte mysliman. Më thoni pak, ku është e mundur kjo?
Duke iu rikthyer Lindjes së Mesme, ai thotë se ai është një rajon i qeverisur në mënyrë autoritare pa pluralitet. Ose dhe kështu: nga pluraliteti i përqendruar në një grusht të hekurt. Por kur ai nuk është më, atëherë puna degjeneron në Irak apo Siri.
Përgatiti: Armand Plaka