Gazetari nga Bosnja e Hercegovina, Milaviq: Samiti i NATO-s në Ankara ndër më të rëndësishmit e viteve të fundit, Ballkani nuk pritet të jetë në fokus
Redaktori i politikës së jashtme në televizonin “N1 në Bosnje e Hercegovinë” Esmir Milaviq, ka deklaruar se Samiti i NATO-s në Ankara pritet të jetë një nga më rëndësishmit në historinë e fundit të Aleancës, për shkak të situatës së ndërlikuar globale dhe zhvillimeve politike brenda vetë NATO-s.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore është se samiti po mbahet në një kohë kur bota po përballet me disa konflikte të mëdha, përfshirë luftën në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme.
“Ky samit pritet të jetë një nga më interesantët në historinë e fundit, sepse aktualisht kemi disa konflikte në botë, si lufta në Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme”, ka thënë Milaviq, shkruan Telegrafi.
Ai ka shtuar se një rol të rëndësishëm në këtë takim pritet ta ketë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, jo vetëm për shkak të pozitës së tij, por edhe për raportet e ndërlikuara me disa liderë të NATO-s.
Sipas Milaviq, këto raporte mund të ndikojnë edhe në ecurinë dhe suksesin e samitit.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas tij, është Turqia si vend nikoqir, pasi Ankaraja synon të luajë një rol më të madh gjeopolitik.
Duke folur për Ballkanin, Milaviq ka vlerësuar se rajoni me shumë gjasë nuk do të jetë pjesë e agjendës zyrtare të samitit.
Ai ka theksuar se as vendet që aktualisht janë jashtë NATO-s, përfshirë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë, nuk pritet të jenë temë qendrore.
www.instagram.com
Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që Ballkani të përmendet në diskutime, veçanërisht për shkak të pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe reduktimit të numrit të trupave.
Sipas tij, pas vendimit të mëhershëm për rritjen e pranisë ushtarake, tani vlerësimi është se situata në Kosovë është përmirësuar, ndaj edhe numri i ushtarëve po zvogëlohet.
Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, Milaviq ka thënë se muajt e fundit nuk ka pasur zhvillime konkrete që do ta vendosnin këtë vend në qendër të agjendës së NATO-s.
Ai ka përfunduar se Ballkani, për momentin, nuk po trajtohet si çështje e “rëndësisë së parë”, por rajoni mbetet nën vëzhgim dhe mund të rikthehet në agjendën e Aleancës në të ardhmen./Telegrafi/.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.