Maqedonia

Gjatë mandatit të Stavreskit u trefishua borxhi publik

Ministri i Financave i cili ka mbajtur këtë post për një periudhë më të gjatë që nga pavarësimi i Maqedonisë, Zoran Stavreski, llogaritet si një nga shtyllat kryesore në të cilat është mbështetur sistemi i ish-kryeministrit Gruevski.

Zëvendëskryeministri Stavreski, i cili do të mbahet mend për fjalët e tij gjatë bisedave të përgjuara, ku shprehej se “nuk kemi për bukë, e po harxhojmë për çokollatë”, Maqedoninë e gjeti me borxh publik në vlerë prej 1.77 miliardë eurove, apo 26.2% të Bruto Prodhimit të Brendshëm (BPB), ndërsa e la me borxh prej 4.33 miliardë eurove ose 45% të prodhimit vendas.

Gjatë kohës kur ai ishte ministër i financave, u lëshuan dy fletë-obligacione evropiane, e gjithashtu harxhoi edhe një tjetër të marrë më parë nga para paraardhësi i tij, Trajko Sllavevski. Kjo e fundit, ishte në vlerë prej 175 milionë eurove, ndërsa me vlerë rekorde ishte ajo e vitit 2014, që kapte vlerën e 500 milionë eurove, bën të ditur Tv Shenja.

Një vit më pas, Stavrevski sërish paralajmëroi fletë-obligacion të ri në vlerë prej 500 milion eurove, por kësaj radhe si rezultat i kompromisit me zëvendësministrin plotësues nga radhët e opozitës, vlera e fletë-obligacionit ishte 270 milion euro. Paralelisht me rritjen e borxhit të jashtëm, rritej edhe borxhi i brendshëm.

Kur Stavreski erdhi në postin e tij në vitin 2009, borxhi i brendshëm ishte 492 milionë euro, ndërsa tani kur ai e lë postin, borxhi i brendshëm arriti në 1.45 miliardë euro. Stavreski ishte kreatori dhe mbrojtësi më i madh i politikave ekonomike, duke pasur fjalën e fundit për atë se si dhe ku të shpenzohen paratë e buxhetit.

Vulën e tij e mbajnë idetë për të reklamuar vendin si një destinacion biznesi, duke paguar reklamat më të shtrenjta ndonjëherë në mediat vendase dhe ndërkombëtare. Nga opozita dhe nga ekonomistët është kritikuar për harxhime të kota, duke përfshirë këtu edhe projektin “Shkupi 2014”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button