Gazsjellësi polarizues – Nord Stream 2 përçan Europën
Projekti gjermano-rus për energji po përballet me kundërshtime të shumta. Së shpejti duhet të vendoset lidhur me të ardhmen e gazsjellësit të drejtpërdrejtë nga Rusia deri në Gjermani. Ukraina e SHBA kanë rezerva.
Gati një e treta e tubacioneve për përçimin e gazit rus janë vendosur në Detin Balltik. Projekti i ndihmon Rusisë të dërgojë një sasi shumë më të madhe të gazit në Gjermani, e prej atje edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Por rezistenca ndaj këtij projekti po shtohet. Në fillim kanë qenë kundër vetëm Ukraina dhe Polonia. “Projekti e vret Ukrainën”, tha së fundi ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz. Polonia mendon se me këtë projekt përjashtohet Ukraina nga tranziti, që do të thotë se humbasin edhe garancitë për mbrojtjen e këtij vendi nga agresionet e tjera të Rusisë. Varshava mendon se Nord Stream 2 paraqet një dëshmi për “mungesën e luajalitetit gjerman ndaj fqinjëve lindorë dhe krijimin e raporteve të veçanta me Rusinë”, thotë Kay-Olaf Lang, nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë.
Në Berlin është injoruar kjo kritikë. Por prej përfshirjes së SHBA në këto kritika, çështja ka marrë përmasa të tjera. Verën e kaluar Presidenti Donald Trump deklaroi: “Gjermania do të jetë tërësisht e varur nga energjia ruse, nëse nuk e ndërron menjëherë kursin e tanishëm.” Richard Grenell, ambasadori amerikan në Berlin, ka kërcënuar madje me sanksione sipërmarrjet gjermane të përfshira në këtë projekt. Uashingtoni duket se po e humb durimin: “Koha për veprim është tani”, tha një përfaqësues i lartë i qeverisë amerikane në një deklaratë për Deutsche Wellen. “Kur të përfundojë gazpërçuesi, Evropa do të humbë hapësirën e veprimit kundrejt Rusisë.”
Por qeveria gjermane është e mendimit se këtu kemi të bëjmë me interesa biznesi: SHBA është e interesuar që në Gjermani të shesë gazin e saj, sikundër bën tani me Poloninë. Në vitin 2016, Polonia ka hapur një terminal të madh për gazin amerikan në kufi me Gjermaninë. Ministri gjerman për Ekonominë, Peter Altmaier nuk ka përjashtuar as importet nga SHBA, por vetëm si plotësim shtesë për gazin rus – nëse çmimi është në rregull. Berlini pohon se nuk do t’u nënshtrohet në asnjë mënyrë presioneve nga jashtë. Këtë e ka theksuar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, në Forumin Ekonomik në Davos.
Ish-kancelari Schröder lobon për Rusinë
Për Rusinë ky është një projekt strategjik, sepse ky vend jeton në masë të madhe nga eksportet e gazit. Kremlini do të përfitojë sa më shumë nga këto burime. Ndërkohë që Moska synon të evitojë mundësinë që Ukraina dhe Polonia të ndërpresin furnizimin me gaz. Presidenti rus Vladimir Putin ka angazhuar ish-kancelarin Gerhard Schröder, me qëllim ndërtimin pa pengesa të projektit North Stream 2. Nëse shtohen kritikat, Moska do të jetë e gatshme të bëjë lëshime ndaj Ukrainës, por lëshime nuk do të ketë deri në përfundimin e projektit. Më pas Rusia mund të veprojë nga pozicione më të fuqishme.
Koha po kalon
Nord Stream 2 është një çështje e rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian. Këtu përplasen interesat e vendeve të ndryshme, ndaj Komisioni duhet të gjejë një zgjidhje për të gjithë vendet e BE. Komisioneri për Energji, Miguel Arias Canete ka deklaruar në vitin 2016 se Nord Stream nuk është një projekt me interes për të gjitha vendet e BE. Komisioni po përpiqet që të mos pengojë hapur shtrirjen e tubacioneve, por ai është i interesuar që projekti t’u përmbahet rregullave strikte të konkurrencës në BE.
Për një vendim të këtillë kërkohet miratimi i Parlamentit Evropian, Këshillit dhe shteteve anëtare. Polonia dhe vendet baltike janë kundër projektit Nord Stream 2. Ato mund të llogarisin me mbështetjen e Britanisë së Madhe, Danimarkës, Sllovakisë, Irlandës, Suedisë, Italisë, Luksemburgut dhe Kroacisë. Gjermania, Austria dhe Holanda duan në anën tjetër që Nord Stream 2 të mbetet në formën e tanishme. Firmat nga këto vende janë të përfshira në realizimin e projektit. Vendimtar do të jetë ndër tjera edhe qëndrimi i Francës, e cila ende nuk është prononcuar qartë. Nëse Parisi deklarohet kundër, atëherë projekti nuk do ta ketë shumicën e duhur. Por Franca tradicionalisht është në anën e Gjermanisë, ndërkohë që edhe koncerni francez Engie është i përfshirë në Nord Stream 2.
Presidenca rumune e BE po përpiqet të gjejë një kompromis. Por për këtë ka shumë pak kohë, sepse në maj do të mbahen zgjedhjet për PE. Më pas duhet të krijohet një Komision i ri, deri në nëntor. Ndërkohë projekti do të vazhdojë. E nëse Brexiti realizohet deri me 29 mars, atëherë kundërshtarët do të humbisnin një partner të fuqishëm.
Projekt politik?
Bllokimi i Nord Stream 2 duket i pamundur. Por kundërshtarët kanë arritur një fitore. “Varshava ka arritur që lidhur me këtë projekt ekonomik të hapë një debat i gjerë politik”, thotë Kay-Olaf Lang. Rezistenca ndaj Nord Stream 2 është rritur jo vetëm në vendet lindore por edhe në Gjermani ky projekt përdoret si një argument në debatet gjeostrategjike.
Kundërshtarët e Nord Stream 2 theksojnë në veçanti një deklaratë të kancelares Merkel nga prilli i vitit 2018. Pas një takimi me Presidentin ukrainas Petro Poroschenko në Berlin ajo tha se “gazpërçuesi nuk është vetëm projekt ekonomik por edhe politik”. Wolfgang Ischinger, shef i Konferencës së Sigurisë në Mynih, pohon se kjo deklaratë e Merkelit ka ardhur shumë vonë dhe se interesat e evropianolindorëve nuk janë trajtuar si duhet. Polonia, Ukraina dhe vendet baltike shpresojnë mbështetje më të fuqishme nga Gjermania.