GJELOSHAJ: EMËRIMI I DREJTORESHËS QË NUK FLET GJUHËN SHQIPE ËSHTË PROVOKIM INSTITUCIONAL
Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kreu i Forumit Shqiptar, njëherësh zëvendëskryeministër për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka reaguar kundër vendimit për emërimin e një drejtori të ri në një shkollë të mesme në Ulqin.
Gjeloshaj e cilësoi si të papranueshëm faktin që drejtori të sillet nga një komunë tjetër, duke theksuar se në Ulqin ka profesionistë dhe njerëz të kualifikuar që mund ta drejtojnë shkollën.
“Vendimi që drejtori i shkollës së mesme në Ulqin të sillet nga një komunë tjetër, sikur në vetë Ulqinin të mos ketë njerëz profesionistë, të arsimuar dhe të aftë, është një përpjekje e mjerë për të poshtëruar një qytet dhe qytetarët e tij”, ka shkruar Gjeloshaj në Facebook.
Sipas tij, veçanërisht e papranueshme është që në krye të një shkolle ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe të emërohet një person që nuk e flet gjuhën shqipe.
“Ky nuk është respektim i multietnicitetit, por provokim institucional dhe shprehje e albanofobisë”, tha Gjeloshaj, duke u bërë thirrje qytetarëve të Ulqinit, prindërve, mësimdhënësve dhe punonjësve të shkollës që të reagojnë dhe të mos e pranojnë, siç e cilësoi ai, këtë poshtërim.
Ai paralajmëroi se Forumi Shqiptar do të ketë një “përgjigje të qartë dhe të fuqishme politike” ndaj këtij vendimi. Gjeloshaj u bëri gjithashtu thirrje të gjitha partive politike dhe organizatave shqiptare që të bashkohen për t’iu përgjigjur çdo përpjekjeje për diskriminimin dhe poshtërimin e shqiptarëve.
“Kur cenohen dinjiteti, gjuha dhe të drejtat tona, përgjigjja duhet të jetë e përbashkët, demokratike dhe e vendosur”, theksoi Gjeloshaj, duke shtuar se është koha për t’i dhënë fund “shovinizmit dhe albanofobisë në institucione”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.