Gjendet trupi i një 11 vjeçari
Shkon në 22 numri i të vdekurve nga moti i keq që goditi Maqedoninë. Gjatë ditës së sotme ekipet e shpëtimit kanë gjetur trupin e pajetë të një 11 vjeçari nga Stajkovcki i cili ishte shpallur i humbur.
Ndërkaq vijojnë kërkimet edhe një fëmijë 15 muajsh, që figuron sërish në listën e të humburve.
Rajonet më të prekura nga përmbytjet janë Shkupi dhe Tetova, për të cilat është shpallur gjendja e emergjencës për 15 ditë.
Banorët e vendbanimeve të përmbytura në rrethinën e Shkupit, në vendin e quajtur Hasanbeg dhe fshatrat Stajkov, Stracincë, Rashtak dhe Haraqinë kanë kaluar edhe një natë në ankth nga përmbytjet e shiut.
Reshjet kanë vështirësuar edhe më shumë tërheqjen e ujit nga shtëpitë e përmbytura dhe hapësirat përreth ku ekipet e specializuara të policisë edhe ushtrisë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e viktimave eventuale.