Rajoni

GIZ mbështet sistemet e paralajmërimit ndaj përmbytjeve në Ballkan

Synimi i projektit të GIZ “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor” është që qytetarët të kenë mundësi të aksesojnë informacion rreth rrezikut nga përmbytjet për të ndërmarrë masa për t’u mbrojtur.

Shtetet përrreth Shqipërisë në mënyrë ciklike kalojnë në periudhat e dimrit ose të vjeshtës situata të vështira, deri dhe emergjente nga përmbytjet, kur për shkak të tyre ka humbje të konsiderueshme materiale në pronat private dhe ato publike, ku është vënë në rrezik dhe jeta e qytetarëve në zonat, ku nga rreshjet e shumta të shiut kanë dalë nga shtrati lumenjtë dhe bazenet. Për të mos e lënë gjithçka në spontanitet dhe në dorë të dukurive natyrore ekspertët po shikojnë mundësi për qarkullimin e informacionit në favor të parandalimit dhe amortizimit të pasojave dhe dëmeve nga përmbytjet a katrastofat natyrore, për të krijuar mundësinë e marrjes së masave emergjente eficente nga strukturat në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe nga banorët në zonat e ekpozuara.

Por një faktor tjetër, që i bën efikase masat parandaluese ndaj këtyre fenomeneve, është dhe bashkëveprimi dhe bashkërendimi mes shteteve kufitare dhe jo vetëm si një mënyrë për shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave në përballimin e situatave të rënduara. Një nismë konkrete në këtë drejtim është duke u aplikuar në Shqipëri dhe në disa vende të rajonit në një projekt, që mbështetet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, ose siç njihet GIZ-i gjerman. Projekti “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor” është një bashkëpunim mes GIZ-it dhe autoriteteve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.

Proces i sigurimit në kohë reale të të dhënave hidrometeorologjike

Projekti, që funksionon dhe punon me një gamë të gjerë institucionesh të specializuara, ka një kohëzgjatje 7 vjeçare, ku nga janari 2012 deri në dhjetor 2015 përmbyllet faza e parë e tij, kurse nga janari 2016 deri në dhjetor 2018 është faza e dytë. Të dyja së bashku kanë një faturë prej 3.5 milion euro. Merita Meksi në GIZ- Albania, që është koordinatore e projektit për Shqipërinë dhe Kosovën, thotë se projekti adreson problematikat, që rrjedhin nga ndryshimet klimatike në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe në nivel baseni. Sipas saj pjesa e poshtme e Drin-Bunës në rajonin veri – perëndimor të Shqipërisë është e prirur ndaj përmbytjeve të rënda, të cilat kanë ndodhur rregullisht në vitet fundit dhe janë parashikuar të rriten në shpeshti dhe intensitet për shkak të ndryshimeve klimatike në rajon. Një nga pesë komponentet e projektit rajonal synon ngritjen e një sistemi paralalmërimi të hershëm ndaj përmbytjeve, thotë ajo për Deutsche Welle-n.

“Kjo do të arrihet përmes disa objektivave, që kemi, duke filluar nga vlerësimi i nevojave për ngritjen e sistemit të paralajmërimit të hershëm ndaj përmbytjeve, më pas duke skicuar, prokuruar dhe montuar stacionet hidrometeorlologjike. I rëndësishëm mbetet procesi i sigurimit në kohë reale të të dhënave hidrometeorologjike, që vijnë nga stacionet, apo mbështetjes së ekspeditave për kryerjen e matjeve në lum, ndërtimit të modelit hidrologjik, si dhe shkëmbimit të të dhënave ndërmjet katër vendeve të basenit”.

Sipas saj, pikërisht ky komponent i projektit është ndër më të suskeshmit, jo vetëm për faktin se është arritur të sigurohen dhe montohen 33 stacione hidrologjike dhe meteorologjike për vendet e basenit, por edhe sepse është arritur të nxitet një bashkëpunim institucional ndërmjet instituteve përgjegjëse për hidrometeorologjinë respektivisht Institutin Shqiptar të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), Institutin Hidrometeorolofjik të Kosovës (KHMI), Shërbimin Hidrometeorologjik Maqedonas (HMS) dhe Institutin e Hidrometeorologjisë dhe Sizmiologjisë të Malit të Zi (IHMS).

Evitohen faturat e larta të dëmeve nga katastrofat

Profesor Sazan Guri
Profesor Sazan Guri

 

Eksperti i mjedisit, Prof. Sazan Guri, e vlerëson si shumë pozitiv këtë projekt për faktin, se ai gjeneron energji të ekspertëve të fushës në përballimin e situatave, që shkojnë përtej çdo parashikimi. “Investimi, që bëhet për sigurimin e të dhënave mbi motin, është shumë pak në krahasim me faturën e dëmeve njerëzore dhe materiale, që ka një rast fatkeqësie natyrore. Rasti, se si janë bërë deri më sot punët në Shqipëri, është tregues për neglizhencat dhe indiferencat, që kanë gëlltitur miliona euro. Ndaj dhe realizimi i këtij projekti duhet përshëndetur si një shenjë konkrete reflektimi për ta menaxhuar sa më mirë situatën”, tha prof. Guri për Deutsche Welle-n.

Risi e projektit është edhe bashkëpunimi me Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare, KESH,si një nga aktorët kryesorë në menaxhimin e basenit (në pjesën e poshtme), pa informacionin dhe përfshirjen e të cilit ndërtimi i sistemit të paralajmërimit do të ishte i pjeshsëm.

Koordinatorja e projektit Merita Meksi në GIZ-Albania, shpjegon se ditët e fundit u bë edhe komisionimi i të gjitha stacioneve e tashmë institutet kanë në kohë reale të dhëna, sa i takon temperaturës, reshjeve, nivelit të ujit në 33 pikat më përfaqësuese të basenit.

“Për të kompletuar punën, si dhe për ta bërë publike rrezikun nga përmbytjet, GIZ dhe institutet përkatëse do të realizojnë në javën e dytë të tetorit prezantimin dhe trainimin për përdorimin e modelit hidrologjik të Drinit, model i cili kontribuon në sistemin e paralajmërimit të hershëm. Shumë shpejt publiku i këtyre vendeve do të ketë mundësi të aksesojë në kohë reale informacion të kuptueshëm për ta rreth rrezikut nga përmbytjet e për rrjedhojë të marrin edhe masa konkrete për tu mbrojtur prej tyre.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button