“Gëzhoja” e vjetër (dhe a ka të tjerë në parlament që kanë vrarë njerëz)
Që në momentet e para kur, pas vrasjes së komisar Dritan Lamajt, u përfol emri i Arben Frrokut si autor i mundshëm, përveç përplasjeve të mëvonshme mes Frrokajve dhe Lamajt u përmend si arsye e mundshme edhe hetimi që Lamaj u kishte kërkuar eprorëve të tij, për një vrasje “të vjetër” në Bruksel ku dyshoheshin vëllezërit. Por përfolja është një gjë, dhe dokumenti është një gjë tjetër. Së pari te ndalemi tek një përpjekje e turpshme e manipulimit të opinionit publik përmes një ekrani televiziv dhe një portali lajmesh, si ABC News dhe Lapsi.al, duke fshirë datat e një dokumenti. A thua të jenë kaq dritëshkurtër autorët e marifetit, sa të besonin se dokumenti i plotë me datë dhe emër të mos dilte? Apo mjafton të bëjë zhurmën fillestare, pastaj punë e madhe, gjithçka harrohet dhe titujt mbulojnë njëri-tjetrin?!
Por le të kalojmë tek dokumenti i datës 23 mars 2012, në sfond të së cilës qëndrojnë konfliktet e herëpashershme që Lamaj kishte pasur me vëllezërit Frroku. Dritan Lamaj si shef komisariati dërgoi një letër zyrtare me numër protokolli 1646 drejtuar Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, por edhe pranë zyrave qendrore kombëtare Interpol në Tiranë, duke kërkuar informacione mbi Arben e Mark Frrokun: A ishte e vërtetë se dy vëllezërit Frroku që kishin jetuar në Belgjikë ishin të kërkuar nga autoritetet e Brukselit për vrasjen e një qytetari shqiptar?
Përgjigja nuk erdhi kurrë. Më saktë, erdhi në një mënyrë tjetër. Dritan Lamaj shkarkohet nga detyra e shefit të komisariatit të Kombinatit. Pas vrasjes së tij, del në shtyp një foto tashmë e njohur si “grupi çiftelia”, ku Arben Frroku shfaqet duke trokitur gotat me krerët më të lartë të Policisë së Shtetit. Asokohe, komisar Shemsi Prençi kishte deklaruar në emisionin “Top Story” se nuk mund ta komentonte ndryshe këtë foto, përveçse si festën e shkarkimit të Lamajt nga detyra. Si të mos mjaftonte kjo “përgjigje” për kërkesën e Lamajt drejtuar shefave të mëdhenj, vjen dhe një xhevap, i fundit dhe fatal, vrasja e komisarit.
Post mortum, oficerit të ndjerë i ka ardhur këto ditë përgjigja nga autoritete belge: Po, Arben e Mark Frroku kërkohen për vrasjen e vitit 1999 në Belgjikë, të shqiptarit tjetër, Aleksandër Kurti. Disa media u përpoqën ta manipulojnë mjerueshëm historinë, por mjerim edhe më i madh ka kapluar opozitën. Kupola e saj policore kur ishte në pushtet, rezulton se jo vetëm ka fshehur kërkesën e komisar Lamajt, por edhe e ka shkarkuar atë, teksa festonte (edhe rastësisht qoftë) me njeriun më të interesuar për ta larguar oficerin! Dhe sot proteston se ky “pushtet i lidhur me krimin” po arreston në mënyrë të paligjshme dy deputetë!
E majta, dje në opozitë, është kritikuar asokohe jo pak herë për mungesë koherence dhe hapa të gabuar në opozitëbërjen 8 vjeçare. Por nuk mund të ketë opozitë më pa lidhje, më çorap në ide dhe sjellje opozitare se kjo e sotmja, që del rregullisht “jashtë loje” dhe ndodhet gjithnjë në krahun e gabuar, në çdo hap që bën. Dhe sekretari i saj i përgjithshëm del e denoncon qeverinë në media, duke tundur në dorë si fakt të pakundërshtueshëm, një dokument të falsifikuar. Nuk është çudi që edhe kryetarit formal Basha, së fundmi i ka humbur durimi me shefin real Berisha dhe zgjedh të largohet nga skena, si psh, të shkojë e të protestojë në Kavajë…
Sot jo të paktë mund të jenë ata që kanë rezerva të forta ndaj mazhorancës në pushtet, pse iu desh dy vjet për të gjetur gëzhojën e vjetër të Brukselit (faktikisht, tek ngjarja në fjalë është përdorur thika), kohë gjatë së cilës mbante në prehrin e shumicës një deputet të dyshimtë. Fakti është që një përpjekje drejt zbardhjes së kësaj situate, tashmë është duke ndodhur. Por a ka të tjerë në parlament që akuzohen se kanë vrarë njerëz dhe a do vazhdojë, (meqë PD e ka shumë për zemër si iniciatore) dekriminalizimi kaq shumë i lakuar këto ditë? Sepse Shqipëria “demokratike” rezulton me një bilanc të përbindshëm viktimash në vitin 1997, me 26 shpirtra të hedhur në erë në 15 mars 2008 në Gërdec, me katër viktima të vrarë me duar në xhepa më 21 janar 2011 në bulevardin qendror të Tiranës… e shumë të tjerë. Një kryeprokuror kroat nisi disa hetime që i kthyen shpresën vendit të vet, vetëm nga ora e shtrenjtë e ish kryeministrit. Epo, po të rrinte nja dy vjet këtej, nuk do dinte nga t’ja niste më parë…
Esht rasti dhe momenti i duhur, simbas pervojes Kroate, fatemiresisht kryeprokurori krat qe arestoi kryeministrin dhe kryetarin e bashkis te kryeqytetit Zagrep e dha pervojen ne trajnimet qe beri. Miratimi i ligjit per dekrimanalizimin qe u miratua keto dite duhet te filloi me Sali Berishen, per lejimin e piramidave, vrasjet ne 97, urdherimin e aviacjonit per bombardim ne juge te vendit, tragjedine e Gerdecit vrasjen e kater demonstruseve paqesor ne 2011 para kryeministrise, per shpifje, fyerje nga me te pistat etj. Lulezim Basha per vjedhjen masive te 230 milion erove ne rrugen e kombit, shitjen e detitit si ish minister i jashtem , vrasjen e kater demostruseve paqesore ne bulevard me 2011. Fatmir Mediun per tragjedine e Gerdecit si ish minister i mbrojtjes, qe ne bashkepunim me SHkelzen Berishen shkaktuan 26 te vrare dhe 300 te gjumtuar. pa llogaritue demet materjale.